E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli dënon marrëveshjen për armët bërthamore

Izraeli, i shënjestruar ndjeshëm kohët e fundit, dënoi “hipokrizinë” e marrëveshjes së konferencës për rishikimin e Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (TNP), mbi çarmatimin dhe krijimin e një zone pa armë nukleare në Lindjen e Mesme, të arritur të shtunën.

“Kjo marrëveshje mban vulën e hipokrizisë. Vetëm Izraeli përmendet gjatë tekstit të marrëveshjes, ndërkohë që ruhet një heshtje e plotë lidhur me vende të tjera si India, Pakistani, Koreja e Veriut, që gjithashtu zotërojnë armë bërthamore. Nuk flitet as për Iranin që po përpiqet të prodhojë armë bërthamore”, deklaroi për AFP një zyrtar i lartë izraelit, i cili nuk pranoi t'i bëhej publik identiteti.

“Fakti që nuk është bërë asnjë referencë lidhur me Iranin është shumë më tronditës se publikimi nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (AIEA) e gjithmonë e më shumë informacioneve kohët e fundit lidhur me natyrën ushtarake të programit bërthamor të Iranit”, theksoi zyrtari.

Konferenca e rishikimit të TNP miratoi me konsensus deklaratën përfundimtare lidhur me aspekte të ndryshme të Traktatit dhe parashikon organizimin në vitin 2012 të një konference ndërkombëtare për çmilitarizimin e Lindjes së Mesme, “sipas të cilës të gjithë shtetet e rajonit parashikohen të jenë pjesëmarrëse” dhe kjo nënkupton praninë e Izraelit dhe Iranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›