Pink ribashkohet me ish-bashkëshortin, Hart
Pas një viti ndarjeje, këngëtarja e muzikës pop, Pink, raportohet se është rikthyer me ish-bashkëshortin, Keri Hart. Dyshja u nda në shkurtin e vitit të kaluar, por pas dy vitesh martesë këngëtarja ka shprehur ndjenjat për ish-partnerin e saj. Hart dhe Pink, emri i vërtetë i së cilës është Alesia Mur, nxitën thashethemet se janë ribashkuar pasi u panë duke u puthur në sy të publikut në natën e ndërrimit të viteve (2008-2009). Po sipas thashethemeve, Hart duket se është zhvendosur në shtëpinë e këngëtares në Malibu, për të shijuar lidhjen që në pamje të parë duket mjaft romantike. “Pink është e gëzuar për Kerin dhe dëshiron të provojë sërish të jetojë me të, megjithatë do t’i duhet kohë të kuptojë se çdo të bëjë përfundimisht“, - ka thënë një burim për tabloidin “US Weekly”. Pas ndarjes, këngëtarja realizoi një këngë në videoklipin e së cilës shprehte dëshirën për të qenë e lirë dhe pa impenjime, larg jetës bashkëshortore. Megjithatë, duket se ajo nuk mundi të qëndrojë gjatë larg dashurisë së jetës, duke e provuar sërish bashkëjetesën me atë që një vit më parë ishte bashkëshorti i saj.
Arrihet marrëveshje për filmin e ri, “Sex And The City”
Aktoret e filmit “Sex And The City” kanë arritur një marrëveshje për të luajtur edhe vazhdimin e dytë të filmit të suksesshëm. Vetëm disa muaj pasi adoptimi i parë filmik i serisë televizive u bë hit duke fituar më shumë se 400 milionë dollarë në mbarë botën, producentët mundën të bashkonin sërish aktoret Sarah Xhesika Parker, Sinthia Nikson, Kristin Davis dhe Kim Katrall. “Jo të gjitha kontratat janë nënshkruar, megjithatë ato janë mbi tavolinë dhe gjithçka pritet të ndodhë shumë shpejt”, - ka thënë një burim për mediat. Kohët e fundit u fol për pjesëmarrjen e këngëtares Britni Spirs në këtë film, por ende nuk dihet nëse ideja do të bëhet realitet. Ajo që mendoi për një personazh të ri, i cili duhet të luhej nga Spirs, ishte Sarah Xhesika Parker, e cila me optimizëm tha se këngëtaren e shihte në rolin e mbesës ose kushërirës së largët, e cila vjen në qytet dhe përballet me një jetë të re. Do të ishte pikërisht Parker ajo që do t’i mësonte disa truke për t’u përshtatur me aventurën e re.
23 Janar 2009