Miratohet drafti mbi Prokurorinë, Ina Rama kundër
Tiranë-Kryeprokurorja, Ina Rama ka deklaruar sot se është kundër projektligjit për Prokurorinë e Përgjithshme hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe që sot u paraqit për diskutim në Komisionin e Ligjeve. Por ndërsa kreu i akuzës në Shqipëri kërkon ndryshimin e dy neneve në këte draft, dy partitë e mëdha bien dakord për ta miratuar atë. PD dhe PS ashtu si për Kodin Zgjedhor kanë gjetur konsensus edhe për ligjin mbi Prokurorinë.
Sot në Komision e Ligjeve foli deputeti i opozitës, Fatmir Xhafa i cili u shpreh se “ne e mbështesim draftin bazuar në tre argumenta, që janë: Ky ligj është në përputhje me Kushtetuten, ka marrë miratimin e institutcioneve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi dhe është në pajtim me rregulloren e Kuvendit”.
Ndërkohë Kryeprokurorja Rama u shpreh se “janë dy momente që ne nuk biem dakord më këtë projektligj, heqja e imunitetit të prokurorëve që parashikohet në nenin 56 të ligjit dhe kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë mbi Prokurorinë e Përgjithshme dhe raportimin i punes se saj në Kuvend nga ministri i Drejtesisë, që parashikohet në nenin 86 të ligjit për Prokurorinë”.