E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, PD pranon vërejtjet

 

Vërejtjet e "Euralius"-it për projektligjin "Për krijimin e Gjykatës Administrative", pritet të merren në konsideratë nga ana e komisionit parlamentar të Ligjeve. Në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni është diskutuar mbi komentet e paraqitura nga ana e "Euralius" dhe të SIGMA-s për të draftin e ri, që synon të krijojë Gjykata Administrative në shkallë Republike. Kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali është shprehur pro vërejtjeve të paraqitura nga ana e "Euralius"-it, duke theksuar se "gjatë shqyrtimit propozimet e bëra duhet të përfshihen në draftin përfundimtar". Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë në këtë mbledhje theksuan se kërkojnë që propozimet e bëra nga këta institucione ndërkombëtare të shqyrtohen rast pas rasti. Projektligji i qeverisë është paraqitur në Kuvend që në sesionin e kaluar parlamentar. Nisma shihet si pjesë e paketës së reformës në sistemin e drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shprehur rezervat në lidhje me këtë draft, duke kërkuar që emërimet e anëtarëve të kësaj gjykate të realizohen nga ana e tyre, si dhe të marrin pjesë në ndëshkimin e atyre gjykatëse që shkelin ligjin. Në komisionin e Ligjeve është depozituar dhe projektligji "Për administratën gjyqësore", por ende nuk është shqyrtuar dhe nuk është votuar në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›