Banka Botërore dakord me modernizimin e sistemit shëndetësor
Banka Botërore mbështet ligjet që kanë të bëjnë me modernizimin dhe përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zhvilloi një takim me Camila Nuamah, përfaqësuese e Bankës Botërore për Shqipërinë, e shoqëruar dhe nga Lorena Kostallari, e cila mbulon shëndetësinë dhe çështjet sociale. Gjatë këtij takimi, ministrja u njoh me bashkëpunimet mes MSH – së dhe Bankës Botërore, bashkëpunim i finalizuar me realizimin e dy projekteve të para. Ministrja dhe përfaqësuesja e Bankës Botërore diskutuan për implementimin e projektit të tretë të Bankës Botërore që ka nisur në shtator të vitit 2006, për sektorin e shëndetësisë. Ky projekt synon modernizimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri dhe që është financuar nga Banka Botërore. Kostoja e përgjithshme e këtij projekti për shëndetësinë është përllogaritur të kap përafërsisht shumën 19.4 milion USD, ku objektivat kryesore të projektit janë. Ndërsa objektivat e këtij projekti synojnë përmirësimin e aksesit fizik dhe financiar si dhe përdorimin e shërbimeve shëndetësore parësore të cilësisë së lartë. Njëkohësisht projekti ka si qëllim përmirësimin e kapaciteteve kombëtare për të formuluar, zbatuar politika dhe reforma shëndetësore në sektorin e shëndetësisë, si dhe përmirësimin e administrimit dhe menaxhimit të spitaleve. Në funksion të realizimit të këtyre objektivave, projekti do të ketë disa komponentë kryesor, si: ndërtimin e kapaciteteve për sigurimin e shërbimeve shëndetësore në Institutin e Sigurimeve Shëndetësore si dhe në Institutin e Shëndetit Publik. Po kështu, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore të kujdesit parësor dhe Përmirësimin e menaxhimit dhe administrimit të spitaleve. Numah u shpreh se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me të njëjtin ritëm në shërbim të pacientit shqiptar.
Bashkia, strategji për zhdukjen e mbetjeve urbane nga kryeqyteti
Bashkia e Tiranës aplikon disa strategji për zhdukjen e mbetjeve urbane, atyre të forta dhe të buta. Një mënyrë efikase për trajtimin e veçantë të mbetjeve urbane do të sjellë edhe përmirsimin e klims dhe mjedisit në kryeqytet, pasi dihet që Tirana ka sasi të mëdha të mbetjeve për shkak të mbipopullimit.
Kështu, duke iu referuar Strategjisë Lokale të Mjedisit për parandalimin dhe kufizimin e ndotjes së mjedisit, Bashkia e Tiranës po implementon Udhëzuesin e “Miradministrimit Mjedisor”, i cili ka për synim reduktimin e mbetjeve të ngurta urbane nëpërmjet njësimit të praktikave dhe proceseve të riciklimit të përafruara me ato të standardeve të BE-së.
12 Gusht 2008