E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolaudimi i makinave, “SGS” negociata me qeverinë

 

Kompania zvicerane SGS do të vijojë negociatat me qeverinë shqiptare për marrjen me koncesion të Drejtorisë së Kolaudimit të makinave. Sipas Burime zyrtare pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kjo kompani u përzgjodh për vazhdimin e negociatave me qeverinë shqiptare për marrjen me koncesion të kësaj drejtorie. Komisioni i Vlerësimit të ofertave përfundoi më datë 16 janar, vlerësimin e ofertave të paraqitura nga subjektet SAS SAKAR-Francë, dhe SGS–Zvicër.
Ndërkohë, pas shqyrtimit të detajuar të dokumentacionit ligjor, ekonomik dhe teknik për çdo ofertë rezultoi se, dokumentacioni i subjektit SAS SAKAR nuk përmbush kriteret ligjore të përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit për t’u kualifikuar. Kompania SGS ka kërkuar marrjen 10 vjet me koncesion të këtij shërbimi. Sipas ofertës së kësaj kompanie vlera e investimit është 561 milionë lekë. Në ofertën e saj, kjo kompani parashikon gjithashtu një tarifë prej 1.998 lekësh për kontroll, ngritjen e një qendre të re, si dhe 3 qendrave të lëvizshme. Ndërkohë sipas specialistëve të kësaj ministrie me dhënien me koncesion të kësaj drejtorie synohet që të përmirësohet cilësia e shërbimit, duke pasur kështu një kontroll teknik e profesional si në BE. Se liberalizimi i shërbimeve synon përmirësimin e tyre, aq më tepër që në këtë rast bëhet fjalë për rritjen e nivelit të sigurisë rrugore, që kohët e fundit ka qenë tepër problematik dhe shpesh fajtor për shkaktimin e mjaft viktimave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›