E Diel, 1 Nëntor 2026

NDRIT GERDECI

Elisa Spiropali 

Kushdo që kalon natën  gjatë harkut të autostradës nga Maminasi në Vorë, e pamundur të mos i bjerë në sy një mahnitje e ndritshme e atillë që vetëm të verbrit nuk mund ta shohin. Pothuaj të gjithë shtëpitë e reja në Gërdec, jo vetëm ato me një kat, por edhe me tre apo katër kate, llamburitin nga drita të pafundme të vendosura rresht nëpër veranda. Nga tre a nga katër, nga gjashtë e nga tetë madje edhe tetë deri në dymbëdhjetë, simetrikisht në secilën verandë të secilit kat, pamja të lë pa frymë.
Po mirë, mund të thotë ndonjë, e pastaj, ku është problemi? Prit të ta shpjegoj.
Problemi është se po aq sa mahnitëse është pamja e gjithë atyre dritave, po aq turbulluese janë edhe pyetjet. Pse kaq shumë drita? Pse gjithë ky ndriçim? Ç’ne gjithë kjo përflakje? Pak hoqën nga përflakja?! Nuk u mjaftoi gjithë ai gjëmim, ai zjarr?! Ndriçojnë shtëpitë për t’i ruajtur nga hajdutët? Pse nuk mbajnë qen? A ruajnë dritat më mirë se qentë? Pse vallë i ndriçojnë shtëpitë më fort nga jashtë se sa, si do ishte e arsyeshme, nga brenda? Pse ky shpërpjesëtim i çuditshëm në bilancin e shpenzimit? Dhe, mes pohimesh të çuditshme që shfaqen turbull njëkohësisht edhe si pyetje edhe si përgjigje, po aq të shumta dhe po aq ambigue janë edhe shpjegimet që të dynden. Nuk ndahen dot nga ai kujtim makabër?! Pra, a të jenë prekur vallë, si mund të thotë ndonjë tul, nga Sindroma e Stokholmit, kur viktima bie në dashuri me vrasësin, në këtë rast me dritën e zjarrit të shpërthimit?
Lindin vetvetiu këto dhe plot të tjera pyetje sidomos po të futesh ta shikosh nga afër atë fshat që duket sikur përsëri ka marrë zjarr. Ky mister i madh, i ndritshëm, i heshtur, kaq turbullues fsheh brenda vetes edhe plot mistere të tjerë më të vegjël. Për shembull, kur vëren se shtëpitë i kanë ndriçuar jo vetëm në faqet ballore, por edhe në ato anësoret, madje edhe nga ato faqe ku nuk ka fare dritare.
Gërdeci ka dy rrugë të cilat në formë kryqi e ndajnë fshatin më katërsh. Njëra paralel me autostradën, tjetra perpendikular me të. Të dyja të errëta me të fut gishtat në sy. Të thuash se gërdecarët ndriçojnë shtëpitë për të ndriçuar rrugët, është pak ose aspak e besueshme. Ky supozim është lehtësisht i hedhshëm poshtë. Pavarësisht se vërtet dritat shihen nga larg (nga larg shihen për bukuri edhe dritat mbi malin e Dajtit, por nuk ndriçojnë asnjë rrugë në Tiranë) nuk mund të ndriçojnë rrugët e Gërdecit. Prandaj ato rrugë, edhe pse shtëpitë janë të super ndriçuara, natën janë krejtësisht të errëta. Një mendje tjetër të thotë se mund të jetë fjala për ndonjë modë të re ndriçimi shtëpish që mund të ketë shpërthyer së fundi atyre anëve. Por sapo t’u hedhësh një sy shtëpive të fshatrave aty afër, Maminasit, Marikajt, Prezës, Kasharit etj., bindesh menjëherë që as kjo nuk është e vërtetë. Shtëpitë e fshatrave rrotull Gërdecit, edhe ato të rejat e të lartat, shumë rrallë kanë më tepër se dy drita në verandat gjigante.
Epo atëherë, ç’u ka shkrepur në mendje gërdecarëve me tërë ato drita?
Disa gërdecarë të rinj e të moshuar që kalojnë andej kur i pyet për dritat ngrenë supet dhe shqiptojnë disa fjalë pa lidhje, në një mënyrë të tillë që të heqin çdo shpresë se prej vetë banorëve mund të presësh ndonjë shpjegim. Sa duket, kemi të bëjmë me një nga ato rastet e rralla në botë, por jo në Shqipëri, kur një fakt është aq më i pashpjegueshëm sa më i dukshëm të jetë. Dhe natyrisht në kushtet kur as vetë protagonistët e kësaj kryevepre që kanë hedhur aq shumë dritë mbi fshat nuk të vijnë në ndihmë për të hedhur sado pak dritë mbi thelbin e misterit, tamam si gjenitë e Artit që nuk i zbulojnë kurrë misteret e zanafillave të kryeveprave, nuk ka rrugë tjetër për të zbuluar të vërtetën llamburitjes, veç asaj që të vazhdojmë të supozojmë duke hyrë më në thellësi të Psikes së madhërishme shqiptare.
A mund të ketë ndodhur për shembull që përmes gjithatyre dritave gërdecarët të kenë dashur të përcjellin mesazhin ulëritës Nolian; “Rron or rron e s’vdes shqiptari”?
Ose, a mund të jenë ato drita një lloj tjetër mesazhi në formë refuzimi përbuzës lidhur me cilësimin fyes “Apatik” që një numër jo i pakët analistësh restorantesh po u bëjnë shqiptarëve në përgjithësi? Po, ka shumë mundësi. Por e mira do ishte këtë ta pohonin me gojën e tyre gërdecarët. Mirëpo gërdecarët nuk flasin. Sepse gërdecarët punojnë. Në krye të 8 muajve, nga rrënojat ngritën katundin me gjithë shtëpia.
Me drita të pafundme rresht si qirinj, fshati i zhytur në drita nga larg i ngjan një tempulli gjigant. A mund të jetë fjala për Lutje të heshtura, por të ndritura ndaj 26 gërdecarëve të bërë hi, që bëhen çdo natë nëpër veranda vilash me qirinj dritash?
Ka edhe zhbirilime të tjera. Për shembull, mund të bëhet edhe kjo hamendje paksa e frikshme; Gërdecarëve që panë me sy lemerinë që ua hodhi mbi kokë shteti, nga ndriçimi i shpërthimit që ishte më i fortë se sa t’i kishin drejtuar sytë nga Dielli, tashmë u janë lbyrur sytë. Dihet që sytë e lbyrur nuk shohin mirë për një kohe. Dhe prandaj shtëpitë i ndriçojnë sa më shumë që të shohin sa më mirë. Ndoshta, por duhen pyetur okulistët.
Kur problemi është tejet i vështirë bëhen edhe hamendje të vështira. Prandaj s’është ndonjë mëkat që pas okulistëve të kërkosh ndihmën e okultistëve. Një nga këto hamendje është; A të jenë budallallepsur dhe s’dinë ç’bëjnë? Edhe një pyetje tjetër për okultistë me përvojë nga ata që i kemi me shumicë; Të jetë kaq e vështirë që gërdecarëve t’u dali e liga të cilën dashur padashur, në mënyrë inkoshiente me vullnetin e tyre e mbajnë ende të gjallë brenda vetes?
Mund të jetë edhe kjo; A vallë gërdecarët e lemerisë ndriçojnë fort shtëpitë në mënyrë që ato shtëpi të bëjnë sa më tepër përshtypje nga autostrada për ta shndërruar në këtë mënyrë Gërdecin në atraksion turistik, pse jo edhe ndërkombëtar, tip; Ejani shihni ç’bën vaki’ në një shtet frenat dhe butonat e të cilit mbahen nga hajdutët dhe të marrët, dhe afrohuni-afrohuni shihni gjithashtu si dimë të ngrihemi më këmbë Ne.
Në mos qoftë i vërtetë ky supozim i fundit, atëherë të vërtetën mbi llamburitjen e Gërdecit le ta gjejnë ata me nam që janë në gjendje të gjejnë edhe të vërtetat më të koklavitura të Shqipërisë dhe Botës pa luajtur vendit nga studiot e ndriçuara me dritë verbuese... Gërdeci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›