Shqiptarët akuzojnë serbët për pastrim etnik
Shqiptarët e Preshevës kanë hedhur akuza kundër autoriteteve serbe se me veprimet e fundit duket se kanë nisur një fushatë të pastrimit etnik. Liderët e subjekteve politike shqiptare të dala nga lufta, në Luginën e Preshevës deklarojnë se forcat speciale serbe kanë arrestuar shqiptarë që nuk i përkisnin asnjë formacioni ushtarak dhe se ministri serb i punëve të brendshme Daçiç me këto arrestime po e çon në vend amanetin e kryetarit të tij për pastrim etnik të shqiptarëve. Pas arrestimeve në Preshevë në orët e pasdites u zhvillua një protestë gjithë popullore e shqiptarëve të Luginës. Lideri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Orhan Rexhepi ka deklaruar se nga dhjetë shqiptarët e arrestuar nga xhandarmeria serbe në Preshevë, gjysma prej tyre nuk kanë qenë pjesëtarë të asnjë formacioni ushtarak të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe se të njëjtit kanë qenë vetëm anëtarë dhe simpatizantë të subjektit të LKSH-së. Për tejkalimin e kësaj gjendje të vështirë shqiptarët mendojnë se duhet të thirret Kuvendi Kombëtar i Shqiptarëve të Luginës dhe qartazi të thuhet se problemi i shqiptarëve të Luginës ende nuk është i zgjidhur. Kurse të gjitha subjektet politike të tjera të Luginës së Preshevës, kanë deklaruar se me këto arrestime po cenohet amnistia ndaj ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe po kamuflohet kriza politike që ka kapluar Beogradin, dhe se aksioni i burgosjeve, po e nxitë edhe më tepër shpërnguljen e shqiptarëve, sidomos të ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe familjeve të tyre. Kurse, për sot, në orët e pas ditës, është paralajmëruar që në Preshevës të mbahet një protestë gjithë popullore e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me rastin e arrestimit të 10 shqiptarëve nga pushteti serb.