E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja çfarë iu kërkua Gjykatës Kushtetuese

Në ankimimin e Policisë dhe Avokatit të Popullit, është kërkuar shfuqizimi i disa neneve të ligjit të ri. Gjithashtu është kërkuar pezullimi i tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar. Pavarësisht ankimimit të policisë dhe Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese, ligji ka filluar me aplikimin e tij, ku së pari është ndjerë pesha e rëndë ekonomike te 3000 punonjës policie që paguhen me pagë kalimtare. Ata nuk përfitojnë më asnjë pagë për shërbimin e kryer në polici, pasi shpërblimi prej 20 pagash është reduktuar në 13 paga, duke iu mohuar shtatë të tilla. Për këtë arsye, në ankimimin e kryer, një nga kërkesat më emergjente ka qenë ajo e pezullimit të këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit. Si Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, ashtu dhe Avokati i Popullit, kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ky ligj të pezullohet e më vonë të shfuqizohet. Megjithatë, ligji ka nisur efektet e tij dhe tashmë 3 mijë punonjës policie po ndjejnë problemet ekonomike. Rreth tri vite më parë dolën në reformë me pretendimin se do t‘u jepeshin përfitim 20 paga të plota. Hyrja në fuqi e ligjit të ri u bë vetëm pak muaj më parë, në kundërshtim me vullnetin e gjithë punonjësve të policisë. Madje, kur ai kaloi në Kuvendin e Shqipërisë, Sindikata e Policisë dhe drejtues të Policisë së Shtetit i bënë një ankesë Presidentit për të mos e dekretuar, por fjala e tyre nuk u dëgjua. Gjithashtu, në ankimimin e dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke radhitur një sërë argumentesh, deklarohet se në qershor të 2007-ës ligjvënësi në nenin 88 dhe 89 të ligjit Nr. 9749, datë 4. 6. 2007 "Për Policinë e Shtetit", duke marrë parasysh përgjegjësinë dhe rrezikshmërinë e lartë në detyrë, ka sanksionuar vazhdimësinë e përfitimeve të tjera shtesë sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë se Shtetit". "Mendojmë se për këtë periudhë kaq të shkurtër s‘ka pasur asnjë ndryshim në pakësimin e shkallës së rrezikut apo të elementëve të tjerë që të shërbejnë si argumente për të ndryshuar ligjet në lidhje me përfitimet suplementare", argumentohet në ankimimin e policisë. Specialistët kanë deklaruar më tej se në nivelin që kërkohet të jetë Policia e Shtetit, përkeqësimi i përfitimeve suplementare të punonjësve të policisë do të ndikojë negativisht në rekrutimin e personelit me arsim të lartë apo të mesëm, që kanë mbaruar shkollën me rezultate të larta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›