Liberalizimi i vizave, kapërcehet edhe një stacion tjetër në rrugën drejt heqjes së plotë të tyre
Udhërrëfyesi i prezantuar nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë përmban kriteret që autoritetet shqiptare duhet të plotësojnë për të bërë të mundur qarkullimin e qytetarëve shqiptarë pa viza në territorin e BE-së brenda pak vitesh. Ky udhërrefyes i është prezantuar në mënyrë ceremoniale ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha nga drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Zgjerimit, Michael Leigh. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot, i ngarkuar për Lirinë, Sigurinë dhe Drejtësinë, përshëndeti dje dorëzimin e Udhëzuesit për liberalizimin e vizave Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, gjatë një ceremonie të mbajtur në Bruksel, bënë të ditur, të martën në një deklaratë për shtyp, burimet zyrtare të Delegacionit të KE-së në Tiranë. Sipas këtyre burimeve, Udhëzuesi jep indikacione të qarta për autoritetet shqiptare për masat që duhen marrë në mënyrë që të mund t’u sigurohet lëvizje e lirë pa viza për të gjithë qytetarët shqiptarë. Zëvendëspresidenti Barrot u shpreh se "Unë i jap një rëndësi të veçantë lehtësimit të kontakteve njerëzore veçanërisht për brezin e ri. Jam i bindur se kushte më të lehta udhëtimi do të rrisin mirëkuptimin e përbashkët dhe do të përmirësojnë marrëdhëniet tona në të gjitha fushat. Udhëzuesi për lehtësimin e vizave është sigurisht një hap tjetër i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian". "Kështu, udhëzuesi u ofron më shumë avantazhe qytetarëve të Shqipërisë", vazhdoi Zëvendëspresidenti Barrot, "sepse do ta nxisë vendin të vazhdojë vënien në jetë të reformave të nevojshme si dhe të forcojë bashkëpunimin në nivel rajonal dhe me Bashkimin Evropian në fusha të tilla si forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit". Udhërrëfyesi, i cili përmban objektivat që duhet të plotësojë Shqipëria për të liberalizuar regjimin e vizave me BE-në, vjen në një kohë kur Marrëveshja e Lehtësimit të vizave për shtetasit shqiptarë ka hyrë në fuqi që në fillim të këtij viti. Liberalizimi i vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor ishte një objektiv i vendosur në Samitin e Selanikut të vitit 2003, ndërkohë që dje është hedhur një hap i sigurt drejt arritjes së këtij objektivi. Momenti i dorëzimit të Udhërrëfyesit shënon një hap të rëndësishëm në kuadrin e dialogut për heqjen e vizave ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Ky përbën me të vërtetë një rezultat pozitiv të dialogut aktiv BE-Shqipëri në përgjithësi dhe mbi liberalizimin e vizave në veçanti. Më 7 Mars 2008, në emër të BE-së, Frattini përcolli mesazhin politik pozitiv dhe të fuqishëm, duke çelur procesin me një qëllim të përbashkët - lëvizjen e lire të shtetasve shqiptarë. Sot kjo ceremoni shënon një zhvillim dhe vlerësim të mirëpritur dhe të vlerësuar. Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha theksoi se qeveria shqiptare e konsideron të një rëndësie të veçantë këtë proces dhe është e gatshme të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky dokument dhe të zbatojë reformat e duhura, me synimin e qartë, realizimin e tij në kohë. Ministri Basha theksoi se “dorëzimi i Udhërrëfyesit përbën etapë të rëndësishme në proçesin e liberalizimit të vizave me BE-në dhe është fryt i reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Shqipëria është drejt përmbushjes së plotë të pjesës më të madhe të objektivave të përshkruara në Udhërrëfyes. Ndërkohë që rezultatet e arritura kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, konsolidimit të shtetit ligjor dhe reformat elektorale dhe në gjyqësor, si dhe përparimi i dukshëm ekonomik, fiskal dhe në administrimin e të ardhura, cilësohet nga vendet anëtare të BE-së si shembull për rajonin tonë. Shqipëria ka përjetuar transformimet më të thella nga të gjitha vendet e rajonit vitet e fundit. Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave është dëshmia më e fundit e përparimit të bërë nga Shqipëria dhe besimi që partnerët tanë europiane kanë tek ne. Ndërsa Michael Leigh e vlerësoi këtë hap si shumë të rëndësishëm dhe si një shenjë të vullnetit politik të BE-së që njeh dhe mbështet arritjet e Shqipërisë. Ai vlerësoi lart ritmin dhe rezultatet e reformave në Shqipëri duke veçuar ato që lidhen drejtpërdrejt me liberalizimin e vizave, prodhimin e pasaportave biometrike, lufta kundër trafiqeve dhe siguria e kufijve, lufta kundër korrupsionit, etj. Leigh vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si faktor i përhershëm paqe dhe stabiliteti në rajonin tonë. Në përfundim, Ministri Basha theksoi se procesi i liberalizimit të vizave është veçanërisht i rëndësishëm për brezin e ri në Shqipëri, duke patur parasysh se popullsia shqiptare është mjaft e re në moshë. Të rinjtë sot përfaqësojnë forcat moderne europiane si dhe të ardhmen europiane në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor