E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja arsyet pse rezultati i gjyqit për Ilir Metën doli pesë me zero

17-02-2012 / Gazeta 55

Gjykata e Lartë zbardh vendimin për video-përgjimin Meta-Prifti

Gjykata e Lartë zbardhi dje vendimin e plotë për çështjen ndaj ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta.  
Sipas vendimit të publikuar nga Gjykata e Lartë, Ilir Meta u deklarua i pafajshëm për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë, pasi “fakti nuk provohet se ekziston”.  
Vendimi për pafajësinë e ish-zëvendëskryeministrit Meta  u firmos unanimisht nga pesë anëtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë më 16 janar 2012. Vendimi erdhi pas pretencës së Prokurorisë se Përgjithshme, që kërkoi  shpalljen fajtor dhe dënimin e Metës me 2 vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë.
Ish-zëvendëskryeministri Meta u procedua nga prokuroria pasi dyshohej se kishte kërkuar favore për çështje biznesi. Procesi ndaj tij nisi vitin e kaluar, pas transmetimit në media të video- përgjimit ndaj tij, ku ai shfaqej me  ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, në një bisede për disa tendera të ministrisë së Ekonomisë.   
Lidhur me këtë bisedë, Gjykata e Lartë, në vendimin e saj, vlerëson se, “nuk rezulton e provuar që në bisedën mes dëshmitarit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta, ky i fundit ka kërkuar të ndikojë në mënyrë të paligjshme”.
Çështja “Meta” u shqyrtua në Gjykatën e Lartë prej disa muajsh, nga një trup gjyqësor, me relator Ardian Dvoranin dhe anëtarë Arjana Fullani, Gani Dizdari, Guxim Zenelaj  dhe Majlinda Andrea.
Në arsyetimin e tyre, anëtarët e trupit gjykues midis të tjerave vlerësuan...
“Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, pas analizës, vlerësimit dhe çmimit të provave të pranuara dhe debatuara në gjykim, i rezulton e provuar se:
Kolegji Penal çmon të theksojë se, lidhur me origjinalitetin, paprekshmërinë dhe kuptueshmërinë e videoregjistrimit gjatë gjykimit, u bë e nevojshme marrja e një mendimi shkencor nëpërmjet realizimit të një ekspertimi me specialistë të fushës informatike dhe teknologjisë audio. Ky ekspertim u realizua me një grup ekspertësh dhe akti i ekspertimit iu nënshtruar debatit gjyqësor, ku palët, si përfaqësuesit e organit të akuzës ashtu edhe mbrojtësit e të pandehurit, i kanë drejtuar pyetje grupit të ekspertëve, në përfundim të të cilit Kolegji Penal vendosi ta pranojë si provë dhe administrojë në fashikullin e gjykimit.
Akti i ekspertimi dhe shtesa e aktit të ekspertimit, pasi parashtron shpjegime të hollësishme teknike lidhur me pyetjet e shtruara nga gjykata dhe nga palët në proces, mes të tjerave arrin në përfundimin se:
- në objektin e ekspertimit provë materiale “orë“ nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës Meta-Prifti, por u gjet një material tjetër audio-video;
- nuk është e mundur të përcaktohet ekzaktësisht ora dhe data gjeografike e hedhjes, shkarkimit në lap-top videoja e bisedës Meta-Prifti;
- nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i ndërhyrjeve është i lartë në kuptim të fshirjes dhe montazhit audio tek C:Users/Dritan Prifti/100DSCIM/PICT0008.avi;
- në file-n objekt ekspertimi të gjetur në lap-top ka shumë anomali të pashpjegueshme të ndodhura në një hapësirë të shkurtër kohe;
- nga analiza e grafikëve të fuqisë audio të bisedës Meta-Prifti rezulton se ajo është nga -3.1 db deri në -9.2 db dhe është në pjesë të veçanta e pakuptueshme për veshin e njeriut;
- kopja që u përftua nga filtrimi nuk solli përmirësime të dukshme për sa i përket dëgjueshmërisë dhe kuptueshmërisë. Pjesët që para filtrimit ishin të pakuptueshme mbeten të tilla edhe pas filtrimit.
Sipas ekspertëve, kuptimi teknik i autenticitetit në fushën e teknologjisë së informacionit është që informacioni i transmetuar nga dhënësi tek marrësi të jetë identik, origjinal. Për të garantuar këtë origjinalitet, përdoren teknika nga më të ndryshmet, si p.sh. vulat dixhitale dhe enkriptimi me çelësa dixhitalë.
Bazuar në konkluzionet e ardhura nga ekspertët, Kolegji Penal vlerëson se materiali audio-viziv që iu nënshtrua ekspertimit nuk është origjinal. Në këtë material audio-viziv u vërtetua mundësia dhe probabiliteti i lartë i ndërhyrjeve në përmbajtje si rezultat i anomalive të pashpjegueshme. Ndërkohë që cilësia e tij është nën nivelin shkencor të kuptueshmërisë së përmbajtjes së tij.
Mbi këtë bazë, Kolegji Penal vjen në përfundimin se ky material, me përmbajtje një regjistrim audio-viziv ku pretendohet të përmbahet një bisedë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti, nuk përmban gjurmë të vlefshme dhe nuk përmbush kriteret ligjore për t’u konsideruar provë materiale, nga ana tjetër, dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria e tij nuk mundësojnë qartësimin e rrethanave të faktit që pretendohet se mund të përmbahen në të.
Si përfundim, Kolegji Penal vlerëson se, nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e administruar e të çmuara në gjykim, nuk rezulton e provuar që në bisedën e datës 01.03.2010 mes dëshmitarit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta, ky i fundit ka kërkuar të ndikojë në mënyrë të paligjshme dhe t’i ofrojë dëshmitarit Dritan Prifti një shpërblim prej 700 mijë euro dhe 7% të aksioneve të subjektit Bashkimi i Përkohshëm “Vëllezërit Tola” sh.p.k., për të favorizuar këtë subjekt në fitimin e konkurrimit publik për dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë.
Sipas kërkesës për gjykim, argumenteve, kërkesave e provave të paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, si edhe në diskutimin përfundimtar, nga ana e prokurorëve u parashtrua se rezulton e vërtetuar që, në bisedën e datës 01.03.2010, i pandehuri Ilir Meta i ka kërkuar dëshmitarit Dritan Prifti të favorizojë Shoqërinë “Halilaj Holding Group” sh.a, në ankandin për shitjen e një sasie prej 30 mijë ton naftë bruto të prodhuar nga Shoqëria “Albpetrol” sh.a., duke i ofruar edhe një përfitim i paligjshëm deri në 1 milion USD, për t’i ndarë së bashku.
... Kolegji Penal vjen në përfundimin se, ky material me përmbajtje një regjistrim audio-viziv ku pretendohet të përmbahet edhe një bisedë mes të pandehurit Ilir Meta dhe dëshmitarit Dritan Prifti lidhur me një ankand të shitjes së naftës bruto nga “Albpetrol” sh.a., nuk përmban gjurmë të vlefshme dhe nuk përmbush kriteret ligjore për t’u konsideruar provë materiale, nga ana tjetër, dëgjueshmëria dhe kuptueshmëria e tij nuk mundësojnë qartësimin e rrethanave të faktit penal që pretendohet se mund të përmbahen në të.
... Bazuar në vlerësimin dhe çmimin e atyre provave që u pranuan dhe debatuan në seancë gjyqësore, Kolegji Penal vëren se, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, nuk u arrit të provohet që në bisedën e zhvilluar në datën 01.02.2010 midis shtetasit Dritan Prifti dhe të pandehurit Ilir Meta të jetë diskutuar lidhur me ankandin e shitjes së naftës dhe favorizimin e “Halilaj Holding Group” sh.a. në atë ankand, as edhe që të jenë ofruar 1 milion USD përfitim, me qëllim që shtetasi Dritan Prifti të kryente veprime të lidhura me funksionin e tij për të favorizuar subjektin juridik “Halilaj Holding Group” sh.a.
Kolegji Penal çmon së është vendi për të evidentuar që duhet të bëhet dallimi i qartë mes motivit “fakti nuk ekziston” dhe atij që “fakti nuk provohet se ekziston”, të parashikuara nga shkronja ‘a” e pikës 1 të nenit 388 të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas kësaj dispozite, me motivin “fakti nuk ekziston” kuptohet që, si rregull, jemi përpara rasteve të simulimit të veprës penale për motive të caktuara, kur ngjarja apo fakti “krijohet” apo trillohet “prova” për të treguar se ka ndodhur një fakt i caktuar që parashikohet nga ligji si vepër penale.
Ndërsa me motivin “fakti nuk vërtetohet që ekziston” kuptohet që jemi në kushtet kur me provat e shqyrtuara nuk vërtetohet ekzistenca e faktit në kuptim të veprës penale.
Kolegji Penal, pasi shqyrtoi dhe çmoi tërësinë e provave të pranuara dhe verifikuara në gjykim dhe pasi i analizoi ato në raport me ligjin procedural dhe material të zbatueshëm, vjen në përfundimin se nuk mund të krijohet bindje mbi ekzistencën e faktit në kuptimin penal, pra që i pandehuri Ilir Meta, me sjelljen e veprimet e tij si dhe me bisedat e zhvilluara, t’i ketë ofruar shtetasit Dritan Prifti shpërblime e përfitime materiale, me qëllim që ky i fundit, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tij publike, të favorizonte dy subjekte të caktuara, të afërta me të pandehurin Ilir Meta, në dy konkurrime të ndryshme publike: dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë dhe shitjen me ankand të një sasie prej 50 mijë MT naftë bruto të Shoqërisë “Albpetrol” sh.a.
Duke qenë se, sipas parimeve e normave kushtetuese dhe atyre të ligjit procedural penal, ardhja nga gjykata në përfundimin se fakti penal që i atribuohet të pandehurit nuk vërtetohet se ekziston, sjell natyrshëm disponimin e gjykatës për deklarimin e pafajshëm të së pandehurit.
Për këto arsye...
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të pikës 1 të nenit 141 të Kushtetutës, të pikës 2 të nenit 75/b dhe të shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 388 të Kodit të Procedurës Penale.
Vendosi
Deklarimin e pafajshëm të së pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 388, pika 1 shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale.
Në bazë të nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale urdhërohet dorëzimi organit të prokurorisë të provave materiale vijuese:
- Orë tavoline (mikrokamer), ngjyrë argjendi, me përmasa të vogla, me formë rrethore, me bazë mbështetëse të sheshtë, me fushë ngjyrë qumështi, me tre akrepa, dy prej tyre ngjyrë argjendi me vijë të bardhë brenda tyre dhe akrepi i sekondave me ngjyrë portokalli, me numra me ngjyrë të zezë rreth fushës së orës, me nga një pikë me ngjyrë argjendi në formë rrethi, me një pikë më të vogël të bardhë brenda, mbi pjesën ku ndodhen numrat e fushës së orës, të cilat ndahen nga njëra-tjetra në distancë të barabartë nga katër pika të kuqe, me shënimin brenda në fushën e orës “QUARTZ”;
- Lap top (kompjuter dore) i markës “Dell”, me ngjyrë të zezë dhe me një shirit ngjyrë gri në të dy anët, me mbishkrimin “XPS”, me numër serie, model numër PP25L DELL LBL PIN X5030 A02 dhe numër (bar code) (01) 07898349891846 dhe kabull për furnizim me energji të lap top-it me nr.CN-OXK850 48661-7A1-2YZT;
- USB (flash), memorie elektronike, ngjyrë bojë qielli, sipër me mbishkrimin “HP-8gb”, me përmasa 3.3x1.5 cm, brenda me mbishkrimin “A99MMUDT” dhe poshtë këtij “C € FC”.
- Fish kabull i llojit USB me ngjyrë të zezë;
Shpenzimet procedurale penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit, të realizuara nga grupi i ekspertëve gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor, në vlerën 3.592.938 lekë, i ngarkohen shtetit.
Ky vendim është i formës së prerë.
Shpallur në Tiranë, në datën 16 Janar 2012.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›