Ja harta e demontimit të armatimeve, dëmshpërblim për pasojat

Në projektligj përcaktohen sipërfaqet e territorit, prona të shtetit apo në pronësi të subjekteve të tjera, të cilat mund të përdoren si poligone për asgjësimin e municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe mënyrën e administrimit të tyre.
Sakaq, sanksionohet me ligj që dëmet e shkaktuara, si rrjedhojë e asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kompensohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sipas marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe palëve të dëmtuara.
Detajet
Në kuptim të këtij ligji, me “Poligon për asgjësimin e municioneve”, nënkuptohet një sipërfaqe territori, me përmasa e kufizime të caktuara, që shërben për asgjësimin e municioneve të kalibrave të ndryshme, në përdorim të Forcave të Armatosura.
Kurse “Zonë sigurie”, një sipërfaqe territori, hapësire, ajrore dhe detare, që kufizon, nga të gjitha anët, rrethore, poligonin për zhvillimin normal të asgjësimit të municioneve luftarake.
Poligonet e asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura përcaktohen në këtë ligj.
Këto poligone mund të përdoren edhe për asgjësimin e municioneve të Policisë së Shtetit dhe të municioneve, të kapura e të grumbulluara nga kjo polici. Asgjësimi i municioneve, për këtë rast, do të bëhet sipas një marrëveshjeje, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme.
Poligonet për asgjësimin e municioneve
Poligonet për asgjësimin e municioneve të Forcave të Armatosura janë përcaktuar:
a) Poligoni “Livadhet e Hamzit”, Pukë;
b) Poligoni “Shën Noi Madh”, Bizë;
c) Poligoni “Zgarë”, Librazhd;
ç) Poligoni i Shënmrisë, Gramsh;
d) Poligoni “Përroi i Bigazit”, Skrapar;
dh) Poligoni “Fushë Roshaj”, Voskopojë;
e) Poligoni i Trajlarit, Këlcyrë;
ë) Poligoni “Jubë”, Sukth, Durrës.
Administrimi i poligoneve
Sipërfaqja e territorit të poligoneve të asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës së asgjësimit të tyre, administrohet nga Ministria e Mbrojtjes.
Sipërfaqja e tokës së poligoneve, që nuk është pronë shtetërore, do të merret, për nevoja të asgjësimit të municioneve, në përdorim të përkohshëm, në përputhje me ligjin nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”.
Marrja e një sipërfaqeje toke jashtë poligonit
Ministria e Mbrojtjes, për nevoja të asgjësimit të municioneve, mund të marrë, në raste të veçanta, në përdorim të përkohshëm, një sipërfaqe jashtë territoreve të poligoneve të përcaktuara në këtë ligj, vetëm sipas ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”.
Funksionimi i poligoneve
Për funksionimin dhe administrimin e poligoneve, ministri i Mbrojtjes miraton rregulloret përkatëse, të propozuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Miratimi paraprak i kërkesës për ndërtim
Ndërtimi i objekteve ushtarake, të përkohshme dhe të përhershme, brenda territorit të poligoneve dhe brezit të sigurisë bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vetëm me miratimin paraprak të ministrit të Mbrojtjes.
Rajone tokësore, hapësira detare dhe korridore ajrore të kufizuara
Ministria e Mbrojtjes, për nevoja të asgjësimit të municioneve, përcakton rajone tokësore, hapësira detare e korridore ajrore të kufizuara përkohësisht për qarkullim, lundrim, fluturim, gjueti e çdo veprimtari tjetër, që krijon premisa për shkaktim dëmi, duke njoftuar 30 ditë përpara, me shkrim, organet përkatëse.
Për përcaktimin e zonave të kufizuara dhe njoftimin e organeve përkatëse, në zbatim të këtij neni, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nxjerrin një udhëzim të përbashkët.
Vendet e ndaluara për realizimin e asgjësimit të municioneve
Ndalohet realizimi i asgjësimit të municioneve në det, jashtë kufirit shtetëror, dhe jo më afër se 4 km nga instalimet e shpimit dhe të shfrytëzimit të naftës, nga qendrat e banuara, rezervuarët, digat dhe vendet me rezerva të burimeve nënujore, monumentet e natyrës, monumentet e kulturës, të kategorisë I e II, si dhe në zonat e tyre të mbrojtura, në korridoret e hyrjes e të daljes së aviacionit civil, në hapësirën ajrore të vendit.
Kompensimi i dëmeve dhe njoftimi i popullsisë
Mënyra e kompensimit të dëmeve
Dëmet e shkaktuara, si rrjedhojë e asgjësimit të municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kompensohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe sipas marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe palëve të dëmtuara. Nëse konflikti nuk zgjidhet me marrëveshje, atëherë palët i drejtohen gjykatës përkatëse.
Dëmtimet e mjedisit
Dëmet, që i shkaktohen mjedisit, si pasojë e asgjësimit të municioneve luftarake, rimbursohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, megjithëse forcat ushtarake, që kryejnë asgjësimin e municioneve në këto poligone, janë të detyruara të marrin masat e nevojshme, për të minimizuar në maksimum dëmet, që mund t’i shkaktohen mjedisit.
Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nxjerrin udhëzimin e përbashkët, për mënyrën e kthimit në gjendjen fillestare të mjedisit të dëmtuar dhe të rimbursimit të fondeve të nevojshme.
Bashkëpunimi me institucionet
Njësitë përkatëse të Forcave të Armatosura, 30 ditë përpara zhvillimit të asgjësimit të municioneve, njoftojnë organet e qeverisjes vendore, në territorin e të cilave shtrihet poligoni, apo të atyre, me të cilat kufizohet poligoni.
Organet e qeverisjes vendore janë të detyruara, që, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së e njoftimit, të bëjnë njoftimin e popullsisë përreth. Njoftimi të bëhet 5 ditë rresht në gazetat vendore, televizionet vendore, si dhe, për komunat, që nuk i kanë këto mjete, me shpallje në një vend të dukshëm.
Ministria e Mbrojtjes bashkëpunon me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, për kryerjen në terren të survejimit arkeologjik, para fillimit të operacioneve të asgjësimit të municioneve, si dhe gjatë kohës së kryerjes së tyre.
Ministria e Mbrojtjes bashkëpunon me Komitetin Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës për parandalimin e dëmtimeve, që mund t’i bëhen tokës bujqësore, gjatë kryerjes së asgjësimit të municioneve në poligone.
Nxjerrja e akteve nënligjore
Këshilli i Ministrave tha se do të ngarkohen për zbatimin e ligjit që pritet të kalojë së shpejti për shqyrtim në Kuvend, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Këto institucione, duhet që brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, të nxjerrin udhëzimin e përbashkët.
k.e/NOA