E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse e keni kaq frikë feminitetin?!

Iva Tiço 

Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do mund të shkruaja një të tillë frazë. Me optimizmin foshnjor të atij që jeton në qendër të Tiranës, frekuenton ambiente nga ato që quhen intelektuale dhe leximet i përqendron te shtypi i huaj, në mënyrë naive kam menduar se Shqipëria na qenka aq e emancipuar sa ta përtypë fare normalisht një kopertinë reviste, ku një femër e hirshme 36-vjeçare pozon me një fustan të mëndafshtë dhe një varg perlash. Edhe kur kjo femër quhet Ina Rama, aktualisht Prokurore e Përgjithshme.
Sinjalin e parë që diçka nuk shkonte e dhanë disa biseda të hedhura andej-këndej. Deputetë e deputete të Kuvendit të Shqipërisë na ishin skandalizuar me faktin që revista "JETA" na e paskësh bërë Kryeprokuroren të pozonte nja pesë orë në një mobilieri te Blloku. Revistën s'e kishin parë akoma, ama e dënonin forcërisht gjestin e Kryeprokurores "që s'e kishte mendjen të punonte, por të ndërronte fustanet". Pastaj erdhi radha që akuzat të bëheshin publikisht: një emision televiziv dy net më parë e anatemoi Kryeprokuroren pikërisht me të njëjtën gjuhë. Thënë me logjikën e tyre, nëse Prokurorja zgjedh të dalë në një kopertinë reviste, duhet ta bëjë këtë pa shumë poza e lajle-lule, por të vihet pas murit si në fotot e pasaportave, të veshë dhe ndonjë kostum të hirtë të tipit "shoqja Lenka style" dhe kaq. Pozat le t'ua lërë çupëlinave që paguhen për këtë punë. Fjala vjen balerinave apo modeleve, që janë për të pozuar (zh)veshur në mënyrë femërore...
Nëse "polemika" do kishte mbetur në tavolina lokalesh apo parlamenti, nuk do më kishte shkuar kurrë ndër mend të bëja një shkrim të tillë. Por përderisa revista që unë drejtoj u mor si shembull për mënyrën sesi nuk duhet të pozojë një grua në pushtet, e ndiej të nevojshme të sqaroj se përse Ina Rama nuk ka bërë ndonjë krim duke u shfaqur thjesht femërore. Revista "JETA", që i ka kushtuar kopertinën e janarit Prokurores së Përgjithshme, është një botim që u drejtohet lexueseve femra. E konceptuar tërësisht jashtë aktualitetit politik, personazhet trajtohen në aspektin njerëzor dhe familjar, ndërsa një pjesë e madhe e revistës i kushtohet modës. Nëse do duhej të bëhej një krahasim, simotrat e saj në botë do ishin "Vogue", "Vanity Fair" apo "Glamour". Dhe nëse kolegët nuk kanë pasur rast të shfletojnë asnjë nga botimet e mësipërme, gjej rast t'ju rrëfej se puna për realizimin e kopertinave të këtyre revistave është një punë kolosale, jo thjesht një përzgjedhje personazhi me ca foto të shkrepura kuturu, por ndërtohet mbi një linjë fotosh që do përputhet më së miri me linjën e shkrimit, zgjidhen veshjet dhe aksesorët që shërbejnë për këtë, vendi apo vendet ku do realizohen fotografitë, grimieri, parukieri, manikyristi, tekniku i ndriçimit, asistenti i tij, asistenti i fotografit... Me ca më pak njerëz, te "JETA" bëjmë të njëjtën punë. Prej afro dy vjetësh, personazhet që janë në kopertinat tona u binden këtyre "rregullave", ashtu si të tjerë personazhe që dalin në ekran u binden grimierëve apo kostumografëve të televizionit. Prandaj dhe Kryeprokurorja e veshur me disa veshje të përzgjedhura nga redaksia jonë, në ambientet luksoze të një mobilierie që të mundëson ndriçimin e duhur, është po aq në rregull sa gjithë të tjerët me pozita të larta shtetërore, që para se ulen në poltronat e studiove, kalojnë nga poltrona e grimierit. A mund t'i akuzojmë gjithë këta personazhe se pse duan të dalin të bukur?! Mund të themi me logjikën e emisionit të parmbrëmshëm për shembull, se ministrja Majlinda Bregu nuk ka pse të lidhë një shall mbi kostum, Jozefina Topalli nuk ka pse të veshë xhaketat me detaje të Mirela Nurçes (dy vjet më parë, gjatë një sesioni fotografik, po për kopertinën e revistës "JETA", ne i sugjeruam veshjet e Nurçes, që tashmë janë bërë pjesë e gardërobës së saj), Mimi Kodheli nuk ka pse të mbajë rreth në flokë, Valentina Leskaj nuk ka pse të ndriçojë jakat me spila me gurë, Arta Dade duhet të heqë dorë nga flokët e kthyer nga brenda... Në fund të fundit, edhe ato kanë punë të tjera të rëndësishme dhe nuk do merren me muhabete fustanesh. Le të nisin të vishen me kostume si të Lajes, që të mos rrezikojnë të gjykohen nga një shoqëri meshkujsh vanitozë, që në biseda tavolinash ua kalojnë dhe femrave kur diskutojnë për markat e orëve apo kravatave (në cilin vend të botës Presidenti i Republikës do shfaqej në takime zyrtare në një kravatë Burrbery!). Le t'i lënë pra të gjitha femrat shqiptare në pushtet detajet femërore dhe të burrërohen, ndonëse e gjithë bota e qytetëruar, që me mbylljen e epokës së Margaret Thatcher-it ka lënë pas krahëve kostumet blu mashkullore dhe i ka lejuar femrat e pushtetshme të shfaqen me gjithë feminitetin e tyre. Dhe jo vetëm gratë e para, si Jacqueline Kennedy, Michele Obama, Carla Bruni apo Rania e Jordanisë, por edhe ato që pushtetin nuk e kanë thjesht si gruaja e një burri, si Rachida Dati, ministrja franceze e Drejtësisë (në kopertinën e "Paris Match", ku është quajtur "fytyra e Francës që po ndryshon", bashkë me fustanin femëror, ka nxjerrë në dukje edhe krahët e palestruar), Presidentja e Argjentinës Christina Fernandez de Kitchener apo ministrja italiane e Shanseve të Barabarta, Mara Carfagna. Vetëm një politikane ka shkuar në kahun e kundërt, drejt "thatcher-izimit": Hillary Clinton. Sa qe Zonjë e Parë, në dhjetor të vitit 1998, nuk nguroi të pozonte për kopertinën e "Vogue USA" me një fustan mbrëmjeje Oscar della Renta. Por vetëm në shkurt të vitit të shkuar, teksa garonte për t'u zgjedhur si kandidate për Shtëpinë e Bardhë, u tërhoq ditën e fundit nga premtimi që kishte bërë për të qenë sërish kopertina e "Vogue". Stafi i saj u justifikua duke thënë ekzaktësisht: "Jemi të shqetësuar se nëse Clinton do shfaqej në 'Vogue', rrezikonte të shfaqej shumë femërore". Kjo solli menjëherë reagimin cinik të drejtores mitike të "Vogue", Anna Wintour: "Nocioni se një grua bashkëkohore duhet të duket mashkullore në mënyrë që ta marrin seriozisht në rrugën drejt pushtetit, sinqerisht është zhburrërues". Por Anna Wintour-i nuk drejton revistën "JETA", nuk jeton në qendër të Tiranës, mes burrash që sulmojnë një femër vetëm pse shfaqet femërore. Prandaj asnjëherë nuk do vrasë mendjen: Pse ta kenë kaq frikë feminitetin?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›