E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja lista e dokumenteve shtesë që parlamenti i kërkon prokurorisë lidhur me heqjen e imunitetit të deputetit Mediu

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në cilësinë e kryetares së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve i kërkoi dje Prokurorisë së Përgjithshme dokumente të tjera shtesë, lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit republikan, Fatmir Mediu, për ngjarjen e Gërdecit. Përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryeprokurores Ina Rama, znj. Topalli ndërsa shpreh angazhimin e Kuvendit për të mbështetur Prokurorinë në hetimin e Gërdecit, thekson se “dosja juaj për heqjen e imunitetit të Mediu, pa përjashtim nga të gjithë deputetët, të mazhorancës e opozitës, anëtarë të Këshillit të Rregullores u konsiderua e mangët për të faktuar pretendimet e kërkesës tuaj. Në mënyrë të veçantë,
jo i bazuar, është gjetur pretendimi juaj se në proces nuk janë përshirë Forcat e Armatosura”. “Zoti Mediu ka deklaruar para Këshillit se janë rreth 30 dokumente zyrtare që faktojnë se çdo gjë është e miratuar dhe e përcaktuar nga autoritetet ushtarake të të gjithë niveleve sipas detyrës. Është në detyrën tuaj t’i paraqitni Parlamentit dokumentet e plota, të cilat faktojnë pretendimin tuaj për mospërfshirjen e Forcave të Armatosura në këtë proces, në mënyrë që ky Parlament të gjykojë e të marrë vendimin që duhet”, citohet kërkesa e kryetares së Kuvendit. Sipas saj, në media janë botuar dokumente që vërtetojnë katërcipërisht se autoritetet ushtarake janë të përfshira në çdo etapë të këtij proçesi, nga fillimi deri në momentin e eksplozionit katastrofik”. “Për të shmangur çdo lloj keqkuptimi për njëanësi, duhet të sillni çdo dokument për këtë çështje dhe të faktoni ku është shmangur autoriteti ushtarak, meqë në përzjedhjen e vendit, në transportin e qindra tonë predhave në ditë, të të gjithë kalibrave, me vizitat në vendgjarje, në ruajtjen e vendit, e deri në dërgimin e fadromave e kontenierëve, dokumente të bëra publike ne media provojnë se, në këtë çështje janë përfshirë, kanë patur dijeni, kanë firmosur në të gjitha dokumentet që përbëjnë bazën e proçesit që solli atë katastrofë, autoritetet ushtarake të gjithë niveleve të vendit”, thuhet në kërkesën drejtuar Prokurorisë.
SHBA: Hetimi mbi Gërdecin të jetë i paanshëm dhe i bazuar plotësisht mbi fakte ligjore/Shtetet e Bashkuara mbeten në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore në lidhje me tragjedinë e ndodhur 15 marsin e shkuara në Gërdec. Garancia i është dhënë dje Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama nga ana e ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, gjatë një takimi që zhvilloi me mjediset e ambasadës dje pasdite. Sipas burimeve zyrtare, kryeprokurorja Rama e informoi ambasadorin amerikan mbi aspektet publike të një serie hetimesh në vazhdim, përfshi në mënyrë specifike atë të Gërdecit. Nga ana e tij zoti Uidhers e siguroi Prokuroren e Përgjithshme se qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. Sipas tij qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që vetëm faktet do të jenë përbërësi kritik për të përcaktuar gamën dhe natyrën e hetimit. “Qeveria amerikane do të shihte e zhgënjyer dhe e alarmuar çfarëdo përpjekjeje për t’ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. Është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme, dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo, është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar” - thuhet në deklaratë. Gjithnjë sipas deklaratës zyrtare ambasadori Uidhers ka deklaruar mes të tjerash se qeveria dhe populli amerikan “do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit”.

Për të plotësuar dosjen, mbi bazën e kërkesave së deputetëve, kërkohet:

1. Praktika shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, etj) e Urdhërit të Ministrit të Mbrojtjes nr.550, datë 25.4.2007 “Për zbatimin e Vendimit nr.138, datë 25.4.2007 të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe paisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, përsa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitalizim të një sasie municioni”.
2. Detyrat që ka lënë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhërat që ai ka nxjerrë në zbatim të Urdhërit të Ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.4.2007.
3. Shkresa nr.7395, datë 17.9.2007 e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes dhe praktika shoqëruese e saj.
4. MEMO e datës 22.11.2007 nga Drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
5. MEMO e datës 22.11.2007 nga Drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
6. Praktika shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, etj) e Urdhërit të Ministrit të Mbrojtjes nr.2044, datë 7.12.2007 “Për zbatimin e Vendimit nr.138, datë 25.4.2007 të Këshillit të Ministrave “Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO”.
7. Detyrat që ka lënë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhërat që ai ka nxjerrë në zbatim të Urdhërit të Ministrit të Mbrojtjes nr.2044, datë 7.12.2007.
8. Dokumentacioni që rregullon licencimin e depove të armatim municioneve.
9. Komunikatat ditore të Qendrës Operacionale për lëvizjen dhe transportimin e municioneve për në Gërdec, si dhe raportin e Ministrisë së Mbrojtjes, Qendra Operacionale e Mbrojtjes datë 23.03.2008", përfundon kërkesa e kryetares së Kuvendit, drejtuar kryeprokurores Rama.
Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›