Amerikë Qendrore/ Uragani Agatha, rreth 100 viktima
Si pasojë e ciklonit tropikal, i pari për këtë vit në Amerikën Qendrore, besohet se kanë humbur jetën të paktën 100 persona. Vetëm në Guatemalë është njoftuar për 82 viktima dhe më shumë se 110.000 të tjerë janë evakuuar. Në El Salvador, sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve vendore, kanë humbur jetën të paktën 11njerëz, dhe po ashtu në Honduras. Ndërkaq nga kjo situatë e rënduar, shumë të tjerë konsiderohen të humbur. Në këto shtete është vendosur gjendje e jashtëzakonshme. Cikloni "Agatha" u shoqërua nga stuhi të dendura, rrëshqitje të tokës dhe përmbytje. Aeroporti ndërkombëtar në Guatemala do të qëndrojë i mbyllur. Ndërkaq stuhia ka prekur edhe ultësirat tropikale. Fillimisht stuhia tropikale Agatha, e para për stinën, u ndal përballë brigjeve të paqësorit në vendin e Amerikës Qendrore. Për t'i bërë ballë kësaj emergjence, presidenti i Guatemalës Alvaro Colom, ka marrë në dorë situatën , duke u përpjekur të koordinojë mbrojtjen civile. Mbërritja e "Agatha-s", ka bërë që të sinjalizohet për gjendje alarmi edhe në Meksikë, në veçanti në Chiapas, në kufi me Guatemalën.