E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, shqiptarët shkurtuan shpenzimet për ushqime dhe ilaçe

Perfaqesuesit e BB ne Tirane

Emirjon Senja

Kriza uli të ardhurat mujore të familjeve duke detyruar ato ta mbyllin muajin me më pak shpenzime krahasuar me periudhat e mëparshme dhe për të realizuar këtë, atyre iu desh hiqnin dorë nga disa të mira dhe shërbime. Banka Botërore publikoi dje raportin mbi zhvillimet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore ku përfshihej edhe një studim mbi pasqyrimin e efekteve të krizës ekonomike në këto shtete përfshirë edhe Shqipërinë. Referuar raportit, tre kanë qenë kanalet kryesore të ndikimit të krizës në të ardhurat e familjeve në vend. E para lidhet me uljen e pagës dhe orëve të punës. Për shkak të konsumit të ulët, mjaft kompani prodhuese në vend janë detyruar që ose të ulin prodhimin duke shkaktuar në këtë mënyrë uljen e përfitimeve mujore të individëve. Rasti konkret është ai i sektorit të fasonit, ku të dhënat paraprake flasin për një numër të konsiderueshëm fabrikash që kanë ndaluar aktivitetin në të gjithë vendin në pritje të porosive nga shtete si Italia apo Greqia.

Kanali i dytë është ai i humbjes së vendeve të punës. Krahas fasonit, sektor problematik gjatë muajve të krizës është shfaqur edhe ai i ndërtimit, ku biznese të ndryshme janë detyruar të ndërmarrin shkurtimet masive të punonjësve apo ulje të pagave të tyre, të dhëna të pasqyruara edhe në raportet periodike të Bankës së Shqipërisë. Kanali i tretë por jo më pak i rëndësishëm është ai i uljes së dërgesave të emigrantëve sipas Bankës Botërore. Dërgesat kanë pasur një ecuri negative që prej vitit 2009 duke arritur në fund të vitit 2011 në rreth 600 milionë euro në total.

Përballë kësaj situate, familjet kanë qenë të detyruara që të shkurtojnë disa nga shpenzimet mujore të tyre. Të dhënat tregojnë se krahas shpenzimeve për mallra luksi, familjet kanë prerë edhe shpenzime për marrjen e shërbimeve të domosdoshme siç është përshembull vizita tek mjeku.

Katër janë format kryesore se si familjet shqiptare i janë përgjigjur uljes së të ardhurave.

E para, ka qenë shkurtimi i shpenzimeve për ato që quhen mallra të luksit. Shkurtime të tjera shpenzimesh janë vërejtur tek ato për pushime. Deri këtu jemi në rregull, pasi në raste të tilla të parat që preken janë ulja e konsumit të mallrave të luksit dhe pushimet me më pak shpenzime. Këto shpenzime i kanë shkurtuar ato familje që kanë pasur të ardhura mbi mesataren, ndërsa shumica janë detyruar të shkurtojnë shpenzimet edhe për ushqime. Raporti tregon se shkurtimi i shpenzimeve për ushqime është vërejtur në 40 për qind të rasteve. Krahas kësaj duket se në jo pak raste, familjet janë detyruar që të ndërmarrin shkurtime edhe në blerjen e ilaçeve apo kryerjen e vizitave të parashikuara mjekësore. Për të përballuar ndikimin e krizës, familjet shkurtojnë para së gjithash konsumin e mallrave të luksit dhe disa shërbime të zgjedhura . Megjithatë, kriza ka prekur më shumë se sa vetëm konsumin e mallrave të luksit. Afërsisht një e pesta e popullsisë në Shqipëri dhe Maqedoni raportojnë që u është dashur të ndërpresin blerjen e barnave apo të shtyjnë vizitën tek mjeku. Shfaqja e këtyre strategjive të përballimit më ekstreme si reduktimi i konsumit të ushqimeve kryesore, shtyrja e trajtimit mjekësor apo vonesa në pagesën e faturave të shërbimeve është më e lartë në radhët e atyre që janë në pragun e poshtëm të konsumit, – theksohet në raportin e Bankës Botërore. Shqiptarët sipas Bankës Botërore kanë ulur shpenzimet edhe për blerje alkooli apo cigaresh.

Ekonomia, rritje minimale këtë vit

Shqipëria duket e do të ketë rritjen ekonomike më të ulët gjatë këtyre viteve të fundit në 2012. Banka Botërore shpjegon se ky vit do të jetë periudha kur rajoni do të përballet me rritje minimale ekonomike, e cila pritet të përmirësohet gjatë vitit të ardhshëm. Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike prej 1.6 për qind gjatë këtij viti në vendin tonë. Kjo është një rritje disa herë më e vogël krahasuar me parashikimet e qeverisë (4.3 për qind). Megjithatë, qeveria ka paralajmëruar tashmë ndryshime në buxhetin e këtij viti së afërmi, ku pritet edhe një rishikim i parashikimeve për rritjen ekonomike. Gjasat janë që shkurtimet më të mëdha të ndërmerren si gjithnjë tek shpenzimet për investime publike. Ky vit do të jetë periudha kur vendi do të ketë një rritje minimale, ndërsa banka parashikon një rigjenerim të ekonomisë gjatë vitit të ardhshëm. Sipas BB-së, rritja ekonomike e vendit gjatë 2013-ës do të jetë 2.5 për qind. Në lidhje me këtë komentoi edhe drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovsky e cila theksoi se në kushtet kur kemi të bëjmë me një rritje të ulët ekonomike, vendi duhet të orientohet drejt mbrojtjes së të varfërve. Është 2 apo 1.6 apo 3 për qind, nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Është një rritje e dobët dhe e pamjaftueshme për të luftuar varfërinë dhe papunësinë. Një rritje e ngadaltë nuk mund të jetë një rritje që shkon për të varfrit. Pikërisht për këtë arsye, prioriteti kryesor i Shqipërisë duhet të jetë mbrojtja për të varfrit, – tha ajo.

Por Shqipëria nuk do të jetë e vetmja me rritje të ulët ekonomike gjatë këtij viti por edhe me risqe të tjera. Të dhënat tregojnë se të gjithë qeveritë e rajonit do të gjenden në vështirësi të mëdha në realizimin e të ardhurave apo mbajtjen nën kontroll të Borxhit Publik. Është për tu theksuar se rimëkëmbja e vendeve të Evropës Juglindore do të vazhdojë të mbetet pas asaj të vendeve të tjera në tranzicion dhe në zhvillim të cilat kanë më pak lidhje globale të përqendruara më në Evropë. Ndryshimi fiskal do të duhet të vazhdojë në rrethana më të vështira ashtu si dhe përpjekjet për të ruajtur nivelet e borxhit publik për të mos u afruar pragut të paqëndrueshmërisë. Rritja e kredisë ka të ngjarë të mbetet e dobët, dhe sektori financiar, gjithnjë e më i varur nga depozitat lokale ndërkohë që vazhdon tkurrja e kreditimit të bankave evropiane, duhet në të njëjtën kohë të përballet dhe me nivelet e rritura të kredive me problem, – thekson raporti.

Rritja ekonomike nuk po ul papunësinë

Edhe pse me ritme të ulta krahasuar me vitet e mëparshme, Shqipëria ka vijuar të ketë rritje ekonomike pavarësisht se treguesit janë minimal. Megjithatë, një tregues i tillë nuk ka ndikuar drejtpërdrejtë në uljen e papunësisë. Një fenomen i tillë vërehet thuajse në të gjithë rajonin sipas raportit të Bankës Botërore mbi zhvillimet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore. Duke parë përpara, niveli i papunësisë dhe problemet e tjera të tregut të punës të diskutuara më sipër sugjerojnë që vendet duhet të marrin në konsideratë masa më agresive për të trajtuar papunësinë, veçanërisht papunësinë e moshave të reja. Kjo mund të përfshinte përshkallëzimin e masave dhe programeve ekzistuese të cilat janë provuar që janë efiçente dhe efektive brenda kufizimit të përgjithshëm buxhetor dhe, ndoshta, duke eksperimentuar bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare investimet e huaja, – shpjegohet në raport.

Pagesat e prapambetura, po rrisin kredinë me probleme

Borxhi publik i vendit përbën shqetësim për Bankën Botërore me gjithë hapat e ndërmarra nga qeveria për uljen e tij. Megjithatë, ekspertët e BB-së shpalosën dje edhe një tjetër problem që e ka jo vetëm Shqipëria por edhe vendet e tjera të rajonit në lidhje me borxhin. Ai ka të bëjë me faturat e prapambetura. Vendet me të vërtetë kanë përcaktuar një kufi maksimal të borxhit por në të nuk janë përfshirë faturat e papaguara të sektorit publik ndaj atij privat duke sjellë rrjedhimisht edhe probleme me kreditë e këqija më pas. Shumica e vendeve të Evropës Juglindo

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›