E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli pengon hyrjen e anijes libiane në Gaza

Pengesa

Ministri i Jashtëm izraelit ka thënë se përpjekjet diplomatike për të parandaluar hyrjen e një anijeje tjetër në Gaza, duke shkelur bllokadën izraelite, kanë qenë të suksesshme. Një organizatë humanitare libiane, e drejtuar nga djali i kolonelit Gadafit, kishte planifikuar që të dërgonte një anije që mbante flamurin moldav nga Greqia për në Gaza. Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Liberman, deklaroi se kishte kontaktuar menjëherë me homologët e tij grekë dhe moldavë për këtë çështje. Anija tani pritet që të ndalojë në një port në Egjipt. Sipas burimeve të konfirmuara, ajo përmbante rreth 2 tonë ushqime dhe mallra të tjera të nevojshme. Të hënën, Libia mendohet se do të nisë sërish rreth 20 kamionë me ndihma që do të mbërrijnë në Gaza përmes Egjiptit. Në bordin e anijes "Amalthia" gjenden 12 anëtarë të ekuipazhit dhe 15 aktivistë. Izraeli i pati dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, ku kërkonte ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për të bllokuar misionin e cilësuar si “të diskutueshëm dhe provokator”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›