E Diel, 1 Nëntor 2026

Aurel Plasari: Emergjente hapësira për librat

Hapësirat e korridorit që të çojnë në katin e dytë të Bibliotekës së Librit Europian, aty ku dje u organizua ceremonia e 90-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare, janë të zëna me thasë librash. Të mbushur plot e të hedhur rastësishëm mbi njëri-tjetrin, në këtë përvjetor ata janë thirrja më e mirë për të zgjidhur problemet më urgjente: hapësirat për librin dhe lexuesin. Aurel Plasari thotë se Biblioteka Kombëtare krenohet me koleksionet e rralla, të cilat do të shkojnë drejt një procesi dixhitimi. Ndërkohë, lexuesi i vetëm i bibliotekës nuk është vetëm ai që ngjit shkallët e godinës e shfleton skedat. Një tjetër virtual po bëhet gjithnjë e më i shumtë në numër.

Duke e konsideruar si një përvjetor historik, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, ka dashur ta quajë një festë për lexuesin 90-vjetorin e themelimit të këtij institucioni. Ceremonia është organizuar dje, në një nga godinat e hershme të bibliotekës, pranë Parlamentit, atje ku sot është shtëpia e librit europian. Rrugës përgjatë korridorit e pastaj shkallët që të ngjisin në katin e dytë ku u zhvillua konferenca gjenden thasë të tërë mbushur me libra. Janë në gjuhë të huaj, por edhe të tjerë. Ndodhen aty, pasi nuk ka më vend ku të sistemohen. Pikërisht këtyre thasëve iu referua ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, kur foli për problemet që ka sot Biblioteka Kombëtare. Ashtu siç pranon edhe drejtori Plasari në intervistën e mëposhtme, gjetja e hapësirave të reja për librin dhe lexuesin është urgjente. Ministri garantoi se në pak muaj do të gjenden hapësira të reja, ndërkohë që foli për procedurat ligjore të krijimit të qendrës së dixhitimit pranë BK-së. Ndërkaq, drejtori Plasari shpalli të hapur një seri aktivitetesh me konferenca shkencore, ekspozita për shenjtorë e ambasadorë, për të kulmuar në muajin shtator ose tetor me një festë të madhe.

Zoti Plasari, Biblioteka Kombëtare bën plot 90 vite jetë. çfarë fondesh i ofron sot lexuesit ky institucion?

Nëse flasim në statistika, shifra ka kaluar 1 milion para pak vitesh. Por pavarësisht tyre, bibliotekat vlerësohet nga llojet e koleksioneve që zotërojnë. Biblioteka Kombëtare mburret me koleksionet e albanologjisë, të ballkanologjisë, koleksionet e vlerave të rralla, të antikuarit, të cilat janë me vlerë të nivelit ballkanik, por edhe europian. Kjo vërtetohet nga studiues dhe albanologë të huaj, të cilët vazhdimisht kanë nevojë për koleksionet e bibliotekës sonë.

Në çfarë fazash ka kaluar zhvillimi i Bibliotekës Kombëtare gjatë këtyre viteve?

Duhet të kemi parasysh se në vitin 1920, kohën e themelimit, bëhej fjalë për diçka tepër modeste. Karl Gurakuqi, i përfshirë atë kohë në organizimin e bibliotekës, tregon që vetë Ministria e Arsimit, e cila e administronte, ndodhej në një shtëpi përdhese me katër dhoma. Në njërën prej tyre ishte vendosur biblioteka. Pas një viti u gjet një banesë tjetër, një nga banesat shtetërore, shtëpi e Selim Strazimirit në rrugën e Postës, pastaj u transferua në banesën e shtetëzuar të Abdi Toptanit deri kur u vendos në ato që edhe sot quhen Sarajet e Toptanasve. Në këtë ndërtesë që bëjmë sot ceremoninë e që e quajmë Biblioteka e Librit Europian, biblioteka është vendosur më ‘44-‘45 me ndërrimin e regjimit e më pas më ‘67-n është shtuar hapësira në korpusin e Pallatit të Kulturës. Vetëm nga ky historik zhvendosjesh mund të shohim sëmundjen dhe nevojën e vazhdueshme të bibliotekës për shtimin e hapësirave. Vetë ministri i Kulturës e tha se është bërë e ngutshme nevoja për hapësirat e reja si për librin dhe për lexuesin.

Atëherë të flasim për hapësirat. Korridoret e kësaj biblioteke janë të mbushura me thasë me libra. është piketuar ndonjë godinë konkrete për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi?

Në perspektivën e shpejtë, brenda këtij viti do të realizohet shtimi i magazinave, e kryesisht i magazinave të librit. Në mënyrë automatike do të lirojë edhe mjedisin për lexuesin. Kjo është zgjidhja e menjëhershme e afatit të shkurtër; vitin e ardhshëm shpresojmë në zgjidhje të reja të qeverisë. Janë piketuar disa ambiente dhe po bëhen procedurat shtetërore që muajt e ardhshëm t’i shtohen bibliotekës.

Brenda pak muajve është lajmëruar nga ju dixhitalizimi i revistave “Albania” dhe “Dituria”. Përbën ky proces sfidën e Bibliotekës Kombëtare?

Këto kanë qenë sprova të specialistëve tanë. Tani duhet organizuar puna me bazë profesionale në një sektor ose qendër që të ketë godinën e vet, stafin, kushtet e punës dhe të ketë edhe mjetet financiare që të realizojë dixhitimin. Shpeshherë keqkuptohet sikur do të bëhet dixhitimi i gjithë bibliotekës. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse nuk do të zhduket libri, por do të bëhet dixhitimi i atyre që quhen vlera të rralla, të cilat janë të rrezikuara nga zhdukja dhe që përdorimi i shpeshtë i dëmton. Ky është synimi i një sektori të tillë në perspektivë ose i ngritjes së një qendre. Së paku me këto realizime që specialistët kanë ofruar, është krijuar bindja se janë në gjendje t’i kryejnë më së miri.

Meqenëse flasim për koleksione të rralla, sa rrezikojnë ato në arkivin e Bibliotekës Kombëtare. A ka problematika të ruajtjes e restaurimit të tyre?

Ka shumë problematika që kanë të bëjnë me patologjinë e librit. Vendet e zhvilluara kanë institute të patologjisë së librit me laboratorë që studiojnë mikroorganizmat, rrezikimin etj. Sigurisht që Shqipëria nuk është në një nivel të tillë shkencor. Ne kemi probleme edhe me institucionet e patologjisë së njeriut. Rëndësi ka që t’i dimë, t’i kërkojmë dhe të shkojmë drejt këtyre zgjidhjeve.

Si ka qenë gjatë 20 viteve të fundit raporti i frekuentimit të Bibliotekës Kombëtare nga lexuesit?

Në këtë rast flasim për dy lloje lexuesish: kemi ata që vijnë të kërkojnë personalisht në skedarët e Bibliotekës Kombëtare, por ka edhe lexues që e marrin informacionin përmes faqes sonë të internetit. Nëse pyesni specialistët e sektorit të teknologjive të reja, kanë statistika interesante për lexuesit përmes internetit, sepse faqja regjistron të dhënat. Këta të fundit janë kryesisht përdorues nga vendet fqinje, por është e kuptueshme që më së shumti janë shqiptarë që jetojnë në këto vende: Itali, Greqi, por ka edhe nga Amerika, Anglia, Gjermania. Motoja jonë është simbolikisht një bibliotekë pa mure dhe ne drejt kësaj po synojmë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›