Izraeli liron të gjithë aktivistët, i paralajmëron të lenë vendin
Izraeli ka liruar të gjithë aktivistët e huaj të anijes me ndihma që u sulmua nga marina izraelite natën mes së dielës dhe të hënës. Ata ishin dërguar të gjithë në burgun e Ber Shevës. Megjithatë, lirimi i tyre nuk do të thotë liri lëvizjeje në Izrael. Për disa kanë nisur procedurat e dëbimit, pa kontakte të jashtme dhe nën mbikëqyrjen e policisë izraelite, e cila do tërhiqet kur aktivistët të kenë hipur në avion ose do të jenë larguar në rrugë tokësore. Dhjetëra aktivistë mbërritën në Jordani pasi u larguan nga Izraeli fqinj. 124 persona nga 12 vende myslimane, shumica e tyre pa marrëdhënie diplomatike me Izraelin, e kaluan mëngjesin e djeshëm në lumin Jordan me pesë autobusë. Qeveria e Jordanit tha se në grup kishte 30 jordanezë.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu tha më herët se dëbimet do të përfundonin me largimin e të gjithë aktivistëve brenda 48 orëve. Izraeli po ashtu ka liruar 200 turq që u dërguan në atdhe me avion. Një zyrtar i lartë në ministrinë turke tha se vendimi kishte treguar se Izraeli po vinte në vete. Megjithatë një zëdhënës izraelit tha se bllokada nga deti mbi Gazën do të vazhdonte për të shmangur rrezikun e trafikimit të armëve.
Presioni diplomatik ndaj izraelit u rrit, pasi Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm lidhur me operacionin e komandove izraelite mbi flotën e anijeve që po çonin ndihma në Gazë. Incidenti, që çoi në vdekjen e të paktën 9 aktivistëve pro palestinezë, u diskutua në një seri takimesh të jashtëzakonshme të organizatave si NATO dhe Liga Arabe. Në Bruksel, NATO dhe ambasadorët e BE-së u mblodhën për të shprehur shqetësim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se ishte shumë i shqetësuar lidhur me vrasjen e aktivistëve pro palestinezë.
3 Qershor 2010