E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga policëve, i vunë 100 mijë euro gjobë biznesmenit italian



Artan CENA
TIRANË - Një polic burgjesh dhe dy bashkëpunëtorët e tij kanë rënë në pranga pasi akuzohen për gjobëvënie ndaj një biznesmeni italian në shumën e 100 mijë eurove. Arrestimet janë bërë mëngjesin e djeshëm, pas denoncimit të vetë të dëmtuarit. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë ditën e djeshme se Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë mundur të arrestojnë tre të dyshuarit, njëri prej të cilëve ishte dhe administrator i firmës së italianit që merrej me mbledhjen e lëkurëve të kafshëve dhe dërgimin e tyre në Itali. Arrestimet janë bërë dy ditë më parë, në kohën kur tre të dyshuarit kanë shkuar në dhomën e hotelit ku ishte italiani me inicialet E. P. Të ndaluarit janë, Jetnor Dushaj, 24 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie i rolit bazë në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fushë-Krujë; Ermal Malaj, 32 vjeç, banues në Tiranë dhe Sefer Dervishi, 27 vjeç, banues në Mamurras të rrethit Kurbin.
Prokuroria
Prokuroria e Krimeve të Rëndë ka bërë të ditur se denoncimi për gjobëvënien është bërë vetëm pak ditë më parë. “Në datën 31 maj 2010, Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar kryesisht një procedim penal që bën fjalë për veprën penale të ‘shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasuris뒔, - thanë dje burimet zyrtare nga Krimet e Rënda. Menjëherë kanë nisur hetimet. “Nga hetimet paraprake, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, ka rezultuar se shtetasi italian me inicialet E. P., i cili ushtronte një aktivitetet privat të përpunimit të lëkurëve në qarkun e Lezhës, është bërë objekt i një kërcënimi për të dhënë shumën prej 100 mijë eurosh nga shtetasit e arrestuar Sefer Dervishi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, administrator i firmës së kallëzimtarit E. P., të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, dhe “konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës”, bëhet e ditur nga institucioni i akuzës.
Bashkëpunëtorët
Dy persona të tjerë janë vënë në prangat e policisë si bashkëpunëtorë të Dervishit, të dy efektiva policie. Jetnor Dushaj, 24 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Fushë-Krujë, me detyrë punonjës policie në Burgun e Fushë-Krujës, është i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës”. Gjithashtu, në kuadër të këtij hetimi është arrestuar dhe Ermal Malaj, 32 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Kodër-Kamzë, Tiranë, me detyrë punonjës policie në Burgun e Fushë-Krujës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “konkurrencës së paligjshme nëpërmjet dhunës”. Sipas denoncimit, tre personat e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë kërkuar shumën prej 100 mijë eurosh, në shkëmbim të mbylljes së një problemi me policinë. Ndërkaq, këta shtetas rezultojnë të jenë autorët e dyshuar të një ngjarjeje të ndodhur para pak ditësh, ku për motive konkurrence i kanë vendosur një sasi eksplozivi një tjetër biznesi në qytetin e Kavajës.

Të arrestuarit
Jetnor Dushaj, 24 vjeç, polic burgu
Ermal Malaj, 32 vjeç, polic burgu
Sefer Dervishi, 27 vjeç, administratori i firmës

Kërkon paratë e tij, denoncon borxhlinjtë e 110 mijë eurove
KORÇË - I marrin borxh 110 mijë euro me afat kthimi 1 vit, por kalojnë dy vite dhe nuk merr dot më paratë e tij. I ndodhur në këtë situatë, një qytetar ka bërë kallëzim në polici ndaj dy borxhlinjve të tij. Ngjarja ka ndodhur në Korçë, ku qytetari me inicialet D. M. ka bërë një denoncim ndaj dy borxhlinjve të tij, duke paraqitur dhe deklaratat noteriale. Burime zyrtare nga Policia e Korçës thanë se janë nisur hetimet ndaj dy personave të akuzuar për veprën penale të “mashtrimit”, përkatësisht në dy raste, në shumat 60 dhe 50 mijë euro. Pas denoncimit, policia ka kryer veprimet dhe ka vënë nën hetim në gjendje të lirë, për veprën penale të “mashtrimit” për Rajmond Gjergjefin, 54 vjeç, banues në Bilisht, sepse në vitin 2008 i ka marrë, kundrejt një deklarate noteriale, shumën prej 60 mijë euro shtetasit me inicialet D. M., për t’ia kthyer një vit më vonë, por edhe pse afati ka kaluar, i sipërpërmenduri i është shmangur detyrimit financiar. Po kështu, policia tha se u kryhen veprimet hetimore procedurale në gjendje të lirë për veprën penale të “mashtrimit” dhe për shtetasin Ilirjan Metaj, 40 vjeç, banues në Fier, sepse në vitin 2008 i ka marrë kundrejt një deklarate noteriale shumën prej 50 mijë eurosh dhe 2 100 000 lekë të rinj, po qytetarit me inicialet D. M., për t’ia kthyer një vit më vonë, por edhe pse afati ka kaluar, Ilirjan Metaj i shmanget detyrimit.

Procesi “Qafë-Gjashta”
Leje nga shtabi i Sarandës për të tërhequr trupin e djegur
TIRANË - Myzafer Xhemali është kunati i ish- oficerit të policisë, Gjergj Mehmeti, i vrarë më 6 mars 1997 në Qafë–Gjashtë Sarandë. Para Krimeve të Rënda, në cilësinë e dëshmitarit, Xhemali rrëfeu për peripecitë që ka hasur për të marrë trupin e kunatit nga Saranda. Së bashku me vëllanë e viktimës, Flamur Mehmeti, ai është munduar të tërheqë prej andej kufomën për ta varrosur sipas riteve familjare. Po dje tregoi se ka qenë shumë e vështirë, pasi asnjë shofer nuk i ndihmonte sapo merrnin vesh se për çfarë bëhej fjalë. Xhemali tha se të gjithë kishin frikë dhe thoshin se Gjergj Mehmeti ishte kriminel; të paktën kështu e quanin në Sarandë. Kanë mbërritur atje me ndihmën e një taksisti, i cili më parë kishte marrë leje nga shtabi i Sarandës (Komiteti i Shpëtimit). Më pas dëshmitari tha se kur mbërritën, trupin e kunatit të tij e kishin çuar në varreza. Kanë ndërhyrë për ta tërhequr, por e kanë pasur të vështirë të ktheheshin në shtëpi pa mjet. Ai tha se një natë kanë fjetur me kufomën në spital dhe aty i kanë detyruar për të mbajtur një fjalim për të cilin nuk kanë pranuar. Po kështu tregoi se është munduar të gjejë të vërtetën duke takuar Xhevat Haxhiajn, shefin e shtabit, por më kot. Ky i fundit nuk i ka ndihmuar as me makinë, derisa kanë gjetur ndihmë nga një zyrë funeralesh.

Gjendet e vdekur e reja, policia nis hetimet për shkakun
KORÇË - Gjendet e vdekur në rrethana ende të paqarta, në një banesë në qytetin e Korçës, 24-vjeçarja nga Bilishti. Burime zyrtare të Policisë së Korçës thanë se shtetasja Arta Backa, 24 vjeçe, është gjetur pa jetë mëngjesin e djeshëm në një banesë të cilën e kishte marrë me qira prej disa muajsh. Policia tha se sipas hetimeve të para dyshohet se vajza ka gjetur vdekjen si pasojë e një sëmundjeje, megjithatë, rrethanat e ngjarjes po hetohen nga specialistët e Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Grupi i hetimit mësohet se ka marrë në pyetje pronarin e banesës, i cili ka thënë se nuk ishte në dijeni të shqetësimeve të vajzës 24-vjeçare.

Pranga tutorit të dhjetë vajzave në Itali
TIRANË - I kërkuar prej vitesh për shfrytëzim të femrave për prostitucion, arrestohet në një banesë në Vorë. Policia e Tiranës tha se mesditën e djeshme, pas një operacioni të mirorganizuar nga Strukturat e Hetimit të Krimit, është bërë i mundur arrestimi i të shumëkërkuarit Artur Doko, 38 vjeç, banues në Tiranë. Ky person akuzohet nga Drejtësia italiane për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Për këtë vepër ai është dënuar në Itali me 7 vjet burg. Ky dënim është njohur dhe nga gjykatat shqiptare. I shumëkërkuari akuzohet se përgjatë periudhës së viteve 1998 deri në vitin 2001, ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në Milano të Italisë rreth 10 vajza të shtetësive e kombësive, kryesisht kosovare, rumune, moldave dhe shqiptare. Ndalimi i tij u bë në ambientet e një banese në Vorë të Tiranës.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›