Izraeli sulmon ndihmat për palestinezët, viktima
Anijet luftarake izraelite kanë sulmuar një flotë me anije ndërkombëtare me furnizime për palestinezët në Rripin e Gazës. Disa nga anijet e ndihmës, kishin flamurin turk. Sipas të dhënave të stacionit televiziv privat izraelit "Channel 10", besohet se nga sulmi kanë gjetur vdekjen të paktën 16 persona dhe janë plagosur rreth 30 të tjerë. Gjashtë anijet e flotës, me në bord qindra aktivistë, ishin nisur të dielën nga ujërat ndërkombëtarë të Qipros. Izraeli kishte kërcënuar vazhdimisht se anijet do të ndaleshin me dhunë, nëse do të ishte e nevojshme. Në bordin e anijeve ndodheshin rreth 10.000 tonë mallra, në mesin e të cilave materiale për ambiente për shtëpi, si dhe 500 karrike me rrota për invalidë si dhe pajisje të tjera mjekësore. Që prej marrjes së pushtetit nga Hamasi në 2007 në Rripin e Gazës, Izraeli ka ndaluar jo pak herë hyrjen e ndihmave duke vendosur një bllokadë të ashpër të territorit. Duke qenë se disa nga anijet e flotës valëvisnin flamurin turk, Ankaraja ka thirur ambasadorin e saj në Izrael dhe ka deklaruar se sulmi është i papranueshëm. Bëhet me dije se nga sulmi është plagosur edhe sheiku Raed Sallah, leider i lëvizjes islamike në veri të Izraelit. Anijet i përkisnin organizatave joqeveritare. Hamasi ka denoncuar sulmin duke e konsideruar si "terrorizëm të organizuar nga shteti".