Mailer, njëri prej nesh
Shpresoj që vdekja shërben për diçka. Njerëzit nuk vdesin kurrë për kot, sidomos shkrimtarët. Ata vdesin që ne t’i lexojmë. Shkrimtarët e gjallë janë shumë të mërzitshëm, nuk arrijmë t’i shijojmë qetësisht. Bëjnë hije me prozën e tyre. Është sikur ne të ishim të ulur në një sallë kinemaje dhe realizuesi të qëndronte në këmbë para ekranit. Do të shihni, kur Sollers, Modiano, d’Ormesson, Le Clezio, Houellebecq, Angot, Nothomb do t’i kthejnë patkonjtë diellit. Zgjedhja do të jetë e lehtë për t’u bërë. Do të mundemi më në fund për t’i zbuluar librat e tyre para se të qenë shtypur prej mimikave të tyre. Cilët do ta kenë përshkruar epokën e tyre në një stil të panjohur? Cilët do të bëjnë për të qarë, për të qeshur, për të ëndërruar post mortem? Cilët nuk do të kenë bërë gjë prej gjëje veç të lëvizurit shumë të duarve në boshllëk apo përsëritur të njëjtat dokrra?
Është po aq e dukshme: e vetmja gjë që lexuesit presin nga shkrimtarët, është vdekja e tyre. Për të mundur t’i gjykojmë pa i nxjerrë telashe kokës, pa qenë të ndikuar nga zhurma që del nga goja e tyre, apo nga fytyra e tyre e shqetësuar thellë. Sa u përket kritikëve letrarë, ata urojnë vdekjen e shkrimtarëve sepse u ka ardhur në majë të hundës duke qenë të detyruar për t’i lexuar në vend që të shkruajnë këtë kryeveprën e mallkuar që s’e shkruajnë kurrë.
Vdekja e një shkrimtari është një etapë vendimtare e karrierës së tij. Jean-Edem Hallier ka vdekur i bindur që do ta rilexonim: gënjehej. Guillaume Dustan ka vdekur i bindur që do të harrohej: kishte të drejtë. Edouard Leve është vetëvrarë pa e ditur nëse vepra e tij do të mbijetonte apo jo (përgjigjja është po: “Autoportreti” do të mbetet si më kujtohet i viteve 2000).
Dhe Norman Mailer? Ai ka vdekur sepse ka përtuar ta mbarojë trilogjinë e tij mbi Hitlerin, atë ku ai pohon që Fuhrer ishte fryt i një incesti. Ka vdekur ngaqë e dinte që thelbi i punës së tij ishte mbas tij. Ka vdekur që ne të lexojmë Lakuriqët dhe të vdekurit (1948), Parku i drerëve (1955), Ushtritë e natës (Pulitzer 1969), Beteja e shekullit (1975) dhe Kënga e Xhelatëve (Pulitzer 1980) në vend që të tresim kohën tonë duke lexuar Douglas Kennedy e Paul Auster.
Ai ka vdekur sepse ishte lodhur duke shkruar në indiferencë, duke mos trembur njeri, duke rilexuar në gazeta të përjetshmet madje portrete të tij, rikopjuar mbi ato të shfaqura me daljen e librit të tij të mëparshëm, vetë ata të kopjuar nga dosieri i shtypit të mëparshëm, etj.
Themeluesi i Fshatit Voice ka vdekur për të pushuar së marruri si gazetar e për t’u bërë më në fund romancieri më i madh i romanit të jofiksionit që nga Truman Capote (dhe para Tom Wolfe).
Norman Mailer ka vdekur që lufta e tij në Filipine, angazhimi i tij kundër luftës në Vietnam dhe në Irak, gjashtë gratë, nëntë fëmijët e tij, artikujt e tij në Playboy, shkelja e kurorës me gruan e dytë më 1962, kandidatura e tij pa hir në bashkinë e New York në 1969, bashkëbisedimet e tij të mëdha me Manuel Carcassonne apo Bernard-Henri Levi, të pushojnë së na detyruari për të lexuar romanet e tij.
Norman Mailer ka vdekur që ne ta dëgjojmë më në fund. Jepjani këtë kënaqësi (do të jetë e jona gjithashtu). “Atëherë, në shpirtin tim të ftohtë Irlandezi, shkëlqen një çast drita e dobët e trilleve të mishit, po aq të rralla sa loti i mëshirës më i rralli, dhe fillojmë të qeshim së bashku, pavarësisht të gjithave, ngaqë është aty njëri prej këtyre dialogëve të çuditshme që na japin neve, qenieve fisnike, shpresë për më shumë se një natë” (Fjalia e fundit e parkut të drerëve).
Përktheu: Anila Xhekaliu