Ja çfarë presidenti presin ish pronarët
Rrapo H. Danushi / Shoqata Pronësi me Drejtësi
Nga ndërkombëtarët vazhdimisht bëhet apel që Shqipëria të përshpejtojë reformat që të pranohet vend kandidat në BE. Në Evropë nuk mund të shkohet pa zgjidhur problemin e pronës, sepse Evropianët e kanë respektuar gjithmonë të drejtën e pronësisë..
Ish-pronarët nuk duan një President kukull në duart e politikave antishqiptare.
Kërkojmë një President që të garantojë respektimin e Kushtetutës që të kuptojë dhe të kundërshtojë jo vetëm ligjet e brendshme antikushtetuese për pronën por dhe rekomandimin e fundit të Bankës Botërore, në prill 2012 për menaxhimin e pronës. Të gjithë duhet të dinë se populli shqiptar nuk ka nevojë për armiq të tjerë, pasi për tu shkatërruar mjafton kjo politikë e Bankës Botërore dhe mungesa e vullnetit politik për ta kthyer pronën tek i zoti. Ky raport i specialistëve të BB, me justifikim zgjidhje pragmatike e problemit të pronës, duke mos marrë parasysh asgjë nga vërejtjet që ka ofruar shoqata, e saboton në themel të drejtën e pronësisë, shkel parimet e demokracisë dhe Kushtetutën.
Kërkojmë një President që të angazhojë mazhorancën dhe opozitën për zbatimin e nenit 181 të Kushtetutës, nen i cili me përmbajtjen e tij prapavepruese korrigjon gabimet dhe vjedhjet e bëra nga zyrtarët dhe siguron respektimin e të drejtës së pronës konform detyrimeve kushtetuese dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kërkojmë një President që të jetë produktiv, duke i dhënë fund vjedhjes dhe korrupsionit më pronat që Shqipëria të mos vazhdojë të zhytet më tej në anarkinë e pronës dhe të ndërpriten vrasjet për shkak të pronës. Rikujtojmë politikanët dhe ndërkombëtarët që po anashkalojnë problemin e pronës për përgjegjësinë e tyre për ato mijëra jetë të humbura dhe disa mijëra familje të ngujuara për shkak të ligjeve të gabuara, që në këto 20 vjet krijuan anarkinë e pronës. Shtrojmë pyetjen për Presidentin e ardhshëm, për z. Berisha, z. Rama dhe analistët e politikës: Kush e vrau Skerdilajd Konomin? Ai nuk ishte një aksident automobilistik, por ishte ekzekutim në mënyrë siciliane. E veçojmë dhe e citojmë këtë vrasje nga mijëra të tjera sepse ajo tronditi më shumë dhe vuri në lëvizje të gjithë median e megjithatë nuk u analizua fakti se kjo vrasje dhe mijëra të tjera të ndodhura pas vitit 1991 për pronën e kanë burimin tek ligjet e gabuara dhe rruga e gabuar me pronat. Kur krimi godet, populli stepet. Ky është mosfunksionimi i shtetit ligjor.
Kërkojmë një President që të guxojë të demaskojë ata që vazhdojnë të zbatojnë termat e Ramiz Alisë dhe të platformës së Katovicës dhe i quajnë pronarët ish-pronarë, që flasin në emër të Kushtetutës por e shkelin atë, duke cenuar rëndë identitetin kombëtar, duke u bërë pjesë e politikave antishqiptare që e nxjerrin Shqipërinë në ankand.