E Diel, 1 Nëntor 2026

Pertej kerkeses per anetaresim ne BE

1.

E deklaroi edhe Presidenti Topi në vizitën e tij që ende vijon në Kosovë. E deklaroi para ca ditësh Kryeministri Berisha, madje duke shtuar se kjo do të ishte një nga prioritet e politikës që në të hyrë të vitit 2009. Në faqen e internetit të qeverisë thuhet se përfaqësueses çeke iu kërkua mendim në lidhje me aplikimin dy ditë të shkuara. Në të vërtetë, i pari që ka shqiptuar domosdoshmërinë e paraqitjes së aplikimit për anëtarësim në BE ka qenë në mënyrë që ka lënë jo pak njerëz të habitur, pikërisht shefi aktual i opozitës, Edi Rama.

Gjatë vitit të shkuar, pas dy kthimeve nga vizitat në Bruksel, ai ka parashtruar as më shumë e as më pak, por kërkesën që qeveria të aplikojë sa më parë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar i Bashkimit Evropian. Ngjan se minimalisht ekziston një mirëkuptim mbarëpolitik në lidhje me proceset e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Pa rënë në teoritë konspirative që tashmë qarkullojnë gjithandej për një marrëveshje të fshehtë Rama-Berisha, gjithkush e gjykon këtë "mirëkuptim" si një shenjë pjekurie dhe vetëdijeje tashmë të pamohueshme evropianiste të klasës sonë politike. Mbetet të analizohen në të vërtetë më me thellësi dy kërkesat e Ramës, pasi duket se është pikërisht ai që e ka iniciuar idenë e një aplikimi të shpejtë për marrjen e këtij statusi. Po me analizën se çdo të thotë politikisht bërja e kësaj kërkese do të merremi më poshtë.

2.

Në të vërtetë, frekuenca e përdorimit të fjalëve Evropë, (i, e, të, së Evropës, ose Bashkimit Evropian); NATO, (i, e, të, së NATO-s); Integrim, (i, e, të, së) integrimit, si dhe i togfjalëshave që kanë në bazë fjalët e lartpërmendura është shumë e lartë për veshët e shqiptarëve dhe ka krijuar tashmë një kakofoni në kufijtë e ndotjes akustike. Më së shpeshti këto deklarime përthyhen në imagjinatën e tyre si begati (kupto: rroga mijëra eurosh, prona pa fund), jetë e lumtur (kupto: diskoteka, ushqim pa limit dhe i cilësisë së lartë, qejfe të pandërprera), heqje vizash (kupto: t‘ia mbathësh nga ky vend sipas parimit tradicional shqiptar: Ku sytë, këmbët!) si dhe një sërë "aktivitetesh" që bashkërendohen me të mësipërmet: droga, bashkëjetesa e lirë, pijet, pulat e fshatit (në kuadër të ushqimit bio, kuptohet) e të tjera si këto.

Pas secilës deklaratë të politikanëve shqiptarë të gjitha sa thashë më sipër janë të nënkuptuara dhe... të mirëpritura, gjithashtu. Ndjesia që krijohet është e ngjashme me ato të demagogëve të të gjithë llojeve që kushedi pse flisnin vetëm për parajsën, për një El Dorado që ishte, ja, prapa kodrës së rrjepur të fshatit. Nuk është e vështirë të kuptohet se regjistri propagandistik "proevropian" mbart në vetvete një sërë recidivash që nuk i kemi pasur dhe nuk i kemi larg. E para është recidiva e komunizmit që u propagandua me këmbëngulje gjatë gjysmës së shekullit që e lamë pas: do të vijë një ditë kur… Vazhdimi i fjalisë, pavarësisht variacioneve të mundshme, tashmë dihet. Rezultati dihet gjithashtu, megjithëse duhet bërë një dallim: pas kësaj propaganda kishte edhe një plan masash (të famshmit plane pesëvjeçare), kishte edhe disa objektiva konkrete, kishte ca projekte "zhvillimi", të cilat në të vërtetë nuk se sollën El Doradon e komunizmit, por varfërinë ekstreme të qytetarëve. Kurse sot kemi një administrim të habitshëm të vendit ku duket se karakteristika kryesore është "tuj pa, tuj ba!", thënë në një gjuhë më pranë asaj të "analizës": një administrim ku voluntarizmi i ka zënë vendin funksionimit normal institucional dhe eficent të strukturave dhe sektorëve të shoqërisë.

Në një "paper" të botuar vetëm para disa ditësh në një organ të rëndësishëm shkencor me reputacion botëror, më kapën sytë frazën: "Një shoqëri ku veprimtaria e institucioneve është harmonizuar në mënyrë të tillë që nuk lënë vend për voluntarizmin, më së shumti viktimë dhe produkt i populizmit politik…". Përthyer në një gjuhë më të thjeshtë bëhet fjalë për një shoqëri funksionale që garanton një zhvillim të shpejtë, të qëndrueshëm dhe harmonik, përthyer edhe më tej: një shoqëri ku gjërat funksionojnë në mënyrë "rutinore", pra kur njeriu i ngratë (qoftë ky "qytetar" apo "fermer", i politikës së re apo të vjetër) e di ku të trokasë për secilin problem, e di kur dhe ku e merr kartën e identitetit, vërtetimin e pronës dhe di gjithashtu se si "kap" një vend pune në administratën shtetërore, se si mund të mbrohet në vazhdim nga abuzivizmi i pronarit, shefit të radhës, e kështu me radhë.

E megjithatë duket se klasa politike shqiptare është në një mendje në lidhje me domosdoshmërinë e aplikimit të Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së.

3.

Në këtë vendimmarrje duket se përveç sa thamë më sipër, janë anashkaluar edhe një sërë "indiciesh" sikundër janë dukuria e të ashtuquajturit "enlargement fatigue" (lodhje nga zgjerimi, paaftësi e absorbimit dhe harmonizimit të funksionimit të Evropës së Bashkuar pas zgjerimit të fundit), por edhe një interes rajonal për integrim, pavarësisht "shpejtësive" të ndryshme të vendeve të rajonit, i cili më së shpeshti thirret: Ballkani Perëndimor. Tashmë për shumëkënd është e kuptueshme që për të gjithë rajonin do të ketë një mekanizëm tërheqës të përbashkët, çka nënkupton se institucionet përgjegjëse evropiane, të pandikuara nga emocionet tona nacionaliste, e shohin të ardhmen e krejt rajonit si një i gjithi në të njëjtën familje, në atë evropiane.

Thënë me fjalë më të thjeshta, kjo do të thotë se të gjithë duhet "të presim" njëri-tjetrin në këtë proces integrimi. E, nëse dëshiron që kjo pritje të jetë sa më e shkurtër, kjo do të thotë se minimalisht nuk mund të gëzohesh për "prapambetjen" e fqinjit, e maksimalisht do të thotë që ta "ndihmosh" fqinjin që të mos mbetet pas. Ky këndvështrim më së shumti i shërben doemos qarqeve shovene dhe nacionaliste në Serbi, atyre që kanë shpallur tashmë "reshuffling" (riaxhustimin) e Bosnjë-Hercegovinës, por jashtë tij nuk mund të mbeten edhe qarqet apo shfaqjet sporadike të primitivizmit shqiptar i cili, më së shumti, të gjitha problemet e pazgjidhura të vetes ua delegon automatikisht fqinjëve që janë vetëm "të poshtër", "të këqij", "hilanjozë", "pa rrënjë historike" dhe domosdo edhe "primitivë" e "të paaftë" e për pasojë "të padenjë" për t‘u bashkuar me Evropën e Bashkuar. Me ne ca më pak.

Megjithatë lidershipi politik shqiptar, ose nuk i di vërtet këto, ose shtiret sikur nuk i di dhe vazhdon ta (keq)përdorë retorikën "evropianiste" për qëllime të spekulimeve elektorale, ca më shumë karakteristike për vite elektorale si ky në të cilin sapo kemi hyrë.

4.

Me interes është të gjykohet në këtë procedim qëndrimi i shefit aktual të opozitës, Edi Rama. Sikundër e thamë në krye, ishte ai që i propozoi dy herë rresht qeverisë që të aplikojë për këtë status të ri të Shqipërisë, madje shumë më herët se këtë ta bënte vetë Berisha. Ashtu siç e ka bërë zakon, Rama nuk e gjykoi të arsyeshme të japë shpjegimet se përse lipsej të bëhej ky aplikim. Madje më shumë se sa kaq: nëse do t‘u besohej deklaratave të herëpashershme të po këtij Edi Rame që këmbëngulin për paaftësinë e qeverisjes, del që kërkesa e tij është e mbështetur te besimi se në BE mund të futesh paradoksalisht, pikërisht për shkak të keqqeverisjes. Arsyetimi i dytë që mund ta ketë shtyrë Ramën në këtë deklarim është një frikë e pakuptueshme se mos ai merr padrejtësisht ngarkesat e një lideri "antievropianist". Arsyetimi i tretë, që shpresojmë të jetë i vërteti, është logjika e shëndoshë sipas së cilës me çdo hap afrimi me strukturat evropiane, "mbikëqyrja" e tyre ndaj ecurisë dhe fuqizimit të demokracisë do të jetë më e afërt, për pasojë spekulimet e pretenduara të qeverisë me pushtetin do të jenë domosdoshmërisht ku e ku më të pakta, në mos të pamundura.

Megjithatë, qoftë edhe në kuadër të një analize të thjeshtë si kjo në fjalë, gjithkush e kupton se një opozitë e përgjegjshme, para se të parashtronte kërkesën për aplikim, do të lipsej që t‘i vendoste qeverisë të paktën tre apo katër kushte reformash që janë në themel të ngrehinës së shtetit të së drejtës, sikundër janë: zgjidhja përfundimtare e problemeve të regjistrit civil, të atyre të titujve të pronësisë, të stabilitetit të një administrate publike të qëndrueshme e profesionale, të instalimit të një drejtësie që u afrohet standardeve evropiane… Dhe atëherë do të ishte e këshillueshme që edhe t‘i ofronte bashkëpunimin e tij të plotë e pa hile bizantine. E, kjo do të shmangte edhe hijet e një dyshimi në rritje në lidhje me një aferë të papastër bashkëpunimi mes Berishës edhe Ramës vetë. Vetëm ky qëndrim i qartë proreformë evropianiste do t‘i lipsej Shqipërisë, qeverisjes së vendit dhe qeverisë vetë, pse jo.

Sidoqoftë, tashmë erdhëm në këtë prag. Reformat i kemi përpara. Deklaratat mbajnë gjithnjë e më shumë erë retorikë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›