Ja pagat e reja për punonjësit e administratës tatimore
Zbardhet vendimi i qeverisë për rritjen e pagave të punonjësve të administratës tatimore nga drejtori e deri tek inspektorët. Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria shtesa e pagës për drejtorët e përgjithshëm të tatimeve do të jetë 20 mijë lekë, ndërsa për nëndrejtorët 15 mijë. Shtesën më të ulët për kushte pune do ta përfitojnë nëninspektorët me 10 mijë lekë. Ndërsa shtesa që përfitohet për vjetërsi në punë jepet 2 për qind pas çdo viti pune, por jo më shumë se 25 për qind dhe llogaritet mbi pagën e grupit. Për nëninspektorët shtesa për vjetërsi në punë jepet 1 për qind pas çdo viti pune dhe llogaritet mbi bazën e pozicionit. Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga fondet e miratuara për sistemin e tatimeve në buxhetin e vitit 2009. Ndërkohë, për sa i përket punonjësve që punojnë me kohë të pjesshme pranë administratës tatimore, nuk janë paguar që nga muaji korrik. Me miratimin e një vendimi në korrik të 2008-ës “Për pagat e punonjësve mbështetës në institucionet buxhetore dhe të nëpunësve në disa institucione buxhetore”, u shfuqizua vendimi i vitit 2000. Por në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi të ri punonjësit mbështetës e administratës tatimore mbetën pa pagë. Në këto kushte qeveria e pa si të domosdoshme ndryshimin e këtij vendimi. Me miratimin e këtij ndryshimi, punonjësit ndihmës të administratës tatimore do të mund të marrin pagën e tyre të prapambetur. Efekti financiar i ndryshimit të këtij vendimi do të përballohet nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për rritjen e pagave për vitin 2008 për sistemin tatimor.