E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkime nga policia, niset për në shkollë, zhduket fëmija 14 vjeç



KRUJË - Një nxënës i klasës së shtatë është shpallur i zhdukur prej disa ditësh dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të tij. Zhdukja e 14-vjeçarit Leonard Lena ka ndodhur në datën 27 maj. Që nga ajo ditë nuk ka asnjë informacion për atë. Familjarët kanë bërë kontrolle të shumta, por deri mbrëmjen e djeshme nuk kishte asnjë informacion për të. Siç mësohet, në kërkim janë vënë dhe uniformat blu, që pasi kanë marrë denoncimin, kanë vënë në dispozicion dhe një numër telefoni për këdo që ka informacion.
Ditën e djeshme, Policia e Krujës ka shpallur zyrtarisht të zhdukur 14-vjeçarin nga fshati Thumanë. Familja e të zhdukurit ka deklaruar në polici se fëmija ishte nisur për në shkollë dhe nuk është kthyer më në banesë. Babai i 14-vjeçarit ka deklaruar se rreth orës 19:00 të mbrëmjes së 27 majit kishte kërkuar djalin që të shkonte dhe t’i blinte cigare. Por, bashkëshortja i kishte treguar se ai nuk ishte kthyer nga shkolla dhe nuk e dinte se ku mund të ishte. Këtu kanë nisur dhe kërkimet për gjetjen e tij. Pasi kanë pyetur te të afërmit, kërkimet janë zgjeruar dhe është kontrolluar i gjithë fshati, por asnjë gjurmë nuk është gjetur. Të afërmit dhe fqinjët kanë kontaktuar me miqtë dhe të njohurit, duke pyetur nëse djali i tyre kishte shkuar tek ata, por sërish asgjë. Janë pyetur dhe bashkëmoshatarët e tij, por dhe ata nuk dinin gjë. Të ndodhur në këtë situatë, familjarët e djalit të zhdukur kanë shkuar në polici dhe kanë bërë denoncimin për zhdukjen e tij. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve që kanë dijeni për të dhënë informacion në numrin 141, pa pagesë dhe kundrejt ruajtjes së anonimatit.
Sot bëhen 12 ditë nga zhdukja e vajzës 6-vjeçare Bleona Mata, nga fshati Zapo i Kukësit.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›