E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli, nën akuzat e Kryqit të Kuq

Kryqi i Kuq e akuzoi dje Izraelin për shkeljen e detyrimeve për t‘u ardhur në ndihmë civilëve të plagosur në Rripin e Gazës. Punonjësit e kësaj organizate gjetën katër fëmijë të traumatizuar pranë trupave pa jetë të nënave të vrara nga një sulm ajror në Zeitun. Nga ana e forcave të armatosura izraelite nuk është dhënë ende asnjë përgjigje lidhur me këtë akuzë, por është thënë se po punohet pranë grupeve humanitare në mënyrë që civilët të marrin asistencën e nevojshme.

Ndërkaq, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar veprimet humanitare në Gaza për shkak të rrezikut që paraqesin sulmet e vazhdueshme izraelite. Raportohet se mjekë dhe punonjës të Kryqit të Kuq mblodhën dje edhe 35 trupa pa jetë nga zona në lindje të Gazës, duke e çuar numrin e deritanishëm të viktimave në 765. "UNRWA vendosi të pezullojë të gjitha operacionet e saja në Rripin e Gazës për shkak të rreziqeve të shumta që i kanosen ambienteve dhe stafit të saj", tha Adnan Abu Hasna, një prej zëdhënësve të agjencisë së kombeve të bashkuara, UNRWA (United Nations Relief and Works Agency).

Vendimi erdhi si pasojë e vdekjes së dy operatorëve palestinezë të një autokolone të UNRWA- e goditur nga një predhë topi izraelite. Që të gjitha kolonat që transportonin ndihma humanitare përmes Izraelit u pezulluan menjëherë pas incidentit.

UNRWA po mbështet me furnizime mjekësore dhe ushqimore të paktën 750 mijë banorë të Gazës. Mësohet se aktiviteti i saj do të pezullohet deri "në çastin kur ushtria izraelite të garantojë sigurinë e stafit tonë", tha në Jerusalem zëdhënësi i agjencisë, Kristofer Ganes. Zjarri i armëve izraelite ka goditur dy shkolla të UNRWA duke vrarë më shumë se 45 palestinezë.

Që më 27 dhjetor, ditën e nisjes së sulmit, Të paktën 11 izraelitë janë vrarë gjatë konfliktit, tetë prej të cilëve ushtarakë, përfshi këtu edhe katër të mbetur viktima të armëve të shokëve të tyre.

Izraeli është i bindur të ndalë me çdo kusht sulmet me raketa të ndërmarra nga militantët hamasë kundër qyteteve të tij në kufirin jugor. Kryeministri Ehud Olmert tha se qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është "vendosja e qetësisë", por që nuk është mundur ende të japë rezultatin e duhur. Shtoi se vendimi mbi të ardhmen e operacioneve tona ushtarake "është ende për t‘u marrë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›