Jeremiç në OKB për formimin e FSK-së: Po shkelet rëndë Rezoluta 1244
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç ka nisur një fushatë të re lobimi kundër pavarësisë së Kosovës, duke udhëtuar drejt Nju Jorkut për të zhvilluar bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, rreth zbatimit të planit gjashtë pikësh dhe formimit të forcës së sigurisë në Kosovë. Sipas Jeremiç dhe politikanëve të tjerë në Serbi, formimi i Forcës së Sigurisë në Kosovë nuk është pjesë e këtij plani të mbështetur nga Këshilli i Sigurimit, por një shkelje e rëndë e Rezolutës 1244, e cila është caktuar të qëndrojë ende në funksion si traktat i imponuar nga jashtë mes Kosovës dhe Serbisë. “Në Nju Jork do të bisedojmë me Sekretarin e Përgjithshëm mbi zhvillimet shqetësuese në Kosovë, formimin e FSK-së që paraqet shkelje të rëndë të Rezolutës 1244”, ka komentuar Vuk Jeremiç. Ndërkohë paralelisht me këtë hap, Jeremiç u ka dërguar ftesë për mbështetje në procesin e hapur në Hagë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhjetëra vendeve, për të gjetur sa më shumë aleatë që të mund të kundërshtojë procesin e konsideruar tashmë të pakthyeshëm. Serbia u ka kërkuar 80 vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta mbështesin në procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku do të trajtohet ligjshmëria e pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008 dhe të njohur si të ligjshme deri tani nga 54 vende. Në një letër të ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç, nga vendet ku bën pjesë edhe Rusia, kërkohet që t’ia paraqesin me shkrim gjykatës qëndrimin e tyre zyrtar lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Ju ftoj që ta konsideroni parashtrimin e një deklarate me shkrim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke shprehur qëndrimin zyrtar të vendit tuaj për këtë çështje me rëndësi absolute para 17 prillit”, citon shtypi i Beogradit letrën e ministrit Jeremiç.