Sigurimet shëndetësore, nis regjistrimi elektronik pranë mjekut të familjes
Nis procesi i regjistrimit elektronik të popullatës në qendrat shëndetësore. Lajmi është bërë i ditur nga drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, e cila ka qenë e pranishme në Forumin e 4-t ballkanik për sigurimet shëndetësore, të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë. Financimi i sistemit publik nga skema e sigurimeve shëndetësore dhe reformimi i sistemit shëndetësor në vendet e rajonit, ishin në qendër të Forumit të 4-t ballkanik për sigurimet shëndetësore, në të cilin, Shqipëria, organizatorja e parë e Forumit, u përfaqësua në këtë takim dyditor nga Elvana Hana. Drejtoresha e ISKSH-së ka mbajtur një fjalim të gjatë lidhur me ecurinë e sigurimeve shëndetësore në vendin tonë. Një pjesë të rëndësishme në fjalën e saj e ka zënë rritja e aksesit të popullatës te mjeku i familjes. Sipas Hanës, në vitin 2009 kontakti për herë të parë me pacientin është rritur në masën 17% më shumë se para nisjes së reformës. “Indikatorë të rëndësishëm si: ndjekja e gruas shtatzënë, vaksinimi i fëmijës, indikatorë që tregojnë lidhje të drejtpërdrejtë me parandalimin e sëmundjeve, janë realizuar në masën mbi 95%. Gjatë vitit 2009 është dyfishuar numri i personave që kanë kërkuar shërbime shëndetësore nëpërmjet skemës në krahasim me vitin 2007 dhe trefishuar në krahasim me vitin përpara nisjes së reformës”, - ka shpjeguar drejtoresha e ISKSH-së. Të dhënat tregojnë se performanca e qendrave shëndetësore ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit, ku në vitin e tretë të reformës pothuajse është dyfishuar niveli i realizimit të pagesës për perfomancë nga 49.8% në 81.4%. Sipas ISKSH-së, gjatë vitit 2009 janë kryer 4.95 milionë vizita nga mjekët e qendrave shëndetësore të kujdesit parësor, afro 1 milionë vizita më shumë krahasuar me nisjen e reformës në vitin 2007. Të dhënat e ISKSH-së tregojnë se gjatë vitit 2009 janë kryer 4.95 milionë vizita nga mjekët e qendrave shëndetësore të kujdesit parësor, afro 1 milion vizita më shumë krahasuar me nisjen e reformës në vitin 2007. Informatizimi i sistemit shëndetësor, kryesisht atij parësor ishte në qendër të diskutimeve të drejtorëve të fondeve të sigurimeve shëndetësore të vendeve pjesëmarrëse; Maqedonisë, Sllovenisë, Hungarisë, Lituanisë, Kroacisë, Malit të Zi etj.
Projekti pilot
Shërbimi i kujdestarisë, vetëm për fëmijët me një prind
Projekti më i ri i Shërbimit Social, kujdestaria, do të ofrohet vetëm për fëmijët me probleme sociale, të cilët strehohen sot në shtëpitë e fëmijës të ngritura në 9 qytete. Drejtori i institucioneve të përkujdesjes në shërbimin social shtetëror, Gëzim Tushi, thotë se kjo kategori përbën numrin më të madh të fëmijëve që përfitojnë kujdesin e shtetit në raport me fëmijët e braktisur nga të dy prindërit. Sipas Tushit, rreth 70-80 për qind e fëmijëve që jetojnë në qendrat rezidenciale të shtetit janë fëmijë që nuk kanë ose nënën, ose babanë, ose fëmijë që kanë probleme sociale në shtëpi dhe që kërkojnë përkujdesjen e shtetit. “Mund të themi se vetëm 10 për qind e tyre janë jetimë natalë, të braktisur që në lindje nga të dy prindërit dhe që nuk kanë asnjë lidhje me familjet e tyre biologjikë. Do të jetë pikërisht ky kontingjent, i cili do të përfshihet i pari në shërbimin e kujdestarisë, i cili është një shërbim i përkohshëm dhe ndryshon nga birësimi, i cili është një proces i pakthyeshëm që u ofrohet me ligj vetëm fëmijëve jetimë që nuk kanë asnjë prind”, - sqaron drejtori i Përkujdesjes Sociale në Shërbimin Social Shtetëror. Projekti pilot i kujdestarisë do të shtrihet në dy qytete, Tiranë e Shkodër, dhe do të zbatohet nga pushteti vendor. Projekti ka si afat kohor vitet 2008-2010 dhe për shërbimin e kujdestarisë do të përzgjidhen 80 familje nga këto dy qytete. Vlera e tij kap shifrën e 100 milionë lekëve dhe për implementimin e projektit janë caktuar 2 kompani që punojnë me fëmijët jetimë.
3 Qershor 2010