E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, si tufa e ujqërve në borë që kërkojnë vota – politika e hienës do ndëshkohet sërish

17-02-2012 / Gazeta 55

Kuvend, debate mazhorancë-opozitë për fatkeqësinë natyrore.

Seanca parlamentare nisi dje me debate dhe ndërprerje të menjëhershme të saj, si pasojë e tentativës për të dalë jashtë rendit të ditës, e kryetarit të grupit të PS, Gramoz Ruçi. Ai kërkoi që deputetët të diskutonin mbi zonat në fatkeqësi natyrore, pavarësisht se PS s’kishte dorëzuar kërkesë për interpelancë apo diskutime për problematikën në fjalë. Njëkohësisht me arsyetimin e mos respektimit të procedurave parlamentare, Shtabi i Emergjencës dhe Komiteti Ndërministror i ka paraprirë me profesionalizëm çdo rreziku të mundshëm natyror, ndaj banorët e zonave të prekura nga reshjet e dendura të dëborës. “Hipokrizi dhe shkelje të procedurës e Rregullores së Kuvendit”, e quajti kryeparlamentarja Topalli qëndrimin e Ruçit. “Hipokrizia nuk ju mungon, por të ishte serioze do të bënit pyetje dhe interpelancë. Je kundër rregullores”- iu drejtua Topalli Ruçit, duke njoftuar njëherazi ndërprerjen e seancës për disa minuta. Seanca rifilloi me dy diskutime të Erjon Braçes dhe Astrit Patozit, për çka paraprakisht u ra dakord. Opozita paraqiti planin e saj për kapërcimin e situatës, ku ndër të tjera parashikohen kujdesi shëndetësor, shpërndarja njëherësh e disa-muajve ndihmë ekonomike, pensioneve, si dhe rialokim fondesh për mirëmbajtjen e rrugëve. Por, i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili e cilësoi si jashtë çdo morali politik, “përpjekjen” e kreut të opozitës, Rama, për të ndarë shoqërinë, për të përfituar politikisht nga situata, duke ngritur dhe struktura paralele. Sipas tij, qeveria nuk mund të parashikojë motin, por lehtësisht e parashikueshme prej saj është sjellja politike e Ramës sa herë ka fatkeqësi natyrore dhe disfatat që ai pëson pas tyre. Kryetari i grupit socialist Ruçi ka theksuar se kjo seancë nuk mund të vijojë normalisht pasi vendi po kalon një situatë emergjente. “Në asnjë vend një opozitë normale nuk i ngatërrohet nëpër këmbë një vendi në emergjencë. Njerëzit nuk ndihmohen në Tëitter e as Facebook. Banorët nuk ndahen në të djathtë e të majtë. Ata njerëz pavarësish bindjeve kanë një kërcënim, borën dhe motin e keq, e kanë harruar për kë kanë votuar, por Rama përpiqet t’i ndajë në hallin e përbashkët, t’i fusë panikun me shpresë se ata do zemërohen me qeverinë”- tha Patozi
Sipas tij, Rama e ka bërë një gjë të tillë sa herë i ka ardhur rasti e nuk vë mend. “E bëri vjet pas përmbytjeve dhe përmbytjen e mori në zgjedhjet lokale. Të tillë përgjigje do të marrë gjithnjë politika e hienës. Këtë politikë e përshkruan më së mirë patriarku i socialistëve, Agolli kur thotë se shikon tufa ujqërish në borë që kërkojnë vota dhe unë besoj këtë”- u shpreh më tej, Patozi. Ndërkaq, ministrat Sokol Olldashi dhe Arben Imami paraqitën në Kuvend situatën më të fundit për qarqet e shpallura në gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Ministri i Punëve Publike tha se nga mbi 3 mijë km rrugë nacionale rreth 6% e tyre janë të bllokuara. Olldashi tha se po punohet 24 orë për të zhbllokuar ato dhe rrugët që lidhin komunat. Ndërsa ministri i Mbrojtjes Imami paraqiti drejtimet ku janë fokusuar Forcat e Armatosura dhe bëri me dije se ato u stërviten përgjatë 2011-ës në trajnime të veçanta për përballimin e fatkeqësive natyrore. Po dje një helikopter i forcave të armatosura ka transportuar nga Shkodra në zonat e thella malore mjek, infermier dhe ilaçet e domosdoshme për pacientët në këto zona. Helikopteri fillimisht ka fluturuar në drejtim të Vermoshit, për të vijuar më pas me fluturimet për në zonat malore të Dukagjinit. Infermierja e fshatit Bruçaj të Komunës Pult të Dukagjinit shprehet se për arsye të vështirësive të motit, transportimi bëhet me anë të helikopterit dhe se ajo së bashku me stafin mjekësor po presin për t’u transportuar në zonë, pasi atje ndodhen infermierët e tjerë, që prej dy javësh, të cilëve u kanë marrë edhe ushqimet. Operacionet e transportimit të stafeve mjekësore por edhe të transportimit të sëmurëve nga zonat e thella malore ku trashësia e dëborës arrin mbi 2 metër janë drejtuar nga Prefektja e Shkodrës në koordinim me drejtuesit e Komunave në zonat malore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›