E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja cilët janë ATA që votojnë për KËTA

Nga Inida Gjata ZHAKU

Gazeta “TemA” së shpejti nëpërmjet një vendimi të “prerë” nga qeveria e “Tij”, do të shpallet “rrezik kombëtar” .

Kësisoj, e shastisur prej asaj që nënkupton qeveria e “Tij” me fjalën “RREZIK”, nisa të shqetësohem për “Kombin”, të cilin kjo gazetë e kërcënuaka fort!

Zakonisht, rrezikun është në gjendje ta parashikojë vetëm i rrezikshmi. Edhe kombin e nëpërkëmb lehtësisht dhe e fut pa teklif në çdo lloj valleje, vetëm ai që nuk ka respekt e dashuri për të. Kështu që, sipas këtij arsyetimi, Rrezik për Kombin në të vërtetë përbën “Qeveria e Tij”!

Jo sepse është qeveri Gërdecash. Jo, jo, në asnjë mënyrë!

As sepse është qeveri e përfshirë nëpër pazare, të cilat, në mos janë korruptive, janë absurde.

As sepse përbëhet, përveçse nga të padenjë, edhe nga të paaftë.

As sepse e ka ndërtuar veten e vet me dosje përplot të mbushura me demagogji dhe propagandë trushpëlarëse.

As sepse shet 970 mijë metra pasuri kombëtare 1 euro për investime jokombëtare.

As sepse është krejtësisht indiferente ndaj shtresës më në nevojë të shoqërisë, e cila për fat të keq përfaqësohet nga 2/3 e popullsisë.

As sepse është krejtësisht nepotike.

As sepse është thjesht klienteliste.

As sepse shitet e blihet për hir të pushtetit për hiçmosgjë.

Por, sepse e sheh dhe e gjen rrezikun kudo.

Gazeta “TemA” shtypshkronjën e saj e ka ngjitur me ambientin ku do të prodhohen kartat e identitetit, të cilat më në fund, pas gati një mandati të tërë, do të nisin të prodhohen e jo vetëm t’i shërbehen popullit si një nga sukseset e qeverisë, por edhe si një karrem për një mandat të ri. (Sepse pallavrat rreth kartave do ta bëjnë ëndrrën evropiane më të prekshme për shqiptarët e shkretë që kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë të mbeten viktima të hirit mbi sy.)

Ndaj dhe, sipas arsyetimit të “Qeverisë së Tij”, kjo gazetë përbën “RREZIK!” për këtë arsye.

Sepse, “Qeveria e Tij” ka frikë se mos gazetës i shkrepet një ditë të botojë nëpër faqet e saj të gjithë emrat e gati 3 milionë shqiptarëve, nën titullin: “Ja cilët janë ATA që votojnë për KËTA”!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›