E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderët, rriten në 10 milionë euro kuotat për kompanitë

 

Qeveria ka vendosur që të rrisë pragun për kompanitë, që duan të marrin pjesë në tenderët e prokurimeve publike. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave qeveria i dha ‘OK’ kufijve të rinj monetarë, që duhet të përmbushin kompanitë, që duan të marrin pjesë në këta tendera. Konkretisht kufiri më i lartë monetar për kontratat e punëve publike tashmë do të jetë 1.2 miliardë lekë ose e shprehur ndryshe gati 10 milionë euro. Kufiri më i ulët për këto lloj kontratash do të jetë 12 milionë lekë. Ndërsa për kontratat publike të shërbimeve dhe mallrave kufiri më i lartë monetar do jetë 200 milionë lekë dhe kufiri më i ulët 8 milionë lekë. Në mënyrë që të mos copëtoheshin prokurimet, qeveria vendosi që të dyfishojë fondin për kompanitë. Konkretisht ndryshimi i kufijve monetarë është jo vetëm një kusht i domosdoshëm në bazë të ligjit, por gjithashtu edhe për shkak të ndryshimit të vlerave të investimeve, që po kryhen nga të gjithë autoritetet kontraktore. Sipas vendimit të mëparshëm këta kufij ishin shumë të ulët çka ndikonte në rritjen e numrit të procedurave të prokurimit, ndërkohë vlerat, që prokuroheshin ishin të vogla. Sipas projektvendimit që u miratua dje nga qeveria është dyfishuar kufiri i lartë monetar, kufiri i ulët monetar është katërfishuar, ndërsa vlera e prokurimit në vlerë të vogël nuk ka ndryshuar.
Prokurimet
Po dje, qeveria miratoi vendimin për kryerjen e procedurave të prokurimit publik në mënyrë elektronike. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria është ndër vendet e para, që vendos procedura tërësisht elektronike në të gjitha prokurimet publike. “Agjencia e Prokurimeve Publike nuk do të shpallë asnjë tender jashtë sistemit elektronik. Ata që do të guxojnë ta ndërmarrin, do të zhdëmtojnë personalisht të gjithë shumën, që kanë vendosur në tender. Çdo autoritet kontraktues do ta ketë për kënaqësi dhe duhet ta konsiderojë këtë si një shans të madh për të mbetur jashtë çdo komenti”, u shpreh dje Berisha. Sipas tij, qeveria do t’i japë Agjencisë së Prokurimeve Publike mbështetjen e duhur, që të gjitha autoritetet kontraktuese të vendit të procedojnë me prokurimet elektronike.

Vendimi

Kufiri i lartë monetar
• 1.200.000.000 lekë për kontratat e punëve publike
• 200.000.000 lekë për kontratat publike të shërbimeve dhe mallrave

Kufiri i ulët monetar
• 12.000.000 lekë për kontratat e punëve publike
• 8.000.000  lekë për kontratat publike të shërbimeve dhe të mallrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›