E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënë Jovanka sheh në ëndërr Lulin e burgosur

Nga Tema

Antena brenda familjes

I dashur Damir.

T’u bëftë nëna, kam marrë ca palo habere andej nga Shqipëria, ndaj po të shkruaj.

Atij mikut tënd, Lulit, sikur iu sos vaji i kandilit më duket, po i mblidhet litari ditë pas dite, thonë gojët e liga.

Unë sigurisht i marr me rezerva këto lajme që më vijnë, se e di që ju keni atë burrin që ju ruan si engjëll mbrojtës mbi krye. Engjëll jo xhanëm, po nejse, ashtu na e do puna të themi.

Jo dhe aq për burrni, siç i thonë andej nga Shqipëria, por më shumë për faktin se janë pleksur keq edhe fëmijët e tij me ju, dhe do, s’do ai, ju jeni në një varkë.

Po u mbyt njëri, mbyteni të gjithë, ndaj duhet ta mbani fort shoqi-shoqin, se vetëm kështu kini ndonjë shpresë mos shpëtoni.

Po nejse, s’është kjo arsyeja që të shkrova, por diçka tjetër, një ëndërr e tmerrshme që kam parë këto ditë e që s’mund të rrija pa ta treguar.

Jo se besoj tek ëndrrat, se ato ndodh edhe që s’dalin, por tani që e kemi mizën nën kësulë, siç i thonë fjalës, jemi bërë edhe pak paranojakë.

Që thua ti, pashë një ëndërr që më ngjethi mishtë.

Pashë atë shokun tënd, Lulin, sikur ia bënë gropën ata që s’e duan, e çuan në burg, se s’tregonte shokët, d.m.th., ty, Gitën, Erionin, Fluturën dhe Saliun.

U hap me vringëllimë llozi i parë i një dere të rëndë i një burgu me numër shansi, 313. Pastaj u hap llozi i dytë, i treti e kështu me radhë.

Dashkan ta mbyllin me shtatë kyçe më duket dhe çelësat kushedi ku i hedhin, qenka serioze puna dhe duhet vrarë mendja në duhet ta mbajmë më apo t’i bëjmë dalje, të themi s’e njohim që të shpëtojmë veten.

Pastaj m’u bë sikur përshkoi me një hap të gjatë një korridor burgu me dyer nga të dy anët, me penxhere të vogla katrore nëpër dyer.

- Hape 13-ën, - thoshte zëri i trashë i gardianit.

Prapë numër shansi është edhe 13-ta, mbase s’më del ëndrra ose mbase e shpëton Saliu.

Luli mbahej mirë deri atëherë, kokën lart dhe nuk shihte as majtas, as djathtas, si hero hiqej.

Pastaj u dëgjua një zë i trashë krimineli që e kërkonte.

- Ma bini mua, se qenka si vajzë, i bardhë e bukurosh. Do ta mësoj si të vjedhë e të mos lërë gjurmë. Për një muaj e bëj çeço, do ta shihni, e bëj usta.

Gardiani bëri sikur s’e dëgjoi, se më duket se edhe ai trembej për vete dhe i bindej të burgosurit.

Më e tmerrshmja qe kur i sollën drekën. Ca copa preshi që notonin në lëng, e që bënin be se kuzhinieri i grinte mbi thembrën e këpucës.

Lëre batanijet që i dhanë për të hedhur përsipër, ç’erë të shpifur binin, kushedi si e kishin pasur ngjyrën kur qenë blerë me tender e sa shtresa lëngjesh fiziologjike mbanin përsipër.

Për një gjysme dite s’kish mbetur gjë prej gjeje nga ai djali i kollarisur e kokoroç. U bë tjetri një grusht si tullumbace e shfryrë. Edhe heronjtë çoku tremben kur ua ndjen prapanica lagështirën.

Nuk e di si do ta përballojë po e futën me gjithë mend.

Vetëm bërja e urinës me orar dhe ajrimi një orë në ditë janë gjëra që s’durohen.

Lëre, lëre, po mynxyra ishte më tutje.

M’u bë sikur e lanë në baltë të gjithë. Xeni ishte fshehur andej nga ajo shtëpia e bixhozit të së shoqes dhe s’i dilte për karshi. Gita bënte parimoren duke thënë nëpër TV, “po ka gabuar, të marrë dënimin e merituar”. Ai burri iu shmangej gazetarëve dhe nuk prononcohej për të, e gjoja nuk donte të ndërhynte në punët e drejtësisë, megjithëse i kish zhytur duart deri në bërryl në atë gjiriz.

Edhe Aurela ia kish mbathur jashtë në Holandë dhe vetëm Xhaferri me Xhanën i binin nga një copë bukë e nga një palë tuta sporti.

Ti po kishe ikur i pari, se helbete i vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët dhe do shpëtoje kokën tënde, domosdo, dhe kish mbetur vetëm i ziu djalë.

Pastaj m’u bë sikur e dënuan dhe e dërguan në një burg me emër të përafërt me Pekinin, ku qe komshi me Nehat Kullën dhe merreshin vesh me të trokitur në mur. Se ç’do Kina në Shqipëri, as sot s’e kam marrë vesh.

S’e di, s’e di, po keq m’u dukën punët, edhe pse qe ëndërr. I ka bërë punët lesh arapi djali, ka rendur pas parave dhe s’ka parë ç’gjurmë ka lënë pas. Edhe ti, të keqen nëna, s’para kujdesesh shumë për të fshirë gjurmët, ndaj ta kam aq shumë merakun. Dhe ti, po të futën brenda, s’hiqesh dot as si hero, siç bën Lulzimi, se s’të shkon, ndaj mos u duk ca kohë andej nga Shqipëria, edhe po të dha besë ai miku yt, Saliu. Më erdhi keq për Lulin, se duket dhe djalë i mirë.

Kam marrë vesh se mund të jetë dhe i fisëm, se e ëma thonë ka punuar infermiere në “Bllok” të udhëheqësve dhe është dekoruar për punë të mirë. Dhe këto infermieret bëjnë fëmijë të fisëm, e di unë.

Tani po e mbyll. Uroj që të ketë qenë ëndërr, se po u bë realitet, na mori lumi edhe ne, edhe ata miqtë e tu, se ai do fillojë të cicërojë, po e futën brenda dhe do t’ju nxjerrë cullak të tërëve, se nuk ka aftësi presionmbajtëse, është ca bythëpambuk.

Ndaj hiqi ato lekët nga Shqipëria e varrosi në ndonjë bankë në Qipro, atje ku s’t’i kontrollon dot njeri.

Të puth me mall, nëna jote Jovanka, që të do shumë e që të ka merakun edhe në gjumë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›