Izraeli dhe palestinezët arritën marrëveshje për armëpushim

Egjipti tha se ka ndërmjetësuar një armëpushim në mes të izraelitëve dhe palestinezëve, i cili ka hyrë në fuqi të martën.
Vrasja e një militanti palestinez nga ana e Izraelit ka nxitur luftimet. Palestinezët kanë hedhur raketa drejt Izraelit, i cili është hakmarrë me sulme me aeroplanë luftarakë.
Zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se të paktën 25 njerëz kanë vdekur dhe rreth 80 janë plagosur në sulmet ajrore të Izraelit, që kur kanë nisur përleshjet.
Zëdhënësi i ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Matan Vilnai, konfirmoi se është arritur "mirëkuptim" për një armëpushim. Nga ana tjetër, grupi islamik Xhihad, ka thënë se e pranon armëpushimin, po që se Izraeli ndal "agresionin".
Lajmi vjen pasi që Katërshja e Lindjes së Mesme, SHBA, Rusia, BE dhe OKB, i kërkuan palestinezëve dhe izraelitëve që të përmbahen nga "aksionet provokuese".