Tenderat në Kavajë, 1,6 milionë lekë gjobë shkelësve
Prokuroria kërkoi gjobitjen e pesë anëtarëve të komisionit, si dhe heqjen e të drejtës për të punuar në administratë
KAVAJË - Prokuroria e Kavajës lexoi dje konkluzionet lidhur me çështjen që përfshin pesë anëtarë të komisionit të tenderave në bashkinë e këtij qyteti. Pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth dhjetë muaj, organi i akuzës, i përfaqësuar nga Dritan Nushi kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurve për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre. Burgim, gjobë e mosushtrim të së drejtës publike në ushtrimin e aktivitetit në administratën publike, si dhe përjashtim nga funksionet shtetërore për 5 vjet, ishin kërkesat e prokurorit. Ndërkaq, nga ana e gjykatës u vendos shtyrja e seancës për t’i lënë kohë mbrojtjes të paraqiste përfundimet.
Gjyqi
Nga ana e organit të akuzës janë marrë si të pandehur shtetasit: Emiljano Daismaili, përfaqësues i firmës "Daismaili shpk" në Peqin, Edmond Arkaxhiu, kryetar i komisionit të tenderit, Bashkia Kavajë, Suzana Arkaxhiu anëtare e komisionit, Helidon Plaku, jurist i bashkisë dhe anëtar i komisionit, Kostandin Filja, anëtar i komisionit dhe Emine Verria, anëtare e komisionit. Për të pandehurin Emiljano Daismaili, prokuroria kërkoi 6 muaj heqje lirie dhe dënimin me 400 mijë lekë gjobë, për Edmond Arkaxhiun dhe Helidon Plakun kërkoi dënimin me 500 mijë lekë gjobë dhe heqje të së drejtës publike në ushtrimin e aktivitetit në administratën shtetërore për 5 vjet. Për tre anëtarët e tjerë të komisionit, u kërkua dënim me 200 mijë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës publike në ushtrimin e aktivitetit në administratën shtetërore për 5 vjet.
Shkeljet
Akuza e ngritur ndaj Emiljano Daismailit është ajo e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërkohë që anëtarët e komisionit akuzohen për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “vlerësim me dashje të dokumenteve të falsifikuara”. Më 7 dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria e Kavajës nisi hetimet pas kallëzimit penal të bërë nga një shoqëri, e cila ngriti pretendimet për shkelje në dy tendera të njëpasnjëshëm që kjo shoqëri kishte marrë pjesë dhe që ishin organizuar nga Bashkia e Kavajës. Pas hetimeve, prokuroria vërejti se ishin kryer shkelje nga komisioni i tenderave e përkatësisht: leximi vetëm i ofertave të shoqërive pjesëmarrëse në tender; kualifikimi i shoqërisë “Daismaili shpk” në vendin e dytë, në një kohë që licenca dhe diploma nuk ishin noterizuar në dokumente të veçantë; u skualifikuan nga tenderi dy shoqëri për shkak se kanë paraqitur vetëm një dëshmi penaliteti për njërin prej administratorëve të tyre, kur janë shoqëri me dy administratorë etj. Komisioni i vlerësimit të ofertave i përbërë nga pesë të pandehurit, sipas prokurorisë, ka kryer veprime në dëm të disa firmave pjesëmarrëse në tender, duke favorizuar firmën "Daismaili shpk". Në lidhje me këtë, përfaqësuesi i firmës dhe Emiljano Daismaili, si administrator përpiluan që të dy dokumentacionin, një pjesë e të cilit ishte i falsifikuar.