Izraeli paralajmëron rëndë Hamasin: Do ju sulmojmë
Udhëheqësit izraelitë e kanë paralajmëruar grupin militant palestinez, Hamas që t'u japë fund sulmeve me raketa mbi Izrael. Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, tha se nuk do të hezitonte që ta sulmonte Hamasin dhe grupin tjetër militant, Xhihadin Islamik në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme izarelite, Tzipi Livni, ka zhvilluar të enjten bisedime me udhëheqësit egjiptianë në Kajro rreth përshkallëzimit të dhunës në Gazë.
Duke folur në një konferencë për shtyp me homologun e saj egjiptian, minsitrja e Jashtme izarelite tha se Izraeli nuk do t'i toleronte sulmet e Hamasit: "Hamasi duhet ta kuptojë se aspirata jonë për të jetuar në paqe nuk do të thotë se Izraeli do ta tolerojë më gjatë një situatë të tillë. Çdo gjë ka një kufi," tha znj. Livni
"Nuk mund të tolerojmë një situatë ku Hamasi vazhdon të sulmojë Izraelin, shtetasit izraelitë dhe kjo situatë do të ndryshohet".
Takimet në Egjipt bëhen një ditë pasi grupi militant Hamas, gjuajti mbi 50 arketa nga Rripi i Gazës në jug të Izraelit. Izraeli u kundërpëgjigj me sulme nga ajri, gjatë të cilave u vra një anëtar i Hamasit.
Ndërmjetësim
Media izraelite ka lënë të kuptohet se ushtria izarelite po përgatitet për një ofensivë në shkallë të gjerë kundër Hamasit.
Duke folur në një konferencë për shtyp me homologun e saj egjiptian, minsitrja e Jashtme izarelite tha se sulmet e Hamasit nuk do të kalonin pa kundërpërgjigjen e Izraelit:
"Tani situata është se Hamasi ka shkelur armëpushimin, ka vendosur të sulmojë Izraelin dhe izraelitët . Dhe ne do të bëjmë atë që duhet të bëjë një shtet për të mbrojtur shtetasit e tij," tha znj. Livni.
Korrespondenti i BBC-së në Kajro thotë se Egjipti mund të mbyllë sytë nëse Izraeli nis një ofensivë në Gazë, sepse ëshjtë i indinjuar me Hamasin pas bojkotimit që ai u bëri muajin e kaluar bisedimeve për paqe me rivalin e tij, Fatah.
Ministri i Jashtëm egjiptian Ahmad Abdul-Gheit tha se vendi i tij do të bënte aq sa mundej për të ripërtërirë marrëveshjen e armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit.
"Egjipti do të jetë në kontakt me të dyja palët, me ushtrinë izraelite dhe palestinezët e Hamasit, me qëllim që t'i bëjë të dyja palët të përmbahen me veprimet e tyre për ditët në vijim," tha ai.
Ministri i Jashtëm egjiptian tha se kjo do të bëhej me shpresën se një gjë e tillë 'do të krijojë një qetësi të mjaftueshme që mund të çojë pastaj në një periudhë më të gjatë qetësie'.