E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhet e Nolit nxitën Lidhjen: “Të ndalohen sulmet serbe kundër Shqipërisë”

“The New York Times” tregon reagimet e Lidhjes për sulmet serbe. Publikohen dy telegramet e qeverisë shqiptare. Reagimet e Fan Nolit

Edwin L. James

GJENEVË – Hija e luftës u ndje në radhët e Lidhjes së Kombeve, kur mbrëmjen e sotme, peshkopi Fan Noli, kryetar i delegacionit shqiptar, u ngrit para komitetit 6-anëtarësh të Asamblesë dhe lexoi një telegram në emër të qeverisë së tij, duke thënë se serbët kishin nisur veprimet ushtarake kundër Shqipërisë me artilerinë goditëse, në fshatrat kufitare. Ai kërkoi pa asnjë ekuivok që Lidhja të ndërhyjë për të vepruar në këtë konflikt.
Peshkop Noli tha se rreth 70 serbë u kishin dhënë shqiptarëve një ultimatum, që brenda 24 orësh të dilnin jashtë fshatrave që ndodhen në kufi. Por kur shqiptarët refuzuan, serbët nisën të bombardonin zonat të shtunën pasdite. Ai deklaroi se paqja në Ballkan ishte në rrezik. Më pas ai lexoi dy telegrame:
Telegrami i parë
Tiranë, 17 shtator: - Komandanti i serbëve në Drin kishte paraqitur një ultimatum te oficeri ynë në kufi, ku urdhërohej për t’u zhvendosur brenda 24 orësh nga zonat të cilat deri më tani janë mbajtur nën zotërimin tonë. Fshatrat janë; Muhërr, Arras, Sinaj, Darka dhe Mali i Lurës. Kërcënimet ishin që nëse nuk përfundon evakuimi brenda afatit të përcaktuar, trupat serbe do të përparojnë dhe do t’i pushtojnë këto fshatra.
Pak ditë më parë këto zona shqiptare ishin vizituar nga zoti Marcouard, përfaqësues i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe zoti Eyres, konsulli britanik. Vendet për të cilat diskutohet kanë një vlerë strategjike dhe autoritetet serbe urdhëruan evakuimin e tyre për të lehtësuar aksionet e bandave serbe brenda territorit shqiptar. Ju duhet të ndërmerrni hapat për të protestuar te autoritetet serbe kundër këtij veprimi të ri agresiv.
Evangheli, ministër i Punëve të Jashtme.
Telegrami i dytë
Mesazhi i dytë thotë: Tiranë, 19 shtator: - Në vijim të telegramit të parë, të datës 17 shtator, më 18 shtator, në orën 3:00 të pasdites, artileria serbe ndërmori një bombardim në krahinat e Arrasit dhe qendrat e tjera në kufirin tonë. Përmes telegramit, unë protestova te ministrat e Punëve të Jashtme dhe Lidhjen e Kombeve kundër këtij agresioni, duke kërkuar që ata të ndërhyjnë për të shmangur gjakderdhjen dhe të bllokojnë përsëritjen e ngjarjeve të një natyre të tillë që trazojnë rëndë paqen në Ballkan.
Evangheli, ministër i Punëve të Jashtme.
Delegacioni serb sulmon Shqipërinë
Edhe Shqipëria, edhe Serbia, janë anëtare të Lidhjes. Sapo Peshkopi Fan Noli kishte kërkuar që Lidhja të ndërhyjë për të ndaluar bombardimet, zoti Spalaikovitç, kryetar i delegacionit serb, u ngrit dhe ritheksoi se ishte absurde të thuash se Serbia ishte duke dhunuar kufijtë e Shqipërisë, sepse kufijtë e saj nuk janë përcaktuar ende. Ai e nuk vuri në dyshim korrektësinë e telegrameve të dërguara nga shqiptarët në Lidhjen e Kombeve.
Lordi Robert Cecil ishte ngritur në këmbë dhe për momentin tha se një përgjigje e tillë nga përfaqësuesi serb nuk mund të pranohet dhe Lidhja duhet të ndërmarrë një veprim. Një minutë më vonë ishte njoftuar se Këshilli mund ta shqyrtojë konfliktin shqiptaro-serb nesër pasdite.
Situata në favor të Shqipërisë
Një gjë ishte e sigurt të thuhej; ndjesia e shumicës dërrmuese të delegatëve të Asamblesë ishte pro shqiptarëve. Sulmi i papëlqyeshëm i zotit Sapalaikovitç ndaj shqiptarëve, i shtruar në Asamblenë e Lidhjes javën e kaluar, solli më pas kundërshtime nga të gjitha anët. Artur J. Balfour, kryesuesi i delegacionit britanik, përfitoi nga rasti t’i qortojë rreptësisht serbët. Zelli me të cilin kritika e tij, e cila dukshëm ishte bërë në mënyrë elokuente, solli ndryshimin e opinionit të Asamblesë për çështjen. Anëtarë e delegacionit shqiptar thanë sot në mbrëmje se kanë mjaftueshëm trupa të armatosura mirë dhe të trajnuara në afërsi të vendit të konfliktit, por nuk janë të prirë që të nisin një luftë të re në Ballkan. Ata argumentojnë se përmes sulmeve ndaj Shqipërisë, Serbia ka dhunuar pikat e Konventës nga Neni 10 deri te Neni 16, dhe ishte dhunuar në mënyrë të hapur thelbi i Konventës, duke u orientuar drejt veprimeve ushtarake përpara se çështja të shtrohej para Lidhjes, ndonëse Serbia e kishte firmosur këtë dokument.
Ndjesia në radhët e përfaqësuesve të fuqive të mëdha është fuqimisht në favor të ndërmarrjes së hapave të shpejtë për të shpëtuar Shqipërinë, nëse realisht gjendja është ashtu siç ishte paraqitur. Tani Këshilli i Ambasadorëve është duke marrë në shqyrtim caktimin e kufijve në Veri të Shqipërisë, të cilat ishin bërë burim konflikti midis Shqipërisë dhe Serbisë, apo Jugosllavisë që pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Shkrimi është botuar në “The New York Times” më 21 shtator 1921
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

Si hyri në lojë Greqia për të minuar çështjen shqiptare në Lidhjen e Kombeve

Grekët dalin në mbrojtje të Serbisë përsa u përket pretendimeve territoriale ndaj Shqipërisë

Ata dërgojnë zyrtarisht në kërkesë para Komitetit të Gjashtë të Asamblesë të Lidhjes së Kombeve

Rikthehen edhe një herë debatet mes Fuqive të Mëdha për çështjen shqiptare. Sërish reagojnë SHBA-të dhe Britania

Për më shumë na ndiqni në numrin pasardhës

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›