Serbët më të armatosurit në rajon

Serbia konsiderohet si vendi me qytetarë më të armatosur nga vendet e tjera në rajon, por edhe në përmasa botërore.
Sipas një hulumtimi të Qendrës për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Evropën Lindore dhe Juglindore (SEESAC), në Serbi janë regjistruar mbi 1,2 milion armë legale.
Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, 45 mijë armë të kalibrave të ndryshëm janë të regjistruara në pronësi të 3.300 personave juridik, ndërsa 96 për qind e armëve tjera janë në pronësi të mbi 600 mijë qytetarëve.
Nga ana tjetër, hulumtimi zbulon se në Serbi ka rreth 1 milion armë ilegale dhe kjo e rendit këtë si vendin me numër më të madh të armëve ilegale.
Sipas SEESAC, në çdo 100 banorë në Serbi, janë të regjistruar 38 armë dhe kjo shifër është për një copë armë më pak se Iraku. Para Serbisë rreshtohen SHBA-ja, Jemeni, Finlanda dhe Zvicra.
Por, mediat kanë raportuar se numri mund të jetë edhe më i lartë, përfshirë edhe rrjetet e trafikut të armëve që funksionojnë në Serbi dhe kryejnë trafikimin jashtë vendit, kryesisht në vendet afrikane.
Të gjitha armët janë pjesë të mbetura të Armatës ish-jugosllave, duke pasur parasysh se Serbia ishte qendra e depove të forcave ushtarako-policore në ish-Jugosllavi.