E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli paralajmëron luftë të dhimbshme e të gjatë

 

Lufta mes Izraelit dhe Palestinës po bëhet gjithnjë e më e ashpër ndërsa izraelitët vazhdojnë bombardimet e pandërprera në territorin e Rripit të Gazës ndërsa Hamasët e Palestinës hedhin vazhdimisht raketa në territorin izraelit, megjithëse në një luftë me disproporcion forcash dhe armësh. Të paktën 280 persona kanë humbur jetën deri tani dhe mbi 650 të tjerë janë plagosur. Këshilli i Sigurimit i ka kërkuar Izraelit dhe grupit radikal islamik Hamas të ndërpresë menjëherë luftimet në Rripin e Gazës. 15 anëtarët e instancës më të rëndësishme të OKB-së në Nju Jork, në një deklaratë jo të detyrueshme, bëjnë thirrje për ndërprerjen e çdo forme të dhunës. Qeveria egjiptiane u shpreh e gatshme të ndërmjetësojë mes Hamasve dhe Izraelit. Por qeveria izraelite ka miratuar mobilizimin e rezervistëve veç ushtrisë, rreth 6500 të armatosur, teksa forcat ushtarake vazhdojnë sulmin në Rripin e Gazës. “Ushtria është e gatshme”, tha Ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, pas një mbledhjeje të kabinetit izraelit në Jeruzalem dhe dha urdhrin për mobilizimin e 6500 rekrutëve. Ushtria izraelite, sipas të dhënave të saj, ka sulmuar rreth 230 objekte të Hamasve në Rripin e Gazës. Ndërhyrja e këmbësorisë do të bëhet nëse sulmet e deritanishme nga ajri nuk arrijnë të ndalin goditjet me raketa të militantëve palestinezë (Hamasit) në territorin e Izraelit. Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, kryeministri Ehud Olmert, thuhet t’i ketë paralajmëruar kolegët e tij për luftime të gjata, të dhimbshme dhe të vështira. Në Gaza, aeroplanët izraelitë kanë goditur kompleksin kryesor të sigurisë, qendrën e kanalit televiziv të kontrolluar nga Hamas-i dhe një xhami.  Palestinezët kanë hapur kufirin me Egjiptin dhe në përpjekje për t’i shpëtuar bombardimeve izraelite kanë hapur një udhë kalimi gjatë kufirit me Egjiptin. Ata kanë arritur të kalojnë murin e kufirit dhe zonën e Sinait, në Rafah, me gjithë kundërshtimin aktiv të rojave të kufirit egjiptian. Sipas burimeve lokale, në murin e kufirit mes Egjiptit dhe Palestinës janë mbledhur mbi një milion njerëz të vendosur për të kaluar në Egjipt.

“Fajin për dhunën e ka Hamasi”
Presidenti palestinez, Mahmud Abaz tha se fajin kryesor për shkallëzimin e dhunës deri në këtë gjendje në Gaza e kanë radikalët e Hamasit. Pas takimit në Kajro me presidentin e Egjiptit, Husni Mubarak, Abazi deklaroi se “Ne kemi folur disa herë me udhëheqjen e Hamasit dhe kemi qenë shumë, shumë të qartë. U jemi lutur që të mos i japin fund armëpushimit me Izraelin, por ta zgjasin atë. Të gjitha këto mund t’i kishim shmangur”, tha Abbas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›