E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, 3.5 milionë euro për të pastrehët e Durrësit

29/12/2008  Do të ngrihen 140 apartamente pranë ujësjellës-kanalizimeve, pranë unazës së re

DURRES- Të pastrehët e Durrësit do të përfitojnë tjetër fond për ndërtimin e apartamenteve të tjera në kuadër të politikës së Qeverisë për të zbutur numrin e madh të familjeve në pritje. Me ritmet e ecura deri më tani Durrësi që ka në listën e të pastrehëve 6200 familje, mund t’i japë zgjidhje çështjes së strehimit vetëm pas ‘90 viteve, gjithnjë duke mos marrë në konsideratë asnjë kërkesë shtesë. Kjo duket se ka shtytur Qeverinë të kërkojë burime të ndryshme në gjetjen e fondeve. Në Bashkinë e Durrësit është thënë se një fond i konsideruar është afruar nga Këshilli i Evropës dhe që do të përdoret enkas për ndërtimin e pallateve për të pastrehët. Janë 3.5 milionë euro që i janë ofruar vetëm qytetit bregdetar në kuadër të projektit të ndërmarrë për 6 bashkitë më të mëdha në vendin tonë.

Fondi

Në janar të vitit 2009-s Bashkia e Durrësit pritet të organizojë tenderin për zbatimin e projektit që ka të bëjë me fillimin e punimeve për të ndërtuar pallate për të pastrehët e qytetit. Fondi 3.5 milionë euro është deklaruar se do të afrohet nga Këshilli i Evropës për kategorinë e familjeve, të cilët nuk kanë asnjë mundësi për të blerë apartamente. Një pjesë e tyre jetojnë prej disa vitesh me qira, kurse 2200 familje kanë zënë objekte të ish-pronarëve. Në dosjen e të pastrehëve janë të regjistruar plot 6250 familje, por ecuria e ndërtimit të banesave me fonde të bashkisë dhe të Entit Kombëtar ka ecur me ritme tepër të ngadalta. Në të tillë kushte është ofruar edhe kredia e KE-së dhe që me fillimin e vitit të ardhshëm do të shërbejë në ndërtimin e disa pallateve. Departamenti i urbanistikës në bashki është shprehur se në hyrje të qytetit të Durrësit është gjetur sheshi që do të shërbejë për ndërtimin e kompleksit të pallateve. Konkretisht toka truall është piketuar të jetë pranë ujësjellës-kanalizimeve, në anë të unazës së re të qytetit. Ndonëse nuk janë dhënë shumë detaje është mësuar se 10 mijë m2 do të jetë sipërfaqja që do të rrethohet për këtë qëllim. Ky fond do të shërbejë për të ndërtuar 140 apartamente të reja. Tenderi është folur se do të realizohet në janar, kohë që pritet të nisë edhe shpërndarja e 48 apartamenteve të përfunduara së ndërtuari. Përfituesit do të marrin këto banesa me qira, e cila do të variojë nga 5 mijë lekë deri në 7 mijë lekë, në varësi të sipërfaqes së apartamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›