E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja për drogën, zhduken kamerat

 

Dashamir Biçaku

Autorët e vrasjes së Elton Deliut bashkë me nënën e tij, kanë zhdukur pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së pallatit ku jetonte 32-vjeçari i skeduar në trafik narkotikësh.I gjithë sistemi i cili mësohet se ishte instaluar një javë më parë në pallat nga vetë viktima, është gjetur i dëmtuar ndërsa kasetat e regjistrimeve janë zhdukur gjatë ndërhyrjes së vrasësve në kutinë që ndodhej brenda apartamentit të Elton Deliut ku ndodhi edhe vrasja e tij. Një fakt i tillë u zbulua pas verifikimeve në kutinë e komandës së kamerave ku ishin vjedhur disqet që regjistronin filmimet e marra nga kemarat që ishin vendosur në hyrje të pallatit, në garazh, në korridor dhe tek dera e shtëpisë së familjes Deliu. Mekanizmi i vrasjes i cili po hetohet nga policia është se autorët mund të jenë më tepër se dy persona, të cilët kanë kryer krimin e rëndë në familjen Deliu në bashkëpunim mes tyre. Ekspertët dhe specialistët e hetimit kanë gjetur një rrëmujë totale në banesën e viktimave, ndërsa kriminalistët, mjekët ligjorë dhe hetuesit në vendin e ngjarjes kanë gjetur gjurmë të shumta gishtërinjsh dhe shenja të tjera. Rrëmuja e krijuar në banesë është argumentuar me faktin se autorët kanë kërkuar të gjejnë vendin se ku ishte instaluar qendra e regjistrimit të kamerave vëzhguese. Instalimi i një sistemi të tillë sigurie nga viktima është bërë shkak që policia të dyshojë se Elton Deliu e kishte ndjerë rrezikun dhe kishte marrë masa të forta mbrojtëse. Gjurmët e gjetura në rrëmujën e krijuar, janë administruar nëpërmjet proces-verbaleve përkatëse të ekspertëve. Ndërkaq sipas burimeve të policisë autorët ende të paidentifikuar të ngjarjes, kanë hyrë në banesën e familjes Deliu, duke trokitur ose duke përdorur çelësa të kopjuar. Madje nuk përjashtohet mundësia që personat të kenë qenë të njohur në familjen e viktimës. Ata kanë hyrë në banesë dhe aty kanë vrarë nënën e Elton Deliut, Flutura Deliun, 52 vjeçe. Më pas ekzekutorët kanë qëndruar në shtëpi deri sa aty ka mbërritur Elton Deliu, 32 vjeç. Pasi ai ka hyrë në banesë autorët kanë qëlluar atë duke e lënë të vdekur në vend. Më pas autorët janë munduar të largohen qetësisht pa rënë në sytë e banorëve të pallatit apo të njerëzve që mund të lëviznin në shkallë apo në ashensor. Kjo me qëllim që të kishte sa më pak dëshmitarë apo persona që t’i shihnin ata duke qarkulluar. Diferenca kohore në vdekjen e dy viktimave të ngjarjes është konfirmuar nga mjekët ligjorë që realizuan autopsinë.  
Hetimet
Hetimi i vrasjes e dyfishtë ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Perlat Rexhepi”, në kryeqytet, ka bërë që policia të kërkojë dëshmi nga më tepër se 20 persona gjatë ditës së djeshme. Ata janë marrë në pyetje nga policia në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e të shtunës në katin e gjashtë të një pallati pranë presidencës. Personat e marrë në pyetje mësohet se janë njerëz të njohur të viktimës, si dhe njerëz me të cilët ai ka pasur konflikte dhe përplasje. Po kështu sipas burimeve të policisë, hetuesit e Zyrës së Vrasjeve të Drejtorisë së Tiranës kanë marrë dëshmi edhe të të njohurve të Elton Deliut.

Deliu i shpëtoi atentatit në 1998,
miku i tij vdiq në makinën e qëlluar
TIRANE- Elton Deliu i ka shpëtuar vrasjes në disa raste, ndërsa atentati më i rrezikshëm ka qenë ai i vitit 1998. Në atë kohë, miku i Elton Deliut, Ilir Mëzezi, mbeti i vrarë, ndërsa 32-vjeçari u plagos pas një sulmi të organizuar ndaj tyre me armë zjarri. Një tjetër atentat ndaj Elton Deliut është ai i vitit 2005, kur viktima u sulmua me armë nga disa persona. Ngjarja e parë sipas burimeve të policisë ka ndodhur në mesin e vitit 1998, kur persona të paidentifikuar në atë kohë qëlluan në automjetin në pronësi të tij, Ilir Mëzezin, duke e lënë atë të vdekur në vend. Mëzezi me banim në Kombinat, sipas policisë dyshohej se ishte vrarë me motive hakmarrjeje. Veç tij nga ngjarja mbeti i plagosur rëndë edhe vetë Elton Deliu, në atë kohë 22-vjeçar. Pas atentatit Deliu mbërriti në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin ushtarak, ku pas mjekimit të marrë gjendja e tij u përmirësua. Nga hetimi i kryer nga policia në atë kohë u ngrit dyshimi se vrasja mund të ketë ndodhur me qëllim të larjes së hesapeve. Shumë kohë pas atentatit, Elton Deliu mësohet se u largua nga vendi në drejtim të Italisë, ku ka qëndruar disa vite, ndërsa në vitin 2005, ndaj tij një grup prej katër personash organizuan një atentat me armë zjarri. Ata qëlluan në drejtim të automjetit të tij të markës “BMË”, në rrugën “Ramazan Shijaku”. Për fatin e tij, Elton Deliu shpëtoi edhe këtë herë pa dëmtime. Disa muaj më vonë policia arrestoi fillimisht dy prej të dyshuarve dhe disa kohë më pas në Kavajë u kapën të tjerët.

Ceremonia familjare
Dje në mesditë, familja dhe të afërmit e Elton dhe Flutura Deliut, i kanë dhënë lamtumirën njerëzve të tyre të afërt. Kjo nuk qe fatkeqësia e parë për këtë familje, që mësohet se kishte pasur edhe të tjera më parë. Dje të afërmit kanë pritur ngushëllimet në Yrshek pranë hotel “Eifel”, ndërsa trupat e nënë e bir, janë dërguar për t’u prehur në varrezat e Tufinës.

Precedentët me konfliktet e pronësisë
TIRANE - Përveç konflikteve për prishje të pazareve të drogës dhe përfshirje në krime të tjera, policia po heton edhe versionin e konflikteve të pronësisë mes Elton Deliut dhe banorëve vendas të zonës së Kasharit. Një pjesë e mirë e këtyre të fundit kanë qenë të dëmtuar në skandalin e manipulimit dhe grabitjes së trojeve në këtë zonë, nga ish-krerët e komunës që prej vitit 1996. Një prej krerëve të komunës që ka qenë i përfshirë në skandalin e manipulimit dhe falsifikimit të akteve të pronësisë ka qenë edhe Faik Fejza. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, është pandehur i lidhur në arrest se është përfshirë në këtë histori si një prej organizatorëve të manipulimeve, bashkë me disa nga krerët e komunës ndër vite. Policia dyshon se një prej personave që kanë përfituar nga kjo aferë ka qenë edhe Elton Deliu, 32-vjeçari i vrarë të shtunën e javës së kaluar. Tashmë policia ka administruar në dosjet e saj hetimore fashikuj të kësaj historie, me qëllim zbardhjen e një konflikti të mundshëm që mund të ketë precipituar deri në këtë situatë. Edhe pse është një nga pistat e hetimit që policia ka shtruar mbi tavolinën e saj, konflikti për motive pronësie duket më pak i mundshmi në vijën e hetimit që policia ka verifikuar deri më tani. Edhe pse është më pak i mundshmi, policia po ecën me teorinë e përjashtimit, duke verifikuar dhe përjashtuar fillimisht pistat më pak të mundshme deri në mbërritjen tek versioni më i mundshëm i krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›