E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtari i Drejtësisë me 6 funksione

Kryetari i PD-së së Përmetit përdor logon dhe protokollin e Ministrisë së Drejtësisë për të zgjidhur problemet që ka me Këshillin Bashkiak të Përmetit. Fillimisht duhet të sqarojmë se Pëllumb Pacani, kryetar i degës së Partisë Demokratike të Përmetit, mban gjashtë funksione. Përveç detyrës partiake, ai është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Përmetit, anëtar i Kryesisë së Qarkut, anëtar i Këshillit të Qarkut, anëtar i KRRT-së së Qarkut dhe drejtor i Auditit të Brendshëm për problemet ekonomike në Ministrinë e Drejtësisë.

Nuk është e lehtë të mbash mbi supe gjithë këtë përgjegjësi. Duke qenë se çdo ditë duhet të jetë në detyrën e tij në Drejtorinë e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, zoti Pacani ka munguar disa herë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak të Përmetit. Për shkak të mungesave të vazhdueshme në këto mbledhje, një grup këshilltarësh kërkuan heqjen e mandatit. Meqë nuk kishin si ta lajmëronin, i dërguan një njoftim në Ministrinë e Drejtësisë për rendin e ditës së mbledhjes së ardhshme të Këshillit Bashkiak, ku kryente funksionin e gjashtë.

Pasi e lexoi lajmërimin e Këshillit të Bashkisë së Përmetit, zoti Pacani vendosi t‘i kthejë përgjigje kryetarit të tij, zotit Mihallaq Capullari. Përmes një shkrese zyrtare, që mban logon dhe adresën e Drejtorisë së Auditit të Brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë dhe numër protokolli ekstra, zoti Pacani u kthen përgjigje kolegëve të tij të Këshillit të Bashkisë së Përmetit. Pra, ai përdori titullin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë. Nuk e besuam, edhe pse pamë firmën e tij në letër dhe shkuam vetë ta takonim në mbledhjen e radhës të Këshillit të Bashkisë. Zoti Pacani e pranon që ka dërguar një shkresë me kokë të Ministrisë së Drejtësisë nga pozicioni i anëtarit të Këshillit Bashkiak të Përmetit, por sipas tij, gjithçka është e ligjshme, sepse ai është drejtori i Auditit të Brendshëm të kësaj ministrie.

"Është e vërtetë që unë i kam drejtuar një letër Këshillit Bashkiak të Përmetit, kryetarit të Këshillit Bashkiak. Koka e kësaj letre është Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Auditit. Sqaroj që unë jam drejtori i Auditit në Ministrinë e Drejtësisë. Kam filluar punë më 3 shtator 2007 dhe njëkohësisht jam dhe anëtar në Këshillin Bashkiak në Përmet", deklaroi me krenari zoti Pacani.

Lezhë

Prefekti punëson

të birin si shofer

Prefekti i këtij qyteti, zoti Njazi Reçi, kishte punësuar si shofer të birin dhe për të nuk ka asgjë të paligjshme në këtë mes. Megjithëse Kryeministri ka deklaruar disa herë se duhet të luftohet nepotizmi, nga ana ligjore, prefekti i Lezhës është në rregull, pasi ligji nuk e pengon. Një kontroll i specialistëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur në borderonë e Prefekturës dy persona nga një familje, prefektin dhe djalin e tij. I biri i prefektit, deri disa muaj më parë mbante këtë detyrë, dhe prefekti i qytetit e deklaronte këtë me krenari.

"Djalin e kam pasur shofer dhe marrja e djalit shofer nuk bie ndesh me asnjë ligj, sepse edhe ligji ‘Për Nepotizmin‘ nuk u miratua as nga Gjykata Kushtetuese. E dyta, nuk ka konflikt interesi, sepse shoferi është fuqi punëtore, ashtu siç është edhe pastruesja dhe nuk firmos në asnjë lloj kontrate. Megjithatë, unë këtë muaj e kam hequr djalin", tregon ai për "Fiks Fare". Nga ana tjetër, pranon që e ka hequr nga kjo detyrë pas detyrave që la KLSH-ja. "E hoqa, sepse KLSH la një detyrë që duhet ta lëvizë, dhe në respekt të atij institucioni të rëndësishëm, unë e lëviza", thotë Reçi, ndërsa përsërit se është në rregull me ligjin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›