E Diel, 1 Nëntor 2026

KOHA IME

Fatmirësisht dëshirat e kureshtitë e mia kanë po ato dimensione që kishin dikur në zgjimet e koshiencës sime, veçse dielli i tyre vjen më pak i zbehtë, jo me atë shkëlqimin e magjishëm që kanë ditët e verës. Në rrugëtimin tim, koha ime është bashkudhëtarja më besnike që më ndjek nga do dhe pse ngandonjëherë rrekem ta shpërfill. Megjithëse në lojën e kapriçove të kota e di fort mirë se ajo është e gjithëpushtetshme mbi mua. E pazëshme në majë të gishtave më ndjek në fshehtësi, sepse e di që unë asaj do t‘i bindem sikur Zotit. Ajo me intuitën e saj të patjetërsueshme më shtyn, më shpon, më ngacmon, më ëmbëlton, më hidhëron, më qetëson, më tërbon, më përplas mbi tapet, më jep dorën e më ngre, më tremb e pastaj më hedh mbi re. Ndërsa unë e ndjej atë hera-herës rreth meje, herë si fllad, herë si stuhi, herë si flluskë ajri e lehtë ndër duar, herë si flluskë avulli në përvëlim. Koha ime troket në tik-takun e orës së madhe varur në mur. Tik-taku i saj nganjëherë më tremb, më trishton, më rikthen vetëm në kujtime, sepse e pafuqishme jam të imagjinoj tik-takun e së nesërmes. Kur natën gjumi më del, tik-taku i saj më ngec në fyt si një lemzë e bezdisur. Ndjej ankth, sikur tik-taku i kohës sime ecën më shpejt se mendimet e mija dhe unë ndihem kaq e brishtë përpara atij ankthi. Por ajo vetëm rreshket në labirintet e trupit tim me ritmin e saj stoik dhe qetësinë universale, duke më thënë: "Jam pranë teje dhe kur ti fle, t‘i lexoj ëndrrat dhe mendimet, ta njoh shpirtin, e di çfarë kërkon dhe çfarë të pret. Duaje tik-takun tim si rrahjet e zemrës tënde. Kur ajo pulson shpejt, dije se atëherë kam hyrë në zemrën tënde e të kam pushtuar si prenë. Vëre dorën pranë saj dhe do të më ndjesh. Duhet të më besosh ‘e marrtë e mira‘ se në këtë botë nuk je vetëm. Jam kudo pranë teje dhe pse asnjëherë s‘më sheh. Ti duhet të më ndjesh siç ndjen aromën e bukës kur piqet, siç ndjen aromën e detit. Atëherë rrugëtimi i yt do të bëhet më i lehtë, më i bukur, më magjepsës dhe unë do ta mbaj mend gjatë rrugëtimin që bëra me ty, sikur një ditë feste".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›