Nishani: Jemi pranë zbardhjes së atentateve mafioze
Trazhgim Sokolaj
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, është zyrtari më i lartë që konfirmon faktin se policia shqiptare ndodhet pranë zbulimit të autorëve për disa krime të konsideruara mafioze që kanë tronditur vendin në 10-vjeçarin e fundit. Kreu i dikasterit të Brendshëm pa dashur të komentojë hetimet që po zhvillohen nga strukturat e policisë, konfirmon se është i informuar se “struktura e hetimit të krimeve të rënda ndodhet pranë zgjidhjes për disa ngjarje të vjetra të konsideruara si “mafioze”. “Kjo ka kërkuar një punë shumë profesionale pasi shumë prova ishin zhdukur. Besoj se kjo punë do të vazhdojë më shumë rezultate të pritshme”, komenton Ministri i Brendshëm. Ai duket se qëndron në të njëjtën linjë me Kryeministrin Berisha, i cili pak ditë më parë, në analizën vjetore të policisë së shtetit për vitin 2008, theksoi faktin se provat e disa krimeve të vjetra janë zhdukur duke kërkuar që organet e rendit të punojnë në drejtim të zbardhjes së këtyre krimeve të rënda. Ndërkaq pak kohë më parë, Drejtori i Departamentit të Hetimit në Policinë e Shtetit, Agron Kuliqi, ka konfirmuar se policia është duke rihetuar vrasjen e biznesmenëve Florian Vila e Vajdin Lamaj, atentatin ndaj avokatit të njohur Kleanthi Koçi si dhe disa vrasje me pagesë të ndodhura në qytetin e Korçës. Duke kaluar nga deklarimet mediatike në trajtimin e kësaj çështje në rrugë institucionale, kreu i hetimit në polici shfrytëzoi analizën e Drejtorisë së Tiranës për vitin 2008, për të kërkuar nga trupa policore më shumë angazhim dhe vëmendje në drejtim të rihapjes, hetimit dhe zbardhjes së dosjeve të krimeve të vjetra të mbetura pa autorë. Policia mësohet se është në fazën e dokumentimit të provave të reja dhe dëshmive që hedhin dritë mbi krimet pa autorë, ndërsa për disa prej tyre, dosjet e kompletuara me fakte të reja janë referuar në Prokurori për aktin formal të rihapjes së hetimeve, në mënyrë që më pas të veprohet konkretisht me zgjidhjen e këtyre krimeve enigmatike. Shënjestra e tyre në shumicën e rasteve kanë qenë biznesmenë të suksesshëm si bosi i hekurit Florian Vila, ish-presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Vajdin Lamaj, apo avokati i njohur Kleanthi Koçi si dhe biznesmenë të tjerë të fuqishëm si Koço Dado.
Florian Vila
Prej kohës kur biznesmeni i suksesshëm i hekurit u ekzekutua para portës së shtëpisë së tij në rrugën e Durrësit në Tiranë, dosja e vrasjes së Florian Vilës, ka qenë një çështje e komplikuar dhe pa zgjidhje për policinë. Tregtari i hekurit u ekzekutua më 9 prill 2003, para derës së shtëpisë së tij. Policia ka hetuar në pistën, sipas të cilës 28-vjeçari mund të jetë ekzekutuar për shkak të konkurrencës në biznes, megjithatë autorët kanë mbetur të pazbuluar
Vajdin Lamaj
Ekzekutimi i ish-presidentit të Federatës së Boksit, Vajdin Lamaj, është një tjetër çështje e pa zgjidhur ende nga organet e drejtësisë. Biznesmeni i njohur u ekzekutua më 28 shkurt 2005, nga shpërthimi i një sasie eksplozivi të vendosur në ashensorin e pallatit pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Si pasojë e eksplozionit, mbeti i vdekur edhe miku i Lamajt, biznesmeni Artan Arsi nga Shkodra. Kreu i Federatës së Boksit, Vajdin Lamaj, kishte mbetur i plagosur gjatë një atentati në tetor të vitit 2004.
Kleanthi Koçi
Ekzekutimi i ish-kreut të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Kleanthi Koçi, është një ngjarje, dosja e të cilës është tentuar të hapet disa herë por pa rezultat. Kësaj radhe, zyrtarët e lartë të policisë së shtetit e kanë renditur vrasjen e Kleanthi Koçit, të ndodhur më 21 shkurt 1999 si një nga krimet e vjetra që do të zbardhet së shpejti. Prej kohës kur ndodhi krimi, provat e kësaj ngjarje janë marrë në shqyrtim nga disa sektorë të ndryshëm të policisë sipas pistave hetimore të ngritura, por autorët e ngjarjes kanë mbetur mister.
“Dokumentet elektronike të detyrueshme në vitin 2009"
Trazhgim Sokolaj
Kartat elektronike të identitetit do të jenë dokumente të domosdoshme për çdo qytetar shqiptar në moshën mbi 18 vjeç. Dokumenti që do të fillojë të shpërndahet për qytetarët në fillim të vitit të ardhshëm, konsiderohet si çelësi që hap dyert e institucioneve në raport me qytetarin. Një fakt i tillë konfirmohet nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai thekson se dikasteri i drejtuar prej tij është duke përgatitur projektin për vendimin e Qeverisë, me anë të të cilit kartat e identitetit do të kthehen në një dokument unik dhe të domosdoshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë. Më tepër se sanksionet penguese, sipas ministrit të Brendshëm, do të jenë lehtësirat që u krijohen qytetarëve të pajisur me karta identiteti, ato që do të shërbejnë për të nxitur pajisjen e të gjithëve me një dokument të tillë. “Ky akt do të parashikojë si të detyrueshëm për çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç të mbajë letërnjoftimin për të identifikuar veten në çdo kontroll që mund të qëllojë që të kryejë policia”, shprehet ministri i Brendshëm, Nishani, në intervistë, duke komentuar vendimin e pritshëm të Qeverisë. Një vendim i cili duket se do të përcaktojë se qytetarët nuk mund të pajisen me pasaportë udhëtimi për jashtë shtetit, nëse më parë nuk kanë tërhequr kartën elektronike të identitetit. Kreu i dikasterit të Brendshëm komentoi edhe ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave, duke konfirmuar se treguesit e kriminalitetit në Shqipëri janë në nivelin e vendeve të BE-së. Ministri tha se shumë ngjarje kriminale të konsideruara si mafioze dhe ende të pazbardhura, janë pranë zbulimit dhe dokumentimit nga policia, ndërsa pohoi së pala shqiptare është e gatshme të veprojë lidhur me shqiptarët e kërkuar në Itali, sapo institucionet e këtij vendi të ratifikojnë marrëveshjen e përbashkët, e cila nga ana e Shqipërisë është formalizuar tashmë.
Keni deklaruar se në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojë shpërndarja e kartave të identitetit për qytetarët, do të ketë një formulë që në njëfarë mënyre do t’i detyrojë shtetasit të pajisen me këtë dokument, bëhet fjalë për penalitete, ndëshkime apo lehtësira që mund t’i krijohen personave të pajisur me karta identiteti?
Natyrisht që do të ketë një procedurë, e cila do të nxisë dhe do të krijojë lehtësitë e domosdoshme për qytetarët që të aplikojnë dhe pajisen me dokumentet e identitetit. Ne po përgatisim një vendim qeverie, i cili do të parashikojë këtë procedurë.
Çfarë efekti konkret do të ketë ky vendim te qytetarët?
Ky akt do të parashikojë si të detyrueshëm për çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç të mbajë letërnjoftimin për të identifikuar veten në çdo kontroll që mund të qëllojë që të kryejë policia. Letërnjoftimi elektronik do të ketë veç të tjerave edhe numrin personal të çdo qytetari. Nëse nuk e keni këtë numër personal, atëherë ju nuk mund të tërhiqni pagën tuaj nga bankat, nuk mund të tërhiqni pensionet tuaja, nuk mund të merrni ndihmën ekonomike, nuk mund të kryeni asnjë transaksion bankar, asnjë shitje, blerje apo regjistrim prone, nuk mund të keni pasaportën për udhëtim jashtë vendit, nuk mund të regjistroheni në shkollë apo universitet, nuk përfitoni sigurimet shoqërore apo shëndetësore dhe kështu shërbime të tjera publike. Kjo, sepse numri personal është unik për secilin dhe pa të askush nuk garanton sigurinë e identitetit të tij përballë institucioneve ku kërkohet shërbimi.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha pak kohë më parë në një intervistë për BBC, se kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, si dokumente që ofrojnë më shumë siguri dhe seriozitet, do të kenë impakt direkt në liberalizimin e vizave, “por kjo varet nga aftësitë e ministrit të Brendshëm për të lobuar me homologët e tij të vendeve të Bashkimit Europian”, çfarë është bërë në këtë drejtim, a ka një fushatë lobimi aktualisht?
Pa dyshim që letërnjoftimi elektronik dhe mbi të gjitha pasaporta biometrike janë një avantazh i madh për procesin e liberalizimit të vizave. Natyrisht që edhe procesi i lobimit ka rëndësinë e vet dhe në këtë aspekt ne duke kërkuar edhe mbështetjen e Ministrisë së Jashtme do të bëjmë përpjekjet maksimale. Është e vërtetë se në tërësi në qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian, ministrat e Brendshëm janë më skeptikët dhe më të ngurtët në dhënien e miratimit për të liberalizuar vizat për vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Kjo ka të bëjë me shqetësimin e tyre për të kontrolluar kriminalitetin që mund të përfitojë nga kjo lëvizje e lirë. Por në këtë aspekt kanë shumë rëndësi standardet që ne arrijmë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, kontrollin e kufijve si dhe bashkëpunimin me Interpolin dhe Europolin. Pikërisht në të gjitha këto ne kemi arritur standarde shumë të larta. Kështu sot në Shqipëri niveli i kriminalitetit është në standardet që është në vendet e tjera të BE-së, madje shumë më i ulët dhe i kontrolluar se në disa prej vendeve të BE-së. Kështu mund t’ju them se numri i vrasjeve është në masën 2.4 vrasje për 100 mijë banorë, ndërsa në vendet e BE-së është 2.5 për 100 mijë banorë. Por sa i takon zbulueshmërisë ne e kemi shumë më të lartë, gati 95%. Grupet ndërkombëtare të trafikimit të drogës po e përdorin gjithnjë e më pak territorin shqiptar për tranzitimin e saj, kjo për shkak të goditjeve të forta që kanë marrë ata. Kufijtë e Shqipërisë tashmë janë të kontrolluar me të gjitha mjetet e sofistikuara që janë edhe në pikat kufitare të vendeve të BE, duke filluar që nga sistemet elektronike të informacionit e deri tek dylbitë termike për vëzhgim natën. Pra, duke arritur së pari këto standarde, ne do ta kemi më të lehtë të gjithë procesin.
Raportet e organizmave ndërkombëtare theksojnë se me gjithë përparimet e bëra, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten sfidat kryesore të policisë shqiptare, madje edhe më gjerë, të organeve të drejtësisë dhe gjyqësorit, çfarë bilanci keni ju për këtë duke qenë se jemi në mbyllje të këtij viti dhe besoj, analizat vjetore të punës në dikasterin tuaj, nuk kanë munguar në këtë aspekt?
Natyrisht që lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit mbeten sfida të përhershme. Sot nuk di të ketë ndonjë vend që të mos e ketë këtë prioritet. Natyrisht që ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje. Ajo që do të jetë prioriteti ynë madhor në këtë fushë është beteja ndaj krimit ekonomik. Jemi duke punuar ngushtësisht me të gjithë institucionet përkatëse në kontrollin e fenomenit të pastrimit të parave dhe aseteve të përfituara nga ekonomia kriminale. Ka një shqetësim në mesin e profesionistëve të policisë, që shpeshherë statistikat reale të arritjeve në luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut të drogës nuk mbërrijnë në mënyrë korrekte pranë instrumenteve të vlerësimit të organizmave ndërkombëtare. Kjo së pari është përgjegjësi e strukturave tona, të cilat nuk përmbushin siç duhet detyrën e tyre të komunikimit. Kjo është tashmë një nga çështjet që unë po e ndjek me shumë vëmendje dhe nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj atyre zyrtarëve që nuk përmbushin detyrimet e tyre.
Është bërë e ditur se policia ka rihapur dosjet e disa ngjarjeve të bujshme të mbetura pa autorë gjatë 10-vjeçarit të fundit, kemi përcjellë në mënyrë të vazhdueshme raste të zbardhjes së dhjetëra krimeve të vjetra gjatë këtyre 3 viteve të fundit, por a ka një specifikë rihetimi dhe zbardhja e atyre ngjarjeve që publikisht janë konsideruar si “krime mafioze”, është fjala për vrasjet e disa biznesmenëve dhe figurave publike të cilat ende janë të pa zbardhura?
Me sa jam i informuar struktura e hetimit të krimeve të rënda ka disa ngjarje të vjetra të konsideruara si “mafioze” shumë pranë zbardhjes. Kjo ka kërkuar një punë shumë profesionale, pasi shumë prova ishin zhdukur. Besoj se kjo punë do të vazhdojë më shumë rezultate të pritshme.
A ka një ridimensionim të marrëdhënieve të policisë me Prokurorinë në këtë drejtim, më parë ka pasur akuza publike se Prokuroria nuk ka vlerësuar objektivisht çështje të referuara nga policia?
Besoj se marrëdhëniet me Prokurorinë janë shumë të mira. Ky bashkëpunim ka sjellë edhe rezultatet që janë arritur në luftën ndaj krimit. Ka një handikap përsa i takon procesit të hetimit, ku policia ka shumë kufizime dhe pengesa ligjore kryesisht në ligjin për policinë gjyqësore. Unë së bashku me Prokuroren e Përgjithshme duke qenë koshientë për këto pamundësi ligjore të policisë, kemi hartuar një udhëzim të përbashkët për t’i dhënë hapësirën e duhur policisë në procesin e hetimit. Por ky udhëzim duket se nuk ka pasur sukses për vetë faktin se udhëzimi nuk ka fuqinë e një akti ligjor. Besoj se një ligj i ri për Policinë Gjyqësore, i cili do t’i japë kompetenca të plota policisë për të kryer hetimet e plota do të mundësojë tejkalimin e pengesave dhe do t’i heqë mundësinë çdo krimineli për të shpëtuar nga goditja e ligjit për atë që meriton.
Këtë vit ju arritët implementimin e Ligjit të Ri për Policinë e Shtetit, ligjin për Gradat dhe për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, këto ishin iniciativa ligjore që u debatuan gjatë, cili është vlerësimi juaj për rezultatet konkrete që sollën këto reforma për të cilat dikasteri që ju drejtoni tregoi vendosmëri të dukshme?
Janë ligje dhe akte nënligjore komplementare me njëra-tjetrën.
Ligji për Policinë e Shtetit solli një standard të ri të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të kësaj strukture, duke hequr çdo mundësi të ndikimit të pushtetit politik mbi vendimmarrjen dhe veprimtarinë operacionale të saj. Gradat ndërtuan për herë të parë një hierarki reale që krijohet vetëm mbi meritën. Pavarësia operacionale e policisë kontrollohet për bazueshmërinë e saj ligjore nga ushtrimi i veprimtarisë së SHKB-së. Pra, kemi një organizim dhe veprimtari funksionale që rregullohet dhe komandohet vetëm nga mekanizmi ligjor.
Z.ministër, zyrtarët italianë sa herë që vizitojnë Tiranën, pranojnë se trafiku i drogës apo klandestinëve nga deti, nuk është më problem, por kritikojnë faktin se në Shqipëri, sipas të dhënave, qëndrojnë ndoshta 250 persona të kërkuar nga drejtësia italiane që nuk arrestohen për mungesë të marrëveshjeve në këtë fushë, pak kohë më parë Ministria e Drejtësisë tha se po punohet për një marrëveshje të përbashkët me Italinë, çfarë është bërë në këtë drejtim, cili është roli i Ministrisë së Brendshme në këtë proces?
Marrëveshja midis dy qeverive është nënshkruar. Parlamenti ynë e ka ratifikuar. Presim ratifikimin nga Parlamenti italian dhe ne jemi gati të veprojmë.
Kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike
TIRANE – Pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit që priten të shpërndahen në fillim të vitit të ardhshëm, është një procedurë e thjeshtë, e cila nuk përmban shumë formalitete. Kërkohet një fotografi portret e personit mbajtës së dokumentit, gjurmët e gishtave dhe një pagesë që nuk i kalon 15 eurot. Po kështu edhe për pasaportat biometrike procedurat nuk kërkojnë shumë kohë dhe mundim nga qytetarët. Të dy dokumentet do të përmbajnë të dhëna për identitetin e qytetarit duke ofruar garanci më të madhe për sigurinë dhe vërtetësinë e informacionit. Pasaporta biometrike dhe kartat elektronike do të jenë dokumente më të sigurta edhe gjatë përdorimit të tyre në ambasada apo në pikat e kalimit kufitar, pasi përmbajnë çipa elektronikë në të cilët janë hedhur të dhënat dhe informacionet identifikuese.