E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli nderon shqiptarët që mbajtën hebrenjtë gjatë luftës

 

Leonard Berberi *

Është familja e Rafael Abravanel. Janë Davidi, Esteri, Matilda e Memo Solomon. Por edhe Frici, Katerina dhe vajza e tyre Gertrudë. Këtu askush nuk ia kujton emrat. Janë të shumtë emrat. Ca më shumë se 200. Dhe janë të gjithë hebrenj. Të arratisur nga çmenduria nazifashiste. Të mbrojtur nga shqiptarët. Më së shumti myslimanë. Ndërsa bota kujton çmendurinë njerëzore në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, muzeu i Holokaustit “Yad Vashem” i Jerusalemit ka nderuar ata shqiptarë që rrezikuan jetën, gjatë pushtimit, për të shpëtuar jetët e qindra hebrenjve të shpërngulur në Shqipëri, apo të arratisur nga Polonia, Austria e Jugosllavia.
Në lindje të Tel-Avivit, në qytetin e Ramallahut (ku jetojnë hebrenj dhe arabë) u organizua një ekspozitë fotografike në nder të “të drejtëve” të Shqipërisë. Gjithsej 63. Norman Gershman shkoi në “vendin e shqiponjave” dhe atje përjetësoi të gjithë “Të drejtët mes popujve”. Shumë prej tyre nuk janë më. Në vend të tyre janë fëmijët e nipërit. Sepse ky akt nuk harrohet. “Shqipëria është një rast i veçantë në historinë e Shoahut. Jo vetëm gjermanët nuk ia dolën në tentativën për të eliminuar 200 hebrenj të regjistruar në Tiranë, përkundrazi në fund të luftës, në territorin e saj numri i përgjithshëm i tyre u rrit në 1600-1800”, - thotë Avner Shalev, presidenti i “Yad Vashem”. Ndërsa Shalev flet, i pranishëm është Refik Veseli, djali i një prej “të drejtëve”. Nuk do të kishte një rast më të mirë se ky. Me Gazën e torturuar. Është një popull që vazhdon të jetojë në agoni. “Ishte viti 1943 kur familja Solomon, David, Ester dhe fëmijët Matilda e Memo, u fshehën në shtëpinë tonë”, tregon Beqir Kazazi nga Tirana, teksa shton se familjes hebreje iu dha një mbiemër mysliman, për të mos përhapur dyshime. “Fëmijët luanin në oborrin pas shtëpisë me ne, edhe pse prindërit ndiheshin të terrorizuar”, vazhdon Beqiri. Kur makthi mori fund, familja Solomon u kthye në Izrael. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, shqiptarëve iu ndalua çdo kontakt me jashtë. Vetëm pas gjysmë shekulli, disa prej familjeve të arratisura mundën të kenë lajme prej mirëbërësve të tyre. Kështu Beqiri mësoi se vogëlushi Memo (emër përkëdhelie i Mori Amarilio), u bë muzikant, studioi në Beersheba dhe më pas u transferua në Jerusalem. E motra, Matilda, ka punuar në administratë. Nuk është kështu për të gjithë. Janë të shumtë shqiptarët që nuk patën më lajme prej mysafirëve të tyre të veçantë, edhe pse shpresojnë që një ditë të mund të ripërqafojnë shokët e lojërave.
(* Student në shkollën e gazetarisë të "Corriere della Sera"-s dhe të Universitetit të Milano-s)

Ekspozita
“Besa: Kodi i nderit - Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, është ekspozita që fotografi amerikan Norman Gershman ka hapur në Muzeun e Holokaustit në Tel-Aviv. Për të realizuar këtë ekspozitë fotografike, por edhe një libër e një dokumentar, Gershman vizitoi disa herë Shqipërinë. Intervistoi rreth 70 familje, që kanë strehuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, familje herbeje. Kjo, jo vetëm për të mbledhur histori e për të fiksuar portrete, por për të kuptuar konceptin e tyre mbi fenë, besimin dhe luftën. “Ata janë njerëz të mirë, të cilët u ndjenë të detyruar të ndihmonin, edhe pse ishin të rrezikuar nga nazistët, që mund t’u shuanin gjithë familjen”, thotë Gershman. “Unë sfidoj këdo që mund të thotë se këta njerëz janë terroristë, apo simpatizantë të terroristëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›