E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë mund drejt Republikës së Re

Edi Lesi 

Procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti ka andrallat e tij, probleme të shumta, megjithatë zor se mund të mohohet se kemi të bëjmë me një revolucion që na çon drejt një Republike të Re. Pikërisht drejt republikës, ku qytetarët shqiptarë më në fund regjistrohen, identifikohen, në kuptimin e gjenealiteteve. Përftojnë një dokument që i bën të ngjashëm me belgët, italianët, francezët etj.
Po ashtu edhe adresat e tyre. Është një revolucion, sepse kemi të bëjmë me një ndryshim dramatik dhe në kohë të shpejtë.
Kushdo e di se si është gjendja e regjistrimit dhe identifikimit të qytetarëve. Një lëmsh i madh, gjendje kënete. Zyrat e shtetit nuk e dinë se kush janë njerëzit që kërkojnë shërbime, nga vijnë dhe ku banojnë. Dhe një vend i tillë nuk mund të shkojë larg në pretendimet për arritje standardesh, për zgjedhje të lira, për integrim evropian etj.
Mund të kontestohet ky proces për aspekte teknike, të organizimit, për çështje të të drejtave të njeriut për shkak të dhënies së shenjave të gishtërinjve, por assesi në thelbin e tij. Hiç më pak se arratisje nga realiteti është kundërshtimi që opozita po i bën procesit të pajisjes me karta. E dëshmon vullneti i qytetarëve, të cilët tek rrinë rras e plasur në radhë asfiksie për të aplikuar, e zhvleftësojnë ndjeshëm qëndrimin e socialistëve.
Kur aplikova pak ditë më parë, nuk dallova asgjë nga prapaskenat politike për të cilat po bëhet zhurmë. Pas 3 orësh, arrita të zhvendosem 2 metra duke iu qasur zyrave në një angështi mbresëlënëse. Në këtë radhë, që është një skaner perfekt i shoqërisë së sotme me gjithë problemet që ajo ka, shtyrje, mosrespekt, debate, sherre, mungesë shansesh të barabarta, ku ti ngjishesh, shtypesh dhe poshtërohesh nga shërbimi që ofrojnë zyrat e gjendjes civile të Tiranës, dhe veçanërisht nga parakalimi i miqve dhe i njerëzve të rëndësishëm përmbi ata që presin përulësisht, ka trishtim, por dukshëm ka vullnet dhe stoicizëm për të marrë këtë dokument. Nuk dallon aty, demokratë, socialistë, apo kalkulime zgjedhore. Të rinj, të moshuar që mezi mbajnë frymën, gra dhe burra që kërkojnë të pajisen me një dokument evropian.
Ata e ndjejnë se po fusin në xhep një kartë që do t'u japë më shumë dinjitet, do të bëjë që vota e tyre të ketë vlerë dhe të jetë e barabartë, si dhe një mundësi që jo shumë vonë për të qarkulluar përtej kufijve të ndaluar si qytetar evropian.
Për çudi, organizimi skandaloz i ofrimit të këtij shërbimi nuk e bën asnjë të largohet për t'u kthyer një ditë tjetër. Ka shpresë që kjo është më shumë vetëdije se sa frikë nga penalizimi prej shtetit në rast mosaplikimi.
Lehtësimi i këtij procesi duhej të ishte shqetësimi i politikës. Me siguri, deputetët nuk kanë ndërmend të harxhojnë kohën dhe sharmin e tyre për të hyrë në këtë sfidë humane të pritjes në radhë. As zyrtari i lartë i Ministrisë së Brendshme gjithashtu. Deklaratat e tyre nuk vijnë asnjëherë pas kalimit të përvojës personale të qëndrimit disaorësh në duhmat e djersës dhe dhëmbëve të prishur.
Ndryshe, ata do të ishin më realistë për të rregulluar kështu edhe axhendën e tyre që të shfaqen të paktën koherente. Dhe në fund të fundit për të ndihur qytetarët me sa të munden. Kësisoj, nuk është e habitshme që edhe këtë radhë, ata të jenë të fundmit e kësaj shoqërie, që do të kalojnë nëpër rrugën e mundimshme drejt Republikës së Re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›