UNMIK-u njofton reduktimin e personelit
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë paralajmëron se brenda pak ditësh do të fillojë largimin e 70 përqind të personelit. Kjo masë është pjesë e planit për ristrukurimin e UNMIK-ut, pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Kombet e Bashkuara po planifikojnë të mbajnë në Kosovë rreth 30 përqind të personelit ndërkombëtar dhe vendor, apo rreth 600 zyrtarë, të cilët do të jenë pjesë e misionit të rikonfiguruar të UNMIK-ut. Afër 1400 zyrtarë të tjerë do të humbin shumë shpejt vendet e punës. Zvogëlimi i personelit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë mund të fillojë këtë javë, ndonëse zyrtarë të UNMIK-ut nuk kanë konfirmuar ende datën e saktë. "Nuk mund t'ua them datën e saktë, por në ditët e ardhshme ne do të fillojmë zvogëlimin e personelit ndërkombëtar dhe atij vendor, siç parashihet me planin për rikonfigurimin e UNMIK-ut", tha për BBC-në zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko. Ai tha se shkurtime të vendeve të punës do të ketë në Departamentin e Administratës Civile, në Zyrën për Kthim dhe Komunitete dhe në disa departamente tjera, ku UNMIK-u nuk do të ketë rol në Kosovë. "Ideja është që të bëjmë shkurtime të vendeve të punës për më shumë se 50 përqind, përafërisht 70 përqind", tha zoti Ivanko. Por ende mbetet e paqartë nëse reduktimi i personelit të UNMIK-ut do të ndodhë edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. "Nuk mund të them ende asgjë për veriun, nuk kemi vendosur për këtë", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko. Shkurtimi i 70 përqind të vendeve të punës në UNMIK është pjesë e planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, i cili ka dhënë dritën jeshile për zvogëlimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë dhe vendosjen e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX. Serbët në veri të Kosovës, të mbështetur nga Serbia dhe Rusia, po kundërshtojnë dislokimin e Misionit të BE-së në këtë pjesë të vendit, ndërsa po kërkojnë vazhdimin e pranisë së UNMIK-ut.
Shumica e serbëve në Kosovën veriore vlerësojnë se misioni evropian është i paligjshëm në Kosovë, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit dhe e shohin atë si implementues të pavarësisë së Kosovës. Për shkak të kundërshtimit të fuqishëm serb, funksionalizimi i EULEX-it në rajonin e Mitrovicës po has në pengesa dhe po vonon. Zyrtarë të BE-së kanë thënë se megjithë vështirësitë me të cilat po përballet, EULEX-i do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës.
12 Gusht 2008