Pasuria shpirtërore, pa një listë të shkruar kryeveprash
Alma Mile
Lahuta e Kreshnikëve, kabaja e Laver Bariut e isot e Jugut, janë po aq të qëndrueshme sa edhe kolonat e mermerta të mbijetuara prej kohëve greke e romake. Ndoshta edhe më shumë. Megjithatë, prej tre vjetësh, ligji parashikon barazi. Edhe pse në bazë të Ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, kultura materiale dhe ajo shpirtërore kanë të njëjtën rëndësi, kjo barazi ka mbetur vetëm në letër. Përveç ligjit të vitit 2006 (me ca ndryshime të një viti më parë), asgjë nuk është bërë për të vërtetuar “zyrtarisht” këtë barazi. Mjaft të përmendim faktin, që nuk kemi një listë me kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore, të cilat janë në mbrojtje të shtetit. Ky shqetësim ka mbledhur dje Këshillin e Muzikës Shqiptare, Komisionin Kombëtar të UNESCO-s, përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e të tjera institucione në takimin “Katalogimi i trashëgimisë kulturore shpirtërore”. Sipas muzikologut, akademikut, Vaso Tole, nuk është e rastit që kjo temë ngrihet pikërisht tani. Këtë vit organizohet në Gjirokastër Festivali Folklorik dhe më shumë se kurdoherë tjetër, ia vlen të flitet për ruajtjen e vlerave më të mira gojore shqiptare. “Nëse për monumentet materiale të trashëgimisë kulturore, ku hyjnë kala, kisha, xhami, etj. Kemi një listë prej 4 mijë objektesh të kategorisë së parë e të dytë, për trashëgiminë shpirtërore nuk kemi asnjë listë”, thotë Tole. Sipas tij, kjo është një detyrë urgjente që i del institucioneve të kësaj fushe. “Nëse kemi një kryevepër botërore, të shpallur nga UNESCO, si iso-polifonia, është absurde që nuk kemi një të tillë në nivel kombëtar. Ne e kemi të nevojshme këtë liste, në mënyrë që ajo të vihet në mbrojtje nga shteti”,- vazhdon ai. Mungesa e kësaj liste pengon procesin e katalogimit të kësaj pasurie, e cila me kalimin e viteve vjen e humbet në kohë. Sipas specialistëve katalogimi i vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore është një fushë e re në Shqipëri. Ligji “Për trashëgiminë kulturore”, i ndryshuar, parashikon krijimin e Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore, i cili ndër të tjera duhet të shpallë edhe listën tonë të “Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore”, kjo krahas asaj të monumenteve të kulturës materiale, e cila tashmë ekziston prej 60 vjetësh, qysh në vitin 1948. Detyrimet për thellim të mëtejshëm në fushën e katalogimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore rriten pas shpalljes së “Iso-Polifonisë Popullore Shqiptare” si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” nga UNESCO e në mënyrë të veçantë pas ratifikimit që Shqipëria i bëri Konventës së UNESCO-s “Për trashëgiminë shpirtërore” në vitin 2006, ku parashikohet edhe hedhja e hapave konkrete për katalogimin e trashëgimisë shpirtërore. Por nuk është vetëm iso-polifonia, mjaftojmë të kujtojmë Eposin e Kreshnikëve, një nga shtyllat e kulturës gojore shqiptare, apo kabaja, e të tjera krijime që janë trashëguar brez pas brezi, duke përfshirë edhe instrumentet e rrallë, të cilat kanë nevojë të ruhen, të mbrohen e të mos zhduken. Mësojmë se arsyeja pse ky proces ka mbetur në fazën e miratimit të Ligjit, është se Komiteti Kombëtar, nuk ka funksionuar asnjëherë, edhe pse është i përcaktuar në ligj. Por problemi nuk qëndron vetëm në faktin që duhet të kemi me doemos një listë. Nëse kjo pasuri nuk është e kataloguar, atëherë është e vështirë që në emër të tyre të ngrihen projekte, të akordohen fonde nga institucionet e të thithen të tjera nga organizata ndërkombëtare. Në një kohë që paratë duhen me doemos. Pranë instituteve dhe muzeve ekzistojnë shirita të tërë audio, të pasurisë gojore, të cilët ka nevojë të dixhitalizohen, jo vetëm për t’i shpëtuar shkatërrimit, por edhe për të qenë të përdorshëm. Një projekt mjaft i mirë në këtë fushë, nisi dy vjet më parë në Institutin e Kulturës Popullore, në bashkëpunim me Arkivat Austriake, për dixhitalizimin e pasurisë audiovizuale të këtij instituti. Por puna nuk mbyllet këtu, ka shumë materiale të tjera që duhen mbledhur, kataloguar e dixhitalizuar dhe sipas specialistëve kjo bëhet vetëm, kur ke një bazë mbi të cilën duhet të investosh.
Muzetë shqiptarë, hapje virtuale
Më në fund kushdo mund të mësojë më shumë mbi muzetë shqiptarë. Të paktën për ata më të rëndësishmit, të cilët fatmirësisht kanë parë më shumë kujdes nga dora e shtetit dhe i kanë shpëtuar shkatërrimit, siç ka ndodhur me shumë muze në qytete të tjera të Shqipërisë. Muzeu Kombëtar i Krujës, ai Mesjetar Korçës, “Onufri” i Beratit dhe Muzeu Historik Kombëtar, janë përfshirë në një rrjet muzesh, të cilët bashkëpunojnë mes tyre, shkëmbejnë eksperiencë e informacion. Madje kanë edhe një faqe interneti të përbashkët. Në www.cchnet.eu mund të mësohet më shumë mbi muzetë shqiptarë, të cilët deri më tash kanë qenë të mbyllur në hapësirën virtuale. Kjo përmes një projekti në kuadër të INTERREG III A Itali-Shqipëri, ku është e mundur të shihen në versionin e tyre online për herë të parë në disa gjuhë. Qëllimi i projektit “Ruajtja dhe rritja e vlerave e pasurive kulturore”, konsiston në ngritjen e një rrjeti të përhershëm ndërmjet institucioneve, që i përkasin sistemit të Pasurive Kulturore të Puglia-s dhe Shqipërisë, për të krijuar politika efikase për të ruajtur dhe rritur vlerat e Pasurive Kulturore, si dhe për t’i dhënë një impuls rritjes së vlerave të Muzeve pjesëmarrës në këtë projekt, duke riprodhuar vizita dhe ambiente virtuale, duke dixhitalizuar pasuritë muzeale, në mënyrë që mund të vizitohen nëpërmjet internetit nga një publik sa më i gjerë.