E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri: “Skela duhet të vrapojë më shumë”



Edhe një lojtar i madh, - të paktën për formatin e Energi Kotbusit, - si Ervin Skela, mund të kritikohet publikisht nga trajneri. Slloveni 55-vjeçar Bojan Prasnikar i ka tërhequr vëmendjen fantazistit shqiptar, duke i kërkuar të impenjohet më shumë në ndeshjet e fazës së dytë, shumë përcaktuese për mbijetesën e Energi Kotbustit në Bundesligën 1 gjermane. “Përgjithësisht ka bërë pak me atë që (Skela) ka treguar. Ai duhet të vrapojë më shumë se në fazën e parë, këtë pres unë nga ai. Pastaj, sigurisht që do të vijë edhe forma dhe golat e tij të rrezikshëm”, - citohet trajneri nga faqja sportive gjermane kicker.de, vetëm një javë para se Kotbusi i tij të përballet me kryesuesin e Bundesligës gjermane, Hofenhajmin. Edhe sulmuesi bullgar, Dimitar Rangelov, nuk u ka shpëtuar kritikave, madje edhe më të ashpra, duke i treguar edhe rrugën e largimit. “Ka bërë shumë pak. Ai nuk është më një lojtar i formacionit bazë. Ai duhet të fitojë shanset e tij diku tjetër”, - tha Prasnikar, i cili do të jetë trajneri i Kotbusit deri në vitin 2010.
CANA – Lorik Cana do të jetë në fushë më 8 shkurt 2009, në ndeshjen e javës së 23-të të kampionatit francez kundër Bordosë, ose tri ditë para ndeshjes ndërkombëtare të Shqipërisë kundër Maltës (11 shkurt). Lajmi për kapitenin shqiptar të Olimpikut të Marsejës u dha nga faqja zyrtare e klubit, që thekson se kjo do të varet edhe se si do të ecë rikuperimi i gjurit të tij. Cana u dëmtua në gju në ndeshjen e fundit të vitit 2008 kundër Nansit, dhe fillimisht u tha se atij i duheshin dhjetë ditë për t’iu rikthyer futbollit të luajtur, por tashmë po bën gati një muaj që ai u mungon kompeticioneve. Edhe pse iu bashkua skuadrës në stërvitje të martën, mesfushori shkatërrues i kërkuar nga Hamburgu, Interi e Evertoni, duhet të bëjë edhe 15 ditë të tjera durim.

Behrami, fituesi i madh në Premier Ligë

Faqja e specializuar sportive zvicerane, sportal.ch, e ka vlerësuar pozitive paraqitjen e Valon Behramit me Uest Hamin në kampionatin anglez. “Valon Behrami u transferua në verën e vitit 2008 nga Lacio te ‘çekiçët’ dhe brenda një kohe të shkurtër tashmë ka lënë emrin e tij në Premier Ligë”. Kosovari me pasaportë zvicerane është aktivizuar deri tani në 22 ndeshje, prej të cilave 19 nga minuta e parë, duke shënuar një gol në transfertë. Investitorët islandezë të Uest Hamit për momentin ndodhen në krizë financiare dhe ka të ngjarë që ta lejojnë Behramin të largohet gjatë merkatos dimërore. Sipas gazetës angleze “Sunday People”, interesim për Behramin kanë treguar Çelsi, Juventusi e Sevilja. Gjithmonë sipas “Sunday People”, oferta e Çelsit për Behramin është 10 milionë euro. Faktin e konfirmon edhe menaxheri i Behramit, Beltrani, i cili i rrëfeu gazetës angleze: “Ne kemi marrë oferta nga Çelsi, Juventusi e Sevilja. Valoni gjatë verës do të shkojë te një klub i madh”. Me ekipin kombëtar zviceran Berhami është shndërruar në një nga lojtarët kyç. Behrami ishte fituesi i madh i Kampionatit Europian 2008 në formacionin e Zvicrës, duke dëshmuar rezultate të mira si në planin teknik, dhe në atë fizik në të tria ndeshjet e Zvicrës. Ekspertët e futbollit e vlerësuan atë si lojtarin më të mirë të Kombëtares zvicerane.

FSHF-ja zbraz thesin

Pesë mijë euro shpërblim. Nga kaq do të përfitojnë lojtarët e Kombëtares shqiptare të futbollit në rast fitoreje në transfertë me Maltën. Në fillim të edicionit Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së kishte caktuar 3 mijë euro për fitoren në transfertë. Maltë-Shqipëri do të luhet më 11 shkurt 2009 në “Ta’Qali”. Në rast fitoreje Shqipëria merr kreun e grupit 1 me 8 pikë. Trajneri i Kombëtares, Ari Han, u shpreh entuziast për sfidën me Maltën. Gjatë një interviste dhënë së përditshmes sportive “Sport Ekspres”, holandezi tha: “Malta është një pengesë që duhet kaluar. Sepse në të kundërt do të ishte një tragjedi. Nuk mund t’i lejojmë vetes një hap fals në një sfidë të tillë. Edhe një barazim do të ishte tragjedi. Në letër jemi ne favoritët”.
Ari Han do të mbërrijë në Shqipëri në fund të muajit janar, për të ndjekur derbin Dinamo-Tirana (31 janar). Pritet që Jahmir Hyka, për shkak të mosaktivizimit me Mainc 05, të mos grumbullohet, ndërkohë që në listën e 18 lojtarëve që do të thirren nga Ari Han do të ketë surpriza të tjera. Shqipëria e futbollit e nisi me një lajm të mirë vitin 2009, duke u ngjitur edhe tri vende të tjera në renditjen botërore të FIFA-s për muajin janar 2009. Tani jemi në vendin e 78-të, nga i 81-ti që renditeshim në muajin dhjetor 2008, duke bërë “kërcimin: më të madh nga gjashtë skuadrat e Grupit 1 eliminator të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Malta, kundërshtari ynë i radhës në ndeshjen zyrtare të 11 shkurtit, ka zbritur një vend dhe tani është e 148-ta në FIFA dhe e 49-ta në renditjen e UEFA-s.

Grupi 1
Ndeshjet dhe renditja

Shqipëri-Suedi 0-0
Hungari-Danimarkë 0-0
Maltë-Portugali 0-4
Suedi-Hungari 2-1
Portugali-Danimarkë 2-3
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Danimarkë-Maltë 3-0
Suedi-Portugali 0-0
Maltë-Hungari 0-1
Portugali-Shqipëri 0-0

11.02.2009
Maltë-Shqipëri

28.03.2009
Maltë-Danimarkë
Shqipëri-Hungari
Portugali-Suedi

01.04.2009
Hungari-Maltë
Danimarkë-Shqipëri

06.06.2009
Shqipëri-Portugali
Suedi-Danimarkë

10.06.2009
Suedi-Maltë

05.09.2009
Danimarkë-Portugali
Hungari-Suedi

09.09.2009
Hungari-Portugali
Maltë-Suedi
Shqipëri-Danimarkë

10.10.2009
Portugali-Hungari
Danimarkë-Suedi

14.10.2009
Danimarkë-Hungari
Portugali-Maltë
Suedi–Shqipëri

Ekipi P ND
Danimarka 7 3
Hungaria 7 4
Portugalia 5 4
Shqipëria 5 4
Suedia 5 3
Malta 0 4

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›