Izraeli pranon propozimin e katërshes për biseda me palestinezët
Ndërkohë që palestinezët kërkojnë njohjen e shtetit të tyre në Kombet e Bashkuara, Izraeli i është përgjigjur zyrtarisht një përpjekjeje ndërkombëtare për të ringjallur procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Izraeli ka mirëpritur propozimin e ndërmjetësve ndërkombëtarë për fillimin e bisedimeve të paqes me palestinezët “menjëherë dhe pa parakushte”.
Katërshja e ndërmjetësve të Lindjes së Mesme, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Rusia, paraqitën propozimin para më shumë se një jave, pasi palestinezët paraqitën kërkesën për njohjen e shtetit të tyre në Kombet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara janë kundër njohjes së shtetit palestinez, duke thënë se pavarësia e Palestinës duhet të arrihet nëpërmjet negociatave me Izraelin.
Katërshja bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve të paqes brenda një muaji dhe për arritjen e marrëveshjesh për shtetin palestinez deri në fund të vitit 2012.
Zëdhënësi i qeverisë së Izraelit, Mark Regev, u bëri thirrje palestinezëve të braktisin përpjekjen për njohjen e shtetit të tyre në Kombet e Bashkuara dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve.